Del vendimi: Kushtetuesja e shpall të papërfunduar seancën konstituive të Kuvendit

Aktuale

Del vendimi: Kushtetuesja e shpall të papërfunduar seancën konstituive të Kuvendit

Më: 30 shtator 2025 Në ora: 15:53
Foto ilustrim, ndërtesa e Gjykatës Kushtetuese

Gjykata Kushtetuese ka nxjerrë vendim lidhur me çështjen e konstituimit të Kuvendit të Kosovës, duke konstatuar se seanca konstitutive nuk ka përfunduar si rezultat e moszgjedhjes së nënkryetarit nga radhët e pakicave serbe.

Vendimi i Kushtetueses: 

TË DEKLAROJË, kërkesën të pranueshme;

TË KONSTATOJË, që Seanca Konstituive e Kuvendit, e filluar me 15 prill 2025 nuk ka përfunduar si rezultat i moszgjedhjes së nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e deputetëve të komunitetit Serb, dhe Kuvendi nuk është konstituuar në pajtim me përcaktimet e paragrafit 1 të nenit 66 [Zgjedhja dhe Mandati] dhe paragrafët 1 dhe 4 të nenit 67 [Zgjedhja e Kryetarit dhe Nënkryetarëve] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës;

TË URDHËROJË, që Seanca Konstituive e Kuvendit të përfundojë brenda afatit të përcaktuar me paragrafin 1 të nenit 66 [Zgjedhja dhe Mandati] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe sipas Aktgjykimit të Gjykatës në rastet KO193/25 dhe KO196/25, përkatësisht brenda afatit të mbetur prej 12 (dymbëdhjetë) ditëve nga hyrja në fuqi e këtij Aktgjykimi;

TË URDHËROJË, të gjithë deputetët e zgjedhur të Kuvendit të Republikës së Kosovës, që në pajtim me nenin 4 [Forma e Qeverisjes dhe Ndarja e Pushtetit], nenin 7 [Vlerat], paragrafin 4 të nenit 67 [Zgjedhja e Kryetarit dhe Nënkryetarëve]  dhe nenin 74 [Ushtrimi i Funksionit] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, që gjatë procedurës së zgjedhjes së nënkryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës nga radhët e deputetëve të komunitetit Serb, të ushtrojnë funksionin e tyre kushtetues në interesin më të mirë të Republikës së Kosovës dhe në pajtim me Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit;

TË VAZHDOJË, masën e përkohshme, e cila ka hyrë në fuqi nga data 5  shtator 2025, deri në hyrjen në fuqi të këtij Aktgjykimi;

T’UA KUMTOJË këtë Aktgjykim palëve;

TA PUBLIKOJË këtë Aktgjykim në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës, në pajtim me paragrafin 4 të nenit 20 (Vendimet) të Ligjit Nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës;

TË KONSTATOJË që ky Aktgjykim hyn në fuqi në ditën e publikimit nga Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës dhe njoftimit të palëve, përveç pikës V të dispozitivit, e cila hyn në fuqi menjëherë.

Gjykata Kushtetuese më 5 shtator 2025 vendosi masë të përkohshme përmes së cilës ua ndaloi deputetëve të ndërmarrin veprime si dhe ndalon zhvillimin e ndonjë procedure për formimin e Qeverisë së re të Kosovës. Masa u vendos në fuqi nga 5 shtatori deri më 30 shtator.

Në seancën e mbajtur më 26 gusht 2025, deputetët e Kuvendit të Kosovës zgjodhën Dimal Basha kryeparlamentar. Më pas, Albulena Haxhiu, Vlora Çitaku dhe Kujtim Shala u zgjodhën nënkryetarë të Kuvendit të Kosovës nga tri parititë më të mëdha shqiptare. Ndërkaq, Emilija Rexhepi është zgjedhur nënkryetare e Kuvendit nga pakicat joserbe. Votimi i nënkryetarëve nga radhët e pakicave nuk u bë në pako, por veçmas.

Por, konstituimi i Kuvendit ngeci tek pozita e nënkryetarit të Kuvendit nga pakicat serbe. Lista Serbe insistoi vetëm tek emri i Sllavko Simiqit, i cili nuk mori votat e mjaftueshme në tri tentime.

Më pas, kryetari Basha vazhdoi procesin me short. As kësaj radhe, deputetët e Listës Serbe nuk morën votat e mjaftueshme. Më së shumti vota nga pakica serbe, por që as kësaj radhe nuk ishin aq sa nevojiten, mori Nenad Rashiq, pro të cilit votuan 55 deputetë.

Pas kësaj, kryetari Basha e ndërpreu seancën për të vazhduar më 28 gusht. Nënkryetari nga pakica serbe dështoi të zgjedhet edhe në seancën e 28 gushtit.

Procesi për zgjedhjen e nënkryetarit nga komuniteti serb vazhdoi më 30 gusht sërish me short. As kësaj radhe, asnjëri kandidat nuk mori votat e mjaftueshme. Ndërkaq, kryetari Basha e mbylli seancën duke e konsideruar Kuvendin të konstituuar.

Po atë ditë (30 gusht), Lista Serbe njoftoi se është ankuar në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës kundër votimit ndaras për zgjedhjen e nënkryetarëve nga komunitetet pakicë gjatë seancës konstituive. E Kushtetuesja caktoi masën e përkohshme.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat