​Kurti e Vitia vizitojnë punimet në Kardiologji: Pritet të përfundojnë në tetor

Aktuale

​Kurti e Vitia vizitojnë punimet në Kardiologji: Pritet të përfundojnë në tetor

Më: 6 gusht 2025 Në ora: 15:38
Foto nga vendi i ngjarjes

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, së bashku me ministrin në detyrë të Shëndetësisë, Arben Vitia, vizituan nga afër punimet që janë duke u zhvilluar në Klinikën e Kardiologjisë në QKUK.

Renovimi i kësaj klinike po realizohet falë një donacioni të Qeverisë së Luksemburgut, në vlerë prej 1 milion e 450 mijë eurosh.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti tha se ky donacion është jashtëzakonisht i rëndësishëm, për çka edhe falënderoi ambasadorin e Luksemburgut, Eric Dietz.

Kurti tha se rreth 790 mijë euro nga donacioni janë ndarë për blerjen e një angiografi të ri. Angiografia është një procedurë diagnostike mjekësore që përdoret për të parë enët e gjakut në trup.

Kurti tha se punimet kanë filluar në muajin korrik të këtij viti dhe se pritet të përfundojnë në tetor 2025.

Kurti: Punimet në Klinikën e Kardilogjisë pritet të përfundohen në tetor të këtij viti

“Ndodhemi në Klinikën e Kardiologjisë në QKUK bashkë me ministrin Arben Vitia dhe me ambasadorin e Luksemburgut Eric Dietz, të cilin e falënderojmë nga zemra për këtë donacion jashtëzakonisht të rëndësishëm në vlerë të gjithmbarshme prej 1 milionë e 450 mijë eurove. Prej të cilëve 789 mijë eurove janë për angiografin e ri. Ndërkaq, pjesa tjetër për renovim të infrastrukturës. Sipërfaqja e gjithmbarshme e kësaj infrastrukture që po rinovohet i afrohet 500 metra kator. Punimet kanë nisur para një muaji në korrik, dhe është menduar që punimet të përfundohen për nëntë muaj, por për shkak të intensitetit të shtuar, mësuam lajmin e ri që në tetor punimet të përfundohen”, tha Kurti.

Ndërkaq, ambasadori i Luksemburgut në Kosovë, Eric Dietz tha se Luksemburgu ka mbështetur sektorin e shëndetësisë në Kosovë për më shumë se dy dekada dhe do të vazhdojë ta bëjë edhe në të ardhmen.

Dietz tha se sëmundjet kardiovaskulare janë shkaktari kryesor i vdekjeve në botë, veçanërisht te personat mbi 50 vjeç, dhe për fat të keq, ato përbëjnë gjithashtu një sfidë të madhe edhe në Kosovë.

Ai theksoi përkushtimin e Luksemburgut për të ndihmuar më tej në përmirësimin e shërbimeve shëndetësore në vend.

Dietz: Do të vazhdojmë ta mbështesim edhe më shumë sektorin e shëndetësisë në Kosovë

“Fatkeqësisht, sëmundjet kardiovaskulare janë sëmundjet numër një në mbarë botën, dhe veçanërisht për njerëzit mbi 50 vjeç. Dhe, janë gjithashtu sëmundjet kryesore këtu në Kosovë, kështu që Luksemburgu po e mbështet fuqishëm sektorin e shëndetësisë, prej dy dekadash, dhe ne do të vazhdojmë ta bëjmë këtë. Kjo është vizita e parë për të parë se si po shkon përparimi i punës këtu në Prishtinë, Departamenti i Kardiologjisë, por edhe Departamenti i goditjes në tru. Ne kemi qenë së bashku në spitalin e Prizrenit, ku tashmë kemi ngritur një departament të Kardiologjisë në korrik, dhe ky departament i kardiologjisë tashmë ka shpëtuar 800 jetë në Kosovë, kështu që po kontribuojmë fuqishëm për të mbështetur mirëqenien dhe sektorin e shëndetësisë këtu në Kosovë, dhe madje do të bëjmë shumë më tepër në të ardhmen. Pra, po fillojmë këtu me Prishtinën, dhe pastaj shkojmë në Gjilan, dhe do e rinovojmë të gjithë Spitalin e Gjilanit”, tha Dietz. 

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat