Vrasja e dy vëllezërve në Malishevë, Prokuroria konfirmon: I dyshuari kishte aktakuzë për dhunë në familje

Aktuale

Vrasja e dy vëllezërve në Malishevë, Prokuroria konfirmon: I dyshuari kishte aktakuzë për dhunë në familje

Më: 6 nëntor 2025 Në ora: 15:37
Foto arkiv/ Prokuroria Themelore në Prishtinë

Një vrasje e dyfishtë ka ndodhur sot në fshatin Golluboc të Malishevës. I dyshuari për këtë ngjarje është dhëndri i viktimave.

Sipas informacioneve të para, pas kryerjes së krimit, ai është larguar nga vendi i ngjarjes.

Personi i dyshuar, me inicialet A.I, aktualisht është në kërkim nga Policia.

Mësohet se ai ka pasur edhe më parë probleme me ligjin, ndaj të cilit Prokuroria në Prishtinë kishte ngritur aktakuzë ndaj tij për veprat penale "Dhunë në familje", dhe "Kanosje".

"Lidhur me pyetjen tuaj ju njoftojmë se prokurori i shtetit ndaj personit te dyshuar A.I., më datë 06.04.2025, është paraqitur kërkesa për caktimin e masës se paraburgimit, e cila po të njëjtit iu është caktuar nga gjykata kompetente. Po ashtu me datë 07.04.2025, Prokuroria Themelore ne Prishtine, ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit A.I., për veprat penale “Dhunë ne familje” sipas nenit 248 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, dhe “Kanosje” në bazë të nenit 181 të KPRK-së", ka konfirmuar Kaltrina Shala, zëdhënëse e Prokurorisë Themelore në Prishtinë.

Ndryshe, policia më herët ka konfirmuar se vrasja e dyfishtë ka ndodhur rreth orës 11:00, ku i dyshuari pas krimit ka ikur nga vendi i ngjarjes.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat