“Parada ushtarake, fasada e ‘Botës Serbe’” — Gurakuç Kuçi zbulon projektin e rrezikshëm të Vuçiqit

Aktuale

“Parada ushtarake, fasada e ‘Botës Serbe’” — Gurakuç Kuçi zbulon projektin e rrezikshëm të Vuçiqit

Nga: A.SH Më: 20 shtator 2025 Në ora: 21:30
Parada serbe

Njohësi i sigurisë, Gurakuç Kuçi, ka lidhur paradën e fundit ushtarake të Serbisë me projektin e ashtuquajtur “Bota Serbe” dhe me kolonizimin historik të Kosovës.

Ai thekson se dita e “unitetit serb”, e shpallur nga Vuçiq dhe Vulin, është instrument politik që përdor nacionalizmin, frikësimin dhe ndikimin rus në Ballkan.

Sipas tij, retorika e “bashkimit” është e kontrolluar nga pushteti i Vuçiqit dhe shërben për interesa personale e gjeopolitike.

Postimi i plotë:

Kolonizimi i djeshëm, propaganda e sotme, kërcënimi i nesërm

Në gusht 2020, presidenti i Serbisë Aleksander Vuçiq, në koordinim me autoritetet e Republika Srpska-s, shtynë përpara idenë e krijimit të “Ditës së Unitetit, Lirisë dhe Flamurit Kombëtar serb”. Në të njëjtën kohë, ministri i atëhershëm i Mbrojtjes, Aleksander Vulin, sot në listën e zezë të SHBA-së, e proklamoi publikisht projektin e ashtuquajtur “Bota Serbe”.

Kjo “ditë e unitetit serb” është lidhur me ofensivën e 15 shtatorit 1918 në Frontin e Selanikut, gjatë Luftës së Parë Botërore. Pikërisht në të njëjtën periudhë filloi edhe procesi i kolonizimit të Kosovës me serbë dhe shpërngulja e shqiptarëve, siç e dokumenton Dr. Milovan Obradoviq në librin “Reforma Agrare dhe Kolonizimi i Kosovës 1918-1941”.

Parada e sotme, ku Serbia shfaqi “forcën” ushtarake sipas modelit të Kinës dhe Rusisë, shërben si mjet mobilizimi përmes nacionalizmit dhe frikësimit, duke ushqyer propagandën shtetërore. Fakti që parada u zhvillua më 20 shtator, dhe jo më 15 shtator, vetëm për shkak se Vuçiq ishte jashtë vendit, tregon se pas retorikës së “bashkimit” fshihet një projekt i kontrolluar politikisht dhe i instrumentalizuar për pushtetin e tij personal.

Ky pushtet është edhe themeli i shtrirjes së Rusisë në Ballkanin Perëndimor, prandaj çdo politikë për shkak të “stabiliokracisë” dhe “paqëtimit” është dhënie kohë për realizimin e “Botës Serbe”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat