Kimete Berisha reagon pas rezultateve zgjedhore: Pushteti lokal në Kosovë funksionon si një hartë mafioze

Aktuale

Kimete Berisha reagon pas rezultateve zgjedhore: Pushteti lokal në Kosovë funksionon si një hartë mafioze

Nga: M.L. Më: 13 tetor 2025 Në ora: 11:28
Kimete Berisha

Publicistja Kimete Berisha ka reaguar ashpër lidhur me rezultatin e djeshëm të zgjedhjeve lokale dhe realitetin politik e institucional në Kosovë, duke e krahasuar gjendjen në komunat e vendit me strukturat mafioze të Sicilisë.

Në një postim me titull “Komunat: Coza Nostra!”, ajo thotë se “nën këtë qiell, asgjë e re nuk ka ndodhur”, pasi sipas saj, pushteti lokal në Kosovë është i kapur nga “mafiozët që zgjidhen me vota”.

Berisha ironizon faktin që, ndonëse shumë komuna nuk kanë kanalizim e dritë, ato “kanë kryetarë që i ndriçojnë rrugët e territ me reflektorët e xhipave të tyre”.

Sipas publicistes, pushteti lokal është bërë si një “hartë e ndarë mes komandantëve dhe familjeve të mëdha politike”, ku secili ruan territorin e vet si trofe lufte.

Postimi i plotë:

Komunat: Coza Nostra!

(Asgjë e re nën këtë qiell).

- Në Kosovë, mafia zgjidhet me vota.

- Komunat e Kosovës s’kanë kanalizim, por kanë mafiozë që i kanë pushtuar komunat e s’i lëshojnë karriget, sepse askush nuk ua kërkon.

- Çdo familje politike e ka nga një komunë, e secila e mbron si mbretërinë e vet private, dhe çuditërisht, votuesit preferojnë princeshat e tyre lokale në vend të çlirimit...nga zinxhiri i privilegjeve të tyre.

- Më mirë një mafioz i yti se sa një i huaj, ky është malli i votave.

- Në Kosovë, mafia zgjidhet me vota.

- Secili komandant i luftës e ka nga një komunë; secila familje e madhe politike e ka një “fshat të trashëguar” si pasuri familjare.

- Ashtu si në Siçili, territoret nuk diskutohen, vetëm administrohen nga brezi në brez.

- Njëri e ruan “kalanë” në lindje,

tjetri “liqenin” në jug,

tjetri “kodrën me minatorë” në veri,

e tjetri 'banjën' në perëndim...!

- Të gjithë e kanë nën “zap” ndonjë komunë, e në mes tyre qytetari endet pa kanalizim, pa dritë, por me kryetar...dhe me meritë.

- Çdo komunë, një familje.

- Si në Meksikë, ku kartelët kontrollojnë qytete; ndryshimi është vetëm produkti, ata kanë drogë, ne kemi tenderë.

- Në Bosnje, çdo kanton është mbretëri private.

- Në Shqipëri, çdo rreth ka mbretin e vet lokal.

- Por askund nuk ndodh me këtë normalitet poetik si në Kosovë, ku mafia zgjidhet me vota.

- Qytetarët nuk janë të lumtur në asnjërën komunë mbretërore, por nuk heqin dorë nga mafiozët e tyre, sepse më mirë një mafioz i joti, se sa një i huaj.

- I huaji i joti s’bëhet.

(Mafiozi im është më i mirë se i joti.)

- Asgjë nuk ka ndryshuar!

Kosova nuk është çliruar nga mafia komunale, që blejnë vota, bashkë me

njerëz.

- Ku e sheh ti këtu ndryshimin?

Ku është ndryshimi?

- Familjet e mëdha politike e kanë ruajtur territorin siç ruhet nderi:

me marrëveshje të heshtur xhentëlmenësh.

- Dihet kujt i takon Veriu.

- Dihet kujt i takon Jugu.

- Dihet kujt i takon Lindja.

- Dhe Perëndimi… i egër.

- Çdo komandant, çdo familje e madhe politike, ka më së paku një komunë që e mban si trofe lufte.

- Të gjitha komunat kanë diçka të përbashkët: mungesën e kanalizimit dhe tepricën e kryetarëve.

- Rrugë s’kanë, dritë s’kanë, pare s'kanë, jetojnë në mjerim e në vetmi, nga ndihmat humanitare të familjarëve të tyre në perëndim, por kanë kryetarë, dhe kryetarët i ndriçojnë rrugët e territ me reflektorët e xhipave të tyre.

- Psikologjia politike nuk e shpjegon dot:

si mund të jesh i palumtur, dhe prapë ta votosh trishtimin tënd?

- Është si një mazoizëm elektoral, ku lumturia matet me fatkeqësinë e tjetrit.

- Lumturia duhet të përfshijë patjetër edhe fatkeqësinë e armikut.

- Për disa, gëzimi vjen nga lajmi i keq për kundërshtarin mafioz, jo nga dritat e fikura në lagjen e vet.

- E Albin Kurti?

Ambasadorët kundër.

Opozitën kundër.

Gazetarët kundër.

Shqipërinë kundër.

Edhe të vetët kundër.

- Dhe megjithatë, asgjë dramatike nuk i ndodhi.

Është aty ku ka qenë.

-.I vetëm kundër të gjithëve.

- Nën këtë qiell, asgjë e re.

- Dhe, e njëjta dramë:

shqiptarët mbesin peng të strukturave mafioze; votojnë për të njohurin, për familjarin, për komandantin e vogël...

- Dhe kur natyra ua kujton se kanalizimi mungon, ata thjesht shikojnë dritat e kryetarit që kalojnë përmes errësirës...

dhe i durojnë.

P.S. Qytetarët votojnë.

Mafia buzëqesh.

Dritat fiken.

Kanalizimi rrjedh.

Dhe të gjithë e dinë se...kështu duhet.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat