28 vjet nga vdekja e Shën Nënë Terezës – Meshë solemne në Prishtinë

Aktuale

28 vjet nga vdekja e Shën Nënë Terezës – Meshë solemne në Prishtinë

Më: 5 shtator 2025 Në ora: 13:56
Nënë Tereza

Sot mbushen 28 vjet nga ndarja nga jeta e Shën Nënë Terezës, humanistes së madhe shqiptare, e cila u bë simbol i paqes, dashurisë dhe përkujdesjes për më të varfrit e botës.

Me këtë rast, në orën 11:00, në Katedralen “Shën Nënë Tereza” në Prishtinë do të mbahet një meshë solemne kushtuar jetës dhe veprës së saj. Organizatorët thërrasin besimtarët: “Ejani ta nderojmë bijën tonë të shenjtë, Nënën e Njerëzimit, Ambasadoren e popullit tonë të lashtë.”

Jeta dhe vepra

Anjezë Gonxhe Bojaxhiu u lind më 26 gusht 1910 në Shkup. Përmes misionit të saj në Kalkutë, ajo ngriti shkolla, spitale, klinika dhe shtëpi për të braktisurit. Në mesin e viteve ’80, vetëm në një dekadë të punës së saj, ajo kujdesej për qindra mijëra të sëmurë, pleq të braktisur dhe fëmijë jetimë.

Nënë Tereza ndërroi jetë më 5 shtator 1997 në Kalkuta. Ajo u shpall e bekuar më 2003 nga Papa Gjon Pali II, ndërsa më 4 shtator 2016 u shpall shenjtore nga Papa Françesku.

Mrekullitë që çuan në shenjtërim

1998, India: Shërimi i mrekullueshëm i Monika Besra, e cila dëshmoi se u shërua nga tumori pas lutjes përpara ikonës së Nënë Terezës.

2015, Brazili: Një i ri 25-vjeçar u shërua nga tumori në tru, duke u njohur nga Vatikani si mrekulli e dytë.

Vlerësimi botëror

Në 9-vjetorin e shenjtërimit të saj, presidenti amerikan Donald Trump deklaroi:
“Nënë Tereza u dha ushqim të uriturve, strehë të pastrehëve dhe arsim atyre që kishin nevojë. Ajo përfaqësonte më të mirën te secili prej nesh.”

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat