Duncan përfundon dëshminë, ja çfarë tha diplomati britanik sot para Gjykatës në Hagë

Aktuale

Duncan përfundon dëshminë, ja çfarë tha diplomati britanik sot para Gjykatës në Hagë

Më: 23 shtator 2025 Në ora: 06:57 Përditësuar në ora: 17:52 më 23.09.2025
John Duncan.

John Stewart Duncan përfundon dëshminë në Speciale

Ish-diplomati britanik, John Stewart Duncan, e ka përfunduar dëshminë e tij në mbrojtje të ish-krerëve të UÇK-së të cilët po gjykohen për krime të pretenduara të luftës, pranë Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë. Seanca e radhës, me dëshmitarin tjetër do të mbahet të hënën, 29 shtator.

Ish-diplomati britanik, John Stewart Duncan, i cili gjatë viteve ’90 ishte këshilltar politik i Wesley Clark, komandantit të atëhershëm të NATO-s, në fillim të dëshmisë së tij para Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, foli për rolin e tij në Kosovë. Ai tha se detyra e tij ishte ta informonte Clarkun - gjeneralin që udhëhoqi fushatën bombarduese kundër caqeve serbe në vitin 1999.

Ai tha se se nuk ka parë komunikata të UÇK-së ku të jenë përmendur ekzekutime. Gjithashtu, theksoi se nuk ka pasur dëshmi se ka ekzistuar një Shtab i Përgjithshëm sipas pikëpamjeve ushtarake.

Duke u përgjigjur në pyetjet e mbrojtjes së Thaçit të hënën, ai tha se Thaçi shihej si politikan dhe jo komandant i UÇK-së.

“Asnjëherë nuk e kam parë të jepte direktiva apo urdhra, ishte qartë që kishim të bënim me dy lloj njerëzish, e para, kishim të bënim me ushtarakun apo oficerin e nivelit të lartë, dhe e dyta ishte politikani. Kjo ishte përshtypja që më është krijuar mua", tha ai.

Ai gjithashtu tha se UÇK-ja nuk kishte strukturë hierarkike.

Ky ishte dëshmitar i tretë, pasi në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë u dëgjua ish-ndihmëssekretari amerikan të Shtetit, James Rubin, dhe ish-këshilltari ligjor i delegacionit të Kosovës në negociatat në Rambuje, Paul Williams.

Paraqitja e provave të mbrojtjes nisi një javë më parë, më 15 shtator. Mbrojtja e Thaçit ka planifikuar t’i sjell 11 dëshmitarë në tërësi, pas së cilëve pritet të dëshmojnë dy të tjerë të thirrur nga mbrojtja e Jakup Krasniqit.

Paraqitja e provave të mbrojtjes pritet të përfundojë deri në mesin e nëntorit, ndërkaq, turpi gjykues pret që ekipet mbrojtëse të dorëzojnë shkresat përfundimtare deri më 22 dhjetor të këtij viti.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi akuzohen për krime të pretenduara të luftës. Ata ndodhen në paraburgim prej nëntorit të vitit 2020.

Duncan: S’ka pasur hierarki nga lart-poshtë në UÇK

Dëshmitari John Duncan ka treguar në Hagë se në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) nuk kishte hierarki dhe strukturë të komandimit nga lart-poshtë.

Kjo deklaratë e Duncan erdhi pasi u pyet nga gjyqtari Fergal Gaynor se një lëvizje me 20 deri në 30 mijë ushtarë të demilitarizohen nga një marrëveshje e nënshkruar nga Hashim Thaçi, a nuk rezulton se ai ka ushtruar efektivisht kontroll dhe komandë mbi ata, raporton “Betimi për Drejtësi“.

“Jo sepse bëhej fjalë për një marrëveshje gjithëpërfshirëse. Nuk është se kishin hierarki nga lart-poshtë. Këtë jam përpjekur t’ua shpjegoj gjatë gjithë kohës, mbase nuk jam shpjeguar mirë. Megjithatë, të gjithë aktorët në proces, kishin interes jo se ai kishte kontrollë dhe komandë, por se të gjitha palët ishin të interesuara që marrëveshja të ndodhte. Kjo nuk ka të bëjë fare me komandën dhe kontrollin. Është një çështje diplomatike se si të gjitha palët pajtohen për objektivin. Për aq sa kohë që të gjithë pajtohen me zbatimin, nuk është fare  e rëndësishme dhe nuk mendoj se çështja e komandës dhe kontrollit është përgjigja se si ka funksionuar se pse u realizua kjo marrëveshje. Nuk e mendoj këtë gjë”, tha dëshmitari.

Me kaq përfunduan pyetjet nga gjyqtari Fergal Gaynor ndërsa seanca kaloi në pushim për 10 minuta.Përpara pushimit, Prokuroria njoftoi se nuk ka pyetje shtesë, ndërsa disa nga mbrojtjet thanë se iu duhen disa minuta.

Pyetje për dëshmitarin kishte edhe avokati i Jakup Krasniqit, Aiden Ellis.

Seanca e radhës mbahet të hënën. Gjatë javës së ardhmshme pritet të dëgjohen dy dëshmitarë.

Duncan: Çeku ishte krahu ushtarak, Thaçi e Krasniqi kryenin funksione politike

Gjatë dëshmisë së tij në Hagë, dëshmitari John Duncan tha se gjatë negociatave për nënshkrimin e Marrëveshjes së demilitarizimit, Agim Çeku ishte krahu ushtarak ndërsa Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi ishin ai politik.

“Çeku ishte shefi i krahut ushtarak. Ndërsa, zoti Thaçi dhe zoti Krasniqi kryenin funksione politike”, tha Duncan, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Përveç kësaj, Duncan tha se gjatë negociatave, s’e ka parë asnjëherë Thaçin ose Krasniqin të përfshihen në diskutime ushtarake përveç atyre politike.

“Nga gjithë ajo që kam parë në negociatat për atë marrëveshje, zoti Thaçi dhe zoti Krasniqi asnjëherë nuk janë futur në çështje ushtarake. Në asnjë rast nuk kam parë as njërin as tjetrin të jenë futur në çështje ushtarake. Ata kanë folur vetëm për aspekte politike. Po ashtu, zoti Çeku ka folur vetëm për çështje ushtarake dhe nuk ka folur për çështje politike. Kështu që duhet bërë një dallim praktik lidhur me këtë bisedë dhe rolin që ata kanë pasur”, tha Duncan.

Përpara kësaj, dëshmitari Duncan bëri ndarjen e këtyre dy kaheve të UÇK-së sipas pikëpamjes së tij.

“Dy kahet kishin role të veçanta por nuk kam thënë në asnjë moment që këto dyja ishin organe tërësisht të veçanta. Ishte e vështirë që të bëhej dallimi midis atyre që kishin qenë aktiv në operacione në terren ose persona që kishin marrë pjesë në operacione-luftime në terren dhe atyre që kishin zgjedhur të kenë funksione politike. Domethënë s’i ta bësh dallimin e prerë me thikë. Sigurisht që nuk mund të kesh një dallim të prerë me thikë por këta janë persona që kryejnë funksione të ndryshme dhe kjo është mënyra më e mirë që unë mund të shprehem për të iu bërë juve të qartë se kishte një krah politik dhe një krah ushtarak”, tha ai.

Sipas tij, kishte persona që fillimisht kanë qenë të përfshirë në luftime e që më pastaj kanë marrë role politike.

“Domethënë organizata guerile ishte e zakontë që të bëhej një ndarje e tillë. Kishte persona që fillimisht më shumë ishin përfshirë në luftime dhe pastaj me kalimin e kohës kishin marrë role politike”, tha ai.

Duncan- gjyqtarit: Pse s’kemi dëgjuar ne për Shtabin e Përgjithshëm, s’kemi parë prova që ka ekzistuar

Gjatë dëshmisë së tij në Hagë, dëshmitari John Duncan tha se ka një pikëpyetje se pse nuk ka dëgjuar asnjëherë për Shtabin e Përgjithshëm ndonëse përmendet në aktakuzë dhe e dinë se si organ është krijuar nga viti 1994.

“Për mua tani kam një pikëpyetje e cila është se pse nuk kemi dëgjuar asnjëherë për Shtabin e Përgjithshëm ne me përjashtim të rasteve të deklaratave duke përdorur fjalët propagandiste. Ne kishim propozimin për këtë marrëveshje dhe nënshkrimet e para dhe atje gjenerali Çeku nuk e ka përdorur këtë titull. Unë jam në dijeni të faktit që ka ekzistuar një organ Shtab i Përgjithshëm që është në aktakuzë dhe më duket se është krijuar më 1994. Tani pikëpyetja për mua është kjo; Çfarë funksioni ka pasur ky organ gjatë konfliktit, dhe pse asnjëherë nuk e na e kanë përmendur dhe as nuk kemi parë asnjë provë të paktën sa kam parë unë që të ketë ekzistuar ky organ-ky Shtabi i Përgjithshëm”, tha dëshmitari, raporton “Betimi për Drejtësi“.

“Kjo do të ishte pyetja ime e radhës për ju. A keni parë ndonjëherë ndonjë dokumentacion të Shtabit të Përgjithshëm..”, tha gjyqtari Guénaël Mettraux.

Por, dëshmitari mohoi të ketë dijeni për këtë gjë.

“Jo me sa kam dijeni. Nuk kam dijeni për diçka të tillë. Por, ajo që kemi parë ne, ka qenë roli i komandantëve të zonave, roli i Çekut dhe struktura ushtarake siç ai na e ka përshkruar dhe na kanë thënë që jam komandat i kësaj strukture. Ka qenë titull tjetër pra. Tani për mua nuk është e qartë kjo që po shoh dhe as gjatë asaj kohe”, tha Duncan.

Gjyqtari Mettraux i tha dëshmitarit se nuk po e qorton dhe vazhdoi me pyetjen se a e dinte se kur Çeku ishte bërë anëtar i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së. Ai tha se si rregull duhej ta dinte por që nuk e di as datën.

Deklarata e dëshmitarit erdhi pasi iu prezantua një dokument për të cilin dëshmitari tha se nuk e ka parë asnjëherë.

Dëshmitari Duncan pohoi se duket si një dokument që flet për aspekte ushtarake dhe operative që lidhen me luftën. Dokumenti i njëjtë ishte i nënshkruar nga Agim Çeku në cilësinë e shefit të Shtabit të Përgjithshëm.

Duncan tha se e kanë kuptuar që pushtetin e kishin komandantët e zonave dhe Agim Çeku. Ndërsa, sipas tij nëse do të ishte një organ i quajtur Shtab i Përgjithshëm funksional, atëherë do iu drejtoheshin atij.

“Nuk e bëmë se siç thash ne nuk e pamë këtë Shtab të Përgjithshëm. Nuk kemi parë asnjë provë të ekzistencës së Shtabit të Përgjithshëm. E di që ishte krijuar diçka në të shkuarën, kishte disa deklarata publike dhe arsyeja se pse unë shkova në Tiranë dhe nuk shkova në Lubljanë ishte se na u ishte thënë se personat që duhej të komunikonim dhe bashkëpunonim ndër të tjerët ishte edhe gjeneral Çeku i cili tha se personat që duhet të kemi në palët tonë duhet të ishin komandantët e zonave”, tha dëshmitari.

Pas kësaj, për të diskutuar për disa çështje konfidenciale, seanca kaloi në sesion privat për publikun. Si rrjedhojë, kur u hap seanca, gjyqtari Mettraux kishte përfunduar pyetjet dhe me pyetje vazhdoi gjyqtari Fergal Gaynor.

Duncan për shqiptarët e Shqipërisë: Më 1999 kishin rreth 40% të prostitucionit në Evropën Perëndimore

Gjatë dëshmisë së tij në Hagë, diplomati britanik John Duncan tha se grupe kriminale nga Shqipëria po hynin në Kosovë me valën e kthimit të refugjatëve në vitin 1999 pas mbarimit të luftës.

Sipas tij, gjatë kësaj kohe, krimi i organizuar i shqiptarëve të Shqipërisë ishte i vështirë të përshkruhej. Tha se këta persona kishin rreth 40% të prostitucionit në Evropën Perëndimore, raporton “Betimi për Drejtësi“.

“Për të përshkruar krimin e organizuar shqiptar është e vështirë. Thjesht ishin grupe personash shumë aktiv asokohe. Ata kishin rreth 40% të prostitucionit në Evropën Perëndimore”, tha ai.

Ndonëse kjo dukuri s’u shfaq në Kosovë, Duncan deklaroi se shqiptarët e Shqipërisë merreshin edhe me trafikim armësh e lëndë narkotike.

“Pra, bëhej fjalë për trafikim të lëndëve narkotike, bëhej fjalë për trafikim armësh. Mbase në këtë rast nuk ishte prostitucioni por bëhej fjalë për të gjithë spektrin e krimit të organizuar”, tha ai.

Dëshmitari u pyet se a kishte të bënte kjo edhe me trafikim me qenie njerëzore, e që këtë gjë e mohoi Duncan.

“Padyshim që edhe trafikim me qenie njerëzore”, tha Duncan.

Sipas Duncanm këta persona nuk dallonin përkatësi etnike ndaj kujt të kryenin krime.

“Këta njerëz të paskrupullt, kë të mundnin, kë të gjenin… shfrytëzonin çdo mundësi dhe çdo person që mundnin”, tha Duncan.

Me kaq përfunduan pyetjet e gjyqtarit Christoph Barthe për këtë dëshmitar për të vazhduar më pas me pyetje gjyqtari Mettraux.

Duncan për Marrëveshjen e demilitarizimit: S’pranuam që Thaçi të nënshkruante në cilësinë e kryeministrit të Qeverisë së Përkohshme

Gjatë dëshmisë së tij në Hagë, dëshmitari John Duncan tha se ata nuk kanë pranuar që Marrëveshja e Demilitarizimit të nënshkruhet nga Hashim Thaçi në cilësinë e kryeministrit të Qeverisë së Përkohshme.

Kjo deklaratë erdhi pasi dëshmitari u pyet nëse Thaçi dëshironte që ta nënshkruante marrëveshjen si kryeministër i Qeverisë së Përkohshme, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Dëshmitari tha se po kërkohen hollësi për negociata që kanë zgjatur 13 orë e që ka qenë e dyta më e gjatë në të gjithë karrierën e tij.

“Nëse më kujtohet si duhet dhe nëse keni prova të tjera, mund të më korrigjoni; Na thanë që duhet të nënshkruante zoti Thaçi dhe jo gjenerali Çeku dhe përgjigja jonë ishte; se nëse e doni këtë gjë, ne jemi të gatshëm ta pranojmë një gjë të tillë – por, ne nuk do ta pranojmë këtë në cilësinë e tij si kryeministër i Qeverisë së Përkohshme pasi do të minonte të tërë operacionin. Prandaj, arritëm në kompromisin që kishim arritur në dy ditët e shkuara”, tha dëshmitari.

Duncan theksoi se UÇK-ja dëshironte që ky dokument i marrëveshjes, në mënyrë të tërthortë të ishte edhe pranim i Kosovës.

“Ne, iu kemi thënë që nuk mund ta pranojmë këtë gjuhë dhe e shpjeguam përsëri. Kjo ka vazhduar gjatë gjithë kohës derisa i mbaruam bisedimet”, tha ai.

Duncan: S’e di kujt i raportonte Çeku, ideja e marrëveshjes ishte shpërbërja e krahut politik

Diplomati britanik John Duncan gjatë dëshmisë së tij në Hagë deklaroi që nuk e di se Agim Çeku si komandant i përgjithshëm i UÇK-së kujt i raportonte.

Duncan tha se nuk supozohej që Çeku t’i raportonte dikujt e sidomos për zbatimin e Marrëveshjes së demilitarizimit, raporton “Betimi për Drejtësi“.

“Nuk e di se çfarë ka bërë ai. Por, nuk mendohet dhe supozohet që ai t’i ketë raportuar ndokujt lidhur me atë se çfarë po bënte. Kjo ishte e qartë në kushtet e marrëveshjes”, tha Duncan.

Dëshmitari tha se gjatë negociatave për marrëveshjen kanë parë insistimin e palës së krahut të luftës që të merrte kontrollin në dorë.

“Kemi parë këtë shembullin insistuas të palës së krahut politik që u mundua të rivendoste kontrollin ose që të rimerrte në dorë kontrollin. Kjo nuk ishte diçka e papritur. Kjo ishte diçka që pritej”, tha ai.

Lidhur me këtë, dëshmitari Duncan mori shembull se Hashim Thaçi në takimin më 19 qershor 1999 dukej se nuk e kuptonte ose vlerësonte se çfarë do të ndodhte me ata pas nënshkrimit të marrëveshjes.

Si rrjedhojë, sipas dëshmitarit, marrëveshja parashihte që krahu politik do të shpërbëhej dhe nuk do të kishte kontrollin.

“Për shembull; zoti Thaçi në diskutimet gjatë takimit të 19 qershorit nuk dukej që e kuptonte ose vlerësonte plotësisht se çfarë mund të ndodhte në qoftë se ata do të nënshkruanin marrëveshjen. Krahu politik nuk do të kishte më kontroll. Ideja ishte që krahu politik do të shpërbëhej dhe për këtë arsye domethënë ishte e qarë së cili ishte qëllimi kryesor i marrëveshjes”, tha ai.

Dëshmitari tha se nëse Çeku i raportonte dikujt, është më mirë të pyetet vetë ai.

Gjenerali Jackson kishte thënë se s’ka pasur prova që UÇK-ja ka kryer praktikë të spastrimit etnik ndaj serbëve

 Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë u paraqit një deklaratë e ish-komandantit të KFOR-it në Kosovë, Gjeneralit Mike Jackson të dhënë gjatë gjykimit në rastin Kontiq në Gjykatën e Lartë në Londër. Kjo deklaratë ishte dhënë më 24 maj 2016 dhe sipas asaj që lexoi në sallën e gjyqit avokatja e Hashim Thaçit, Nina Tavakoli, Jackson kishte thënë se nuk ka prova që UÇK-ja ka kryer akte dhune ndaj serbëve.

“Unë vetë nuk kisha prova…UÇK-ja nga pikëpamja institucionale përmes praktikave të veta po kryente akte terroriste kundër personave – unë s’po them që kjo të mos ketë ndodhur nga persona të caktuar por nuk kam prova që kjo të ketë qenë praktikë e UÇK-së”, kishte thënë Mike Jackson.

Jackson, sipas Tavakolit, i referohej kohës së verës së 1999-ës në Kosovë, raporton “Betimi për Drejtësi“.

“Po ju them që nuk kam prova që nga pikëpamja institucionale nuk kam pasur prova që UÇK-ja të ketë praktikë të spastrimit etnik të serbëve që kishin mbetur aty”, kishte thënë Jackson sipas asaj që lexoi avokatja.

Dëshmitari John Duncan tha se pajtohet në këtë rast me vlerësimin e gjeneralit, Mike Jackson.

Përveç kësaj, dëshmitari u pyet nëse Jackson i ka raportuar komandës së NATO-s, se Thaçi ka dirigjuar ose ka kryer akte dhune ndaj civilëve.

“Jo me sa kam unë dijeni”, tha Duncan.

Përpara kësaj, disa pyetje dëshmitarit iu bën në seancë private nga ana e Prokurorisë. Gjithashtu edhe mbrojtja e Rexhep Selimit e përfaqësuar nga avokati, Eric Tully i parashtroi në seancë private disa pyetje dëshmitarit.

Në seancë, dësmitari u pyet për disa emra që shumicën prej tyre tha që nuk i mban mend. Ndërsa, për Shukri Bujën tha që e di se ka qenë komandant zone.

Aktualisht, dëshmitari është duke u marrë në pyetje nga trupi gjykues i përfaqësuar nga gjyqtari Christoph Barthe.

Dëshmitari tha se sa i përket numrit të anëtarëve të UÇK-së, shifrat ishin të ndryshme. Ndërsa, sipas NATO-s numri varionte nga 20 mijë deri në 30 mijë. Sipas tij, kjo shifër u dha pas Marrëveshjes së demilitarizimit dhe se nuk dihet se sa ka qenë numri i saktë.

Prokurori ia lexoi një deklaratë të Agim Çekut, dëshmitari Duncan i thotë se nuk po thuhet ashtu

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, dëshmitarit John Duncan iu lexua një deklaratë e Agim Çekut kur ishte pyetur se çfarë mendon se do të ndodhte në Kosovë pas përfundimit të luftës, e në të cilën kishte thënë se do kujdesej që lufta të përfundohet me sukses dhe pjesën politike do ia linte të merret Qeveria e udhëhequr nga Thaçi.

“Kur e pyetën se çfarë mendon se do të ndodhë në Kosovë pasi të përfundojë lufta; nëse do të jetë e pavarur apo rajon i pavarur i Serbisë, ai u përgjigj: unë jam një ushtar, detyra ime është të kujdesem për ushtrinë, situatën në fushëbetejë dhe të kujdesem që lufta të përfundojë me sukses. Ai premtoi që do të luftojë derisa forcat e Sllobodan Millosheviqit të dëboheshin nga Kosova dhe t’ia linte politikën Qeverisë që drejtonte Thaçi”, lexoi prokurori Matt Halling.

Pas kësaj, prokuroi pyeti dëshmitarin se a e dinte që Agim Çeku ka thënë që është pjesë e një Qeverie që drejtohet nga Hashim Thaçi, raporton “Betimi për Drejtësi“.

“Jo nuk thotë kështu këtu”, iu përgjigj dëshmitari-prokurorit. 

Më pas, prokuroi vijoi me pyetjen pasuese duke i thënë dëshmitarit se a e dinte që Çeku ka thënë që do ia linte politikën Qeverisë së udhëhequr nga Thaçi.

“A e dini ju se ia ka thënë që do të luftonte deri sa t’i dëbonte forcat e Sllobodan Millosheviqit nga Kosova dhe do ia linte politikën Qeverisë që udhëhiqte Hashim Thaçi?”, pyeti Halling.

Më pas, dëshmitari thotë sërish që Agim Çeku nuk e pranon që është pjesë e Qeverisë kështu duke i dhënë interpretim deklaratës së Çekut.

“Po këtë thotë, por nuk thotë që jam pjesë e Qeverisë. Mbase, nuk e kuptova mirë pyetjen tuaj dhe ju kërkoj ndjesë për këtë. Në fjali thuhet: Unë jam ushtar profesionist, kam një rol tjetër dhe politikën ia lë Qeverisë sonë që drejtohet nga Hashim Thaçi. Kjo përputhet me atë që kam thënë në dëshminë time kur thash që ata punonin si ekip se bashku; unë do bëjë punën time, ti do bësh punën tënde. Pra, Agim Çeku ka folur për aspektin ushtarak ndërsa zoti Thaçi ka mbuluar aspektin politik. Kështu ka qenë dinamika”, tha dëshmitari.

Por, për atë nëse e ka bërë këtë deklarim Agim Çeku- deklaratë që iu lexua dëshmitarit, ky i fundit tha se nuk ka dijeni.

Duncan qesh kur i shfaqet incizimi ku Thaçi tregonte pse emri i Çekut ishte zëvendësuar me të tij në Marrëveshjen e demilitarizimit

Gjatë dëshmisë së John Duncan në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, u shfaq një incizim i Hashim Thaçit i cili intervistohej nga hetuesit ndërkombëtarë lidhur me dokumentin e Marrëveshjes së demilitarizimit të UÇK-së. Në këtë video, dëgjohej Thaçi teksa thoshte se dokumenti ka qenë i destinuar që të nënshkruhet nga Agim Çeku.

“Dokumenti që ma prezantuat ka qenë për t’u nënshkruar nga Agim Çeku, ka qenë i diskutuar më herët dhe besoj që ai mund ta sqarojë atë rrethanë se pse është larguar në momentin e fundit nga nënshkrimi”, dëgjohet duke thënë Thaçi, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Ai tha se ndonëse është ndërruar emri i Çekut me të tij, shtoi se pozita “Komandant i Përgjithshëm” nuk u ndryshua.

“Në momentin e fundit është ndryshuar emri i tij me timin dhe kam mbetur. Por nuk është ndërruar Commander in Chef (Komandant i Përgjithshëm). Ka qenë rrëmujë dhe gjithçka është bërë shpejt e shpejt. Ka qenë dëshmitar edhe ndihmëssekretari i zonjës Albright, James Rubin”, thoshte Thaçi.

Teksa transmetohej incizimi i intervistimit të Thaçit, dëshmitari qeshte me zë. Ai pohoi se ajo se çka tha Thaçi qëndron.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat