Eugen Cakolli nga KDI ka deklaruar se aktualisht nuk ka bazë ligjore për të thirrur seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit. Ai ka sqaruar se pas dështimit të votimit për qeverinë, duhet që Presidentja fillimisht të zhvillojë konsultime me partitë dhe të vendosë nëse do të japë mandatin e dytë.
Sipas Cakollit, pa dekret për mandatarin e ri, Kuvendi nuk mund të mblidhet për asnjë votim, përfshirë edhe atë të qeverisë apo të ligjit për buxhetin. Ai shtoi se nënshkrimet që po përmenden nuk kanë efekt juridik jashtë procesit të konsultimeve dhe se për të dëshmuar shumicën duhen 61 nënshkrime të verifikuara, jo vetëm 40 për thirrje të seancës.
Shkrimi në Facebook:
Jo, nuk mund të thirret seancë e jashtëzakonshme tani për tani!
Pas dështimit të pardjeshëm të votimit për qeverinë, së pari duhet të zhvillohen konsultimet nga Presidentja me partitë dhe të vendoset se kujt dhe NËSE do të jepet mandatari i dytë. Derisa të përfundojë kjo procedurë dhe të ketë dekret për mandatarin, Kuvendi nuk ka bazë dhe rrethana për t’u mbledhur për çfarëdo votimi, përfshirë atë të qeverisë.
Nënshkrimet që po përmenden nuk kanë efekt juridik jashtë procesit të konsultimeve. Ato mund të shërbejnë vetëm si provë gjatë bisedimeve me Presidenten, në kuadër të "kritereve mbizotëruese". Për më tepër, mes tjerash (por jo vetëm) për të dëshmuar shumicën nevojiten 61 nënshkrime të verifikuara, jo vetëm 40 sosh për thirrje të seancës.
Ngjashëm, seanca e jashtëzakonshme nuk mund të thirret as për ligjin për buxhetin. Detyra e parë dhe e patejkalueshme e Kuvendit pas zgjedhjeve është zgjedhja e Qeverisë, jo miratimi i ligjeve. Mbi të gjitha, vetëm një Qeveri e kësaj legjislature mund të propozojë projektligj për buxhetin.