Siria njeh Kosovën, vijnë urimet e para, nga presidenca paralajmërojnë edhe…

Aktuale

Siria njeh Kosovën, vijnë urimet e para, nga presidenca paralajmërojnë edhe…

Më: 29 tetor 2025 Në ora: 17:08 Përditësuar në ora: 20:16 më 29.10.2025
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë takimit në Riad me Princin e Kurorës së Arabisë Saudite, Muhammed bin Salman Al Saud, dhe përfaqësuesin e Sirisë, Presidentin Al Sharaa, pas marrëveshjes historike për njohjen e Republikës së Kosovës nga Siria.

“Rrini në linjë”, këshilltari i Osmanit paralajmëron njohje të reja me një foto nga Siria

Bekim Kupina, këshilltar për media i presidentes Osmani, ka paralajmëruar njohje të reja pak orë pasi u bë zyrtare njohja e Republikës së Kosovës nga Siria.

Kupina krahas një foto të përbashkët me presidenten dhe stafin, nga Siria tha se njohja prej 120 shtetesh nuk mbetet me kaq.

“Rrini në linjë”, ka shkruar ai, gjithashtu ka vlerësuar punën e Osmanit për njohjen e sotme nga Siria.

Postimi i plotë:

Gëzimi që nuk ka nevojë për fjalë, pas njohjes nga Angazhimi dhe shkathtësia e Presidentes Vjosa Osmani, rrumbullakësoi 120-in. Por, ky numër nuk ndalet me kaq. Rrini në linjë...

Njohja e Kosovës nga Siria, Spiropali uron presidenten Osmani: Kosova po fiton vendin e merituar në familjen e madhe të kombeve

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, ka reaguar në platformën X pas lajmit se Republika Arabe e Sirisë ka njohur zyrtarisht pavarësinë dhe sovranitetin e Republikës së Kosovës.

Në reagimin e saj, Spiropali e ka cilësuar vendimin e Sirisë si një zhvillim të rëndësishëm diplomatik që forcon pozitën ndërkombëtare të Kosovës dhe përpjekjet e saj për ndërtimin e një shteti demokratik e të zhvilluar.

“Urime Kosovës për lajmin e mirë të njohjes së shtetit nga ana e Republikës Arabe të Sirisë. Kosova po përparon në rrugën e forcimit të subjektivitetit të saj ndërkombëtar, falë përpjekjeve të popullit dhe institucioneve të saj, si edhe mbështetjes së miqve e partnerëve që kanë ndihmuar procesin e saj të njohjes dhe shtetndërtimit,” shkroi Spiropali.

Ministrja shprehu gjithashtu mirënjohje për Princin e Kurorës së Arabisë Saudite, Mohammed bin Salman Al Saud, për rolin dhe mbështetjen e dhënë në arritjen e kësaj njohjeje.

“Falënderime me këtë rast edhe për Lartësinë e tij Mbretërore, Princin e Kurorës së Arabisë Saudite, Mohammed bin Salman Al Saud, për mbështetjen e dhënë në kurorëzimin e kësaj njohjeje,” – theksoi ajo.

Në përfundim, Spiropali shprehu bindjen se ky zhvillim do të pasohet nga njohje të tjera të reja për Kosovën.

“Jam e bindur se njohje pas njohjeje, Republika e Kosovës do të sigurojë vendin e saj të merituar në familjen e madhe të kombeve. Edhe njëherë, urime Kosovë!”

Presidenti Bajram Begaj përshëndet njohjen e Kosovës nga Siria: Mbështetje për paqen dhe stabilitetin në Ballkan

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, ka reaguar pas lajmit se Republika Arabe e Sirisë ka njohur zyrtarisht pavarësinë dhe sovranitetin e Republikës së Kosovës.

Në një postim publik, Kreu i Shtetit e cilësoi këtë vendim si një hap të rëndësishëm në drejtim të forcimit të pozitës ndërkombëtare të Kosovës dhe konsolidimit të paqes në rajon.

“Republika Arabe e Sirisë njohu sot zyrtarisht pavarësinë dhe sovranitetin e Republikës së Kosovës. Me këtë vendim, Siria mbështeti shtetin e Kosovës dhe paqen e stabilitetin në Ballkan,” shkruan Begaj.

Presidenti shprehu mirënjohje ndaj të gjithë atyre që, sipas tij, kontribuan në arritjen e këtij momenti historik për shtetin më të ri në Europë.

“Faleminderit të gjithë atyre që e mundësuan këtë njohje!” përfundon reagimi i Presidentit Begaj.

Siria njeh Republikën e Kosovës!

Republika Arabe e Sirisë ka njohur zyrtarisht Republikën e Kosovës. Lajmin e ka bërë të ditur Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, përmes një njoftimi publik, duke e cilësuar këtë si një akt historik që pasqyron sakrificën dhe qëndrueshmërinë e popullit të Kosovës për liri dhe sovranitet.

“Me mbështetjen e Lartësisë së tij Mbretërore, Princit të Kurorës së Arabisë Saudite, Muhammed bin Salman Al Saud, sot në Riad arritëm marrëveshjen përmes së cilës Republika Arabe e Sirisë njeh Republikën e Kosovës. Falënderoj Presidentin Al Sharaa për vendimin për njohje të Kosovës dhe për mbështetjen e tij për popullin tonë,” ka shkruar Presidentja Osmani.

Ajo ka theksuar se populli i Kosovës dhe ai i Sirisë kanë vuajtur e sakrifikuar shumë për të arritur lirinë, prandaj kjo njohje është edhe një simbol i respektit të ndërsjellë mes dy kombeve.

“Falënderoj Princin e Kurorës së Mbretërisë së Arabisë Saudite që e bëri të mundshme këtë akt historik ndërmjet dy shteteve tona,” ka shtuar Osmani.

Me këtë vendim, Kosova njihet tashmë nga 120 shtete të botës. “Republika jonë po ecën përpara dhe nuk ka asgjë që mund ta ndalë,” ka përfunduar Presidentja.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat