Ramadani: Çfarë fitojmë, kur vonohemi?

Aktuale

Ramadani: Çfarë fitojmë, kur vonohemi?

Nga: Bota sot Më: 22 korrik 2025 Në ora: 21:43
Albert Ramadani

Në një reagim, opinionisti Albert Ramadani ka ngritur shqetësimin e tij për vonesat që po e mbajnë Kosovën prapa në zhvillim, sidomos në arenën ndërkombëtare. Ai e konsideron situatën aktuale si një “pate” strategjike, ku çdo lëvizje e radhës është jetike për të ardhmen e vendit.

Ramadani thekson se Kosova nuk ka më luksin të vonohet në asnjë aspekt, pasi dinamika globale po ndryshon me shpejtësi dhe çdo hap i gabuar mund të ketë pasoja të parikuperueshme. Ai bën thirrje për vendime të mençura dhe veprime që çojnë përpara, e jo në regres.

Reagimi i plotë:

Në çdo aspekt të jetës, vonesat na shkaktojnë regres, humbje orientimi dhe pamundësi për të ecur përpara. Vonesa nuk sjell asnjë dobi e as sukses.

Kosova sot ndodhet mbrapa në shumë fusha. Është e vonuar në përpjekjet për forcim, për arritje dhe për progres, sidomos në arenën ndërkombëtare.

Kosova nuk duhet të vonohet, sidomos kur kemi parasysh se politikat gjeostrategjike po evoluojnë me shpejtësi. Bota po ecën me hapa të mëdhenj dhe po përjeton lëvizje të paparashikueshme – në ekonomi, siguri dhe thuajse në çdo fushë.

Ne nuk kemi "luksin" të vonohemi në asnjë aspekt. Kemi pasur fatin që shtetet mike na kanë ndihmuar në kauzën tonë të drejtë – një kauzë që ka nisur shekuj më parë. Ne jemi brezi me fat që po jeton në liri, pas shumë gjaku, sakrifice dhe humbjesh njerëzore.

Sot, nuk i takon qytetarëve të këtij vendi të vonohen e të kthehen mbrapa, duke u’a bërë qejfin armiqve të përjetshëm.

Pse po vonohemi? Pse po ua japim mundësinë atyre që nuk na duan të mirën, të flasin, të veprojnë e të ndikojnë? Pse po u’a hapim derën që të futen në "vallë", ndërsa ne mbetemi në një valle pa fund, pa vlera, duke u dhënë arsye kundërshtarëve tanë të thonë se ky vend nuk është i aftë të ndërtojë shtet e institucione të pavarura?

Me veprimet e fundit, Kosova po luan një lojë të rrezikshme – duke çuar vetveten në një “pate” (situatë pa zgjidhje në shah), ku hapi i radhës është jetik. Ai që e ka radhën të lëvizë, duhet të dijë ta bëjë lëvizjen e duhur, për të mbyllur lojën me sukses, jo për të mbetur përgjithmonë në vendnumëro.

Nuk guxojmë të bëjmë lëvizje që krijojnë bllokada, e të dëmtojmë veten në thelb – aq sa të mos mbetet më asnjë figurë me vlerë në fushën e lojës.

Nuk guxojmë t’i fusim “dy këmbët në një çizme”, sepse duke vepruar kështu, nuk do të mund të ecim më përpara.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat