​I burgosuri vdes në spital, KMDLNj ngre alarmin për kushtet në burgje

Aktuale

​I burgosuri vdes në spital, KMDLNj ngre alarmin për kushtet në burgje

Më: 16 shtator 2025 Në ora: 16:11
Foto ilustrim

Një i burgosur në Qendrën Korrektuese të Dubravës ka ndërruar jetë më 15 shtator në Spitalin Rajonal të Pejës, pas komplikimeve shëndetësore. Bëhet fjalë për Tasim Zhuniqin, 64 vjeç, i cili ishte në vuajtje të dënimit dhe ishte dërguar me urgjencë për trajtim nga njësia ambulantore e burgut.

Sipas Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj), i ndjeri vuante nga komplikime të rënda pulmonare dhe ishte trajtuar në kuadër të kapaciteteve ekzistuese në burg, të cilat KMDLNj i konsideron të pamjaftueshme për trajtimin e rasteve të rënda mjekësore.

Me vendim të prokurorit të rastit, trupi i pajetë i të ndjerit është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion, siç parashihet me Ligjin për Ekzekutimin e Sanksioneve Penale (LESP).

KMDLNj ka theksuar se vdekja e të burgosurit është një tjetër dëshmi e mungesës së investimeve serioze në shëndetësinë brenda sistemit korrektues. Sipas tyre, mungesa e një spitali funksional në kuadër të Shërbimit Korrektues të Kosovës, si dhe kushtet e vështira për trajtim të brendshëm, e bëjnë të pamundur ofrimin e kujdesit adekuat shëndetësor për personat e privuar nga liria.

"Transporti i të burgosurve për trajtim, sidomos të rasteve me rrezikshmëri të lartë, paraqet problem të madh. Mungesa e kapaciteteve në institucionet shëndetësore publike mbetet një sfidë e madhe si për Shërbimin Korrektues të Kosovës, ashtu edhe për Shërbimin Shëndetësor të Burgjeve," – thuhet në reagimin e KMDLNj-së.

Këshilli gjithashtu ngriti shqetësime për, siç e quajti, "pandjeshmërinë e gjykatave", të cilat sipas tyre, refuzojnë vazhdimisht kërkesat për ndërprerje të dënimit edhe në rastet kur personat e dënuar vuajnë nga sëmundje të pashërueshme, pavarësisht rekomandimeve mjekësore.

KMDLNj i ka shprehur ngushëllimet familjes së të ndjerit dhe ka kërkuar reflektim institucional të menjëhershëm për të parandaluar raste të tilla në të ardhmen.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat