Në prag të 21 tetorit 2025, Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara do të mblidhet për takimin e dytë të rregullt të këtij viti mbi situatën në Kosovë, duke u fokusuar te zhvillimet politike dhe sigurore në rajon.
Kjo seancë, e planifikuar nën kryesinë e Federatës Ruse, pritet të hedhë dritë mbi raportin e fundit të Sekretarit të Përgjithshëm António Guterres (S/2025/634), i shpërndarë më 10 tetor dhe që mbulon periudhën nga 16 marsi deri më 15 shtator 2025.
Në një dokument që sigurojë Bota sot, nga margjinat e OKB-së, në Nju Jork, thuhet se: "Me tensione të vazhdueshme mes Prishtinës dhe Beogradit, ky takim nuk është thjesht një formalitet. Porse ky takim thotë dokumenti mund të jetë një pikë kthese për dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian, duke pyetur: A mund të çojë një raport i tillë drejt një rishikimi strategjik të Misionit të Përkohshëm Administrativ të OKB-së në Kosovë (UNMIK), apo do të thellojë ndasitë mes anëtarëve të Këshillit?
Megjithatë, në qendër të briefingut do të jetë Milbert Dongjoon Shin, Zëvendës Përfaqësues Special i Sekretarit të Përgjithshëm dhe Përgjegjës i Përkohshëm i UNMIK-ut.
Si një diplomat me mbi 30 vjet përvojë në paqe dhe siguri ndërkombëtare, Shin – i cili vjen nga Shtetet e Bashkuara, dhe, ka shërbyer më parë si Këshilltar Ligjor në UNMIK, Shef i Çështjeve Politike në misionin e OKB-së në Liberi (UNMIL), dhe bashkëpunëtor me Departamentin e Shtetit amerikan duket se sjell një perspektivë transatlantike në rolin e tij.
Ai është emëruar në korrik 2024 nga Guterres.
Shin, nuk është një figurë e panjohur për rajonin; origjina e tij amerikane, e cila reflekton mbështetjen e fortë të Uashingtonit për pavarësinë e Kosovës që nga 2008, mund të ndikojë në tonin e raportit, duke theksuar nevojën për stabilitet dhe mbrojtjen e komuniteteve jomajoritare, thanë burime diplomatike për Bota sot.
Por, çfarë do të thotë kjo për dialogun?
Si një zyrtar që ka punuar në terrene të trazuara si Sudani i Jugut, Shin pritet të nxjerrë në pah zhvillimet kryesore: mbylljen e pikave të doganave në veri të Kosovës, arrestimet e zyrtarëve serbë si Milan Popoviq, dhe mungesën e përparimit në zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit të shkurtit 2023 për normalizimin e marrëdhënieve.
Një aspekt kyç që mund ta pasurojë briefingun është vizita e fundit e Shin në Beograd, e përfunduar pak para takimit të Këshillit. Gjatë kësaj vizite, Shin zhvilloi një seri takimesh të nivelit të lartë me zyrtarë serbë, duke diskutuar shqetësimet për tensionet kufitare dhe nevojën për dialog të mirëbesimit.
Këto konsultime nuk janë rastësore; ato duket se kanë lënë gjurmë të drejtpërdrejta në raportin e Guterres, i cili thekson se tensionet mes Beogradit dhe Prishtinës kanë vazhduar, me arrestime si ajo e Popoviq-it që kanë çuar në pezullimin e dialogut nga ana serbe.
Për shembull, raporti vë në dukje se dy takimet trilaterale në Bruksel më 9 qershor dhe 11 shtator të lehtësuara nga Përfaqësuesi Special i BE-së Peter Sørensen me negociatorët Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq – nuk sollën rezultate të dukshme, kryesisht për shkak të divergjencave mbi zbatimin e marrëveshjeve të mëparshme, përfshirë Deklaratën e Majit 2023 për Personat e Zhdukur.
Vizita e Shin në Beograd, si një “urë e heshtur” diplomatike, mund të ketë kontribuar në këtë analizë, duke mbledhur zëra nga pala serbe për ndikimin në jetën e përditshme të komuniteteve serbe në Kosovë.
Por, si mund të ndikojë në një sfond amerikan në këto diskutime, duke e balancuar thirrjen për normalizim me interesat gjeopolitike?
Raporti i Guterres do të nxjerr në pah edhe zhvillime të tjera, si zgjedhjet lokale të 12 tetorit në Kosovë, ku Srpska Lista fitoi nëntë bashki serbe, por me pjesëmarrje të ulët që çoi në balotazhe më 9 nëntor.
Megjithatë, mungesa e përparimit në themelimin e Komisionit të Përbashkët për Personat e Zhdukur i parashikuar për dhjetor 2024 mbetet një pengesë e madhe.
Shin pritet të bëjë thirrje për angazhim të sinqertë mes palëve, duke theksuar se normalizimi nuk është opsion, por domosdoshmëri për stabilitetin rajonal.
Në Këshillin e Sigurimit, pritshmëritë janë të larta.
Disa anëtarë, si SHBA dhe aleatët evropianë, kanë kërkuar një rishikim strategjik të UNMIK-ut që nga themelimi i tij në 1999, duke argumentuar se situata ka ndryshuar ndjeshëm. Nga ana tjetër, Rusia pritet të kundërshtojë çdo modifikim në mandat, staf apo buxhet të misionit, duke e parë atë si një mjet për të mbrojtur interesat serbe. Ky ndarje mund të kthejë takimin në një arenë politike, ku pyetja kryesore mbetet: A do të dëgjohet zëri i komuniteteve lokale mbi interesat e mëdha?
Në fund të fundit, ky takim mund të jetë një mundësi për të rimenduar rolin e UNMIK-ut në një Kosovë që po ecën drejt integrimit evropian. Me vizitat si ajo e Shin në Beograd që formësojnë raportin, dhe me një sfond si i tij që sjell një këndvështrim global, pyetja që na mbetet është: Çfarë lloj normalizimi po synojmë një paqe të brishtë apo një bashkëjetesë të qëndrueshme?
Takimi i nesërm mund të na japë përgjigje, ose të hapë debate të reja.
Burime diplomatike nga Kombet e Bashkuara në Nju Jork, na thanë se në këtë seancë, e cila do të fillojë në orën 16, sipas kohës së Evropës Qendrore(10 paradite me Nju Jorkun), Kosovën, do ta përfasqësojë ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ndërsa, Serbinë pritet ta përfaqësojë homologu i Gërvallës, Marko Gjuriq.