Paraqiten në gjykatë shtatë të arrestuarit në operacionin “Qielli i thyer”

Aktuale

Paraqiten në gjykatë shtatë të arrestuarit në operacionin “Qielli i thyer”

Më: 25 shtator 2025 Në ora: 15:10
Foto ilustrim

Po mbahet seanca dëgjimore në Gjykatën Themelore në Prishtinë, pas kërkesës së Prokurorisë Speciale të Kosovës për caktimin e masës së paraburgimit, ndaj shtatë personave që u arrestuan gjatë ditës së djeshme në Prishtinë dhe Pejë, në kuadër të operacionit “Qielli i thyer”.

Të pandehurit dyshohen për veprat penale “pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar”, “blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve” si dhe pastrimi i parave.

Ata, dyshohet se kanë përdorur aplikacionin e njohur për komunikim të enkriptuar “SkyECC” për të organizuar aktivitetet e tyre kriminale.

Gjatë realizimit të urdhër kontrollit në këto lokacione është gjetur dhe sekuestruar sasi e konsiderueshme e provave materiale, dhe pasurive të specifikuara duke përfshirë 638 gramë substancë narkotike e dyshuar si kokainë, 11,065 euro para të gatshme, 34 automjete, shtatë armë zjarri, dokumente personale me identitet të rremë.

Operacioni është mbështetur nga një bashkëpunim i ngushtë ndërkombëtar, përmes shkëmbimit të të dhënave me autoritetet belge, franceze, holandeze dhe agjencinë evropiane Europol, duke siguruar koordinim të plotë ndërkufitar.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat