“Thaçi ende rrezik për drejtësinë” – Gjykata Speciale refuzon lirimin nga paraburgimi

Aktuale

“Thaçi ende rrezik për drejtësinë” – Gjykata Speciale refuzon lirimin nga paraburgimi

Më: 14 tetor 2025 Në ora: 16:01

Hagë – Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë kanë vendosur të vazhdojnë edhe për dy muaj të tjerë masën e paraburgimit ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi, i cili po gjykohet bashkë me Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Vendimi është marrë më 10 tetor 2025 nga kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III.

Në arsyetimin e vendimit, trupi gjykues pranoi se mungojnë prova që Thaçi mund të arratiset në rast lirimi. Megjithatë, gjykata shprehu dyshime serioze se i akuzuari mund të pengojë procedurat gjyqësore dhe të ushtrojë ndikim apo presion ndaj dëshmitarëve dhe personave që konsiderohen kundërshtarë të ish-UÇK-së.

Sipas trupit gjykues, asnjë nga masat alternative nuk do të mund të zbusë mjaftueshëm këto rreziqe, ndaj paraburgimi u konsiderua i domosdoshëm dhe i arsyeshëm.

Procesi i mbrojtjes

Faza e paraqitjes së provave nga mbrojtja nisi më 15 shtator 2025, ku dëshmuan personalitete ndërkombëtare si ish-ndihmësi i Sekretarit Amerikan të Shtetit James Rubin, ish-këshilltari ligjor i delegacionit shqiptar në Rambuje Paul Williams, si dhe ish-këshilltari politik i komandantit të NATO-s, John Stewart Duncan.

Më pas, më 30 shtator, dëshmoi James Peter Covey, ish-zëvendës i përfaqësuesit të OKB-së në Kosovë, Bernard Kouchner.

DhSK ka caktuar 14 nëntorin 2025 si datë për përfundimin e fazës së mbrojtjes, ndërsa 22 dhjetori 2025 është afati për paraqitjen e parashtresave përfundimtare dhe deklaratave mbi ndikimin e krimeve të pretenduara tek viktimat.

Faza e mëparshme e procesit

Prokuroria kishte përfunduar paraqitjen e provave më 15 prill 2025, ndërsa më herët mbrojtja kishte kërkuar rrëzimin e disa akuzave që lidhen me periudhën para majit 1998 dhe pas 20 qershorit 1999.

Kjo kërkesë u refuzua nga gjykata më 16 korrik 2025, me arsyetimin se trupi gjykues nuk ka kompetencë të rrëzojë akuzat për shkaqe kohore. Po atë ditë, mbrojtja e viktimave paraqiti provat e veta me dy dëshmitare eksperte.

Sfondi

Aktakuza e konfirmuar ndaj Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit përmban dhjetë pika për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, përfshirë pretendime për krime në Gjilan, Budakovë dhe Semetishtë.

Të katër të akuzuarit janë deklaruar të pafajshëm në paraqitjet e tyre të para në nëntor 2020.
Protesta masive në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së u mbajt në Hagë më 14 shtator 2025, me pjesëmarrje nga mbarë trojet shqiptare dhe diaspora.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat