Prokuroria Speciale e Kosovës ka dhënë detaje të reja lidhur me aksionet e sotme që ka zhvilluar Policia e Kosovës.
Media ka raportuar se që nga mëngjesi i hershëm sot janë zhvilluar aksione në qytetin e Pejës. Mediat tjera në vend kanë theksuar se janë arrestuar dy persona, babë e bir, për marrje me narkotikë.
Zëdhënësja e Prokurorisë Speciale, Arbonora Luta, për Klankosova.tv ka theksuar se aksionet janë zhvilluar në disa lokacione.
Ajo tha se këto aksione lidhen me dyshimet për trafikim me substanca narkotike, si dhe pastrimin e parave.
“Nën udhëheqjen e Prokurorisë Speciale, bazuar në urdhrin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Policia e Kosovës po zhvillon një operacion në disa lokacione. Operacioni lidhet me dyshimet për trafikim me substanca narkotike dhe veprat penale: pjesëmarrje ose organizim i grupit kriminal të organizuar; blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve; si dhe pastrimi i parave. Për detaje të tjera, publiku do të njoftohet pas përfundimit të operacionit policor,” ka thënë Luta.