Kurti voton në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale: “Është ditë e mirë për demokracinë dhe vullnetin e lirë”

Aktuale

Kurti voton në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale: “Është ditë e mirë për demokracinë dhe vullnetin e lirë”

Më: 9 nëntor 2025 Në ora: 10:52
Kryeministri Albin Kurti duke votuar në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës, në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka ushtruar të drejtën e votës në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale, që po mbahen sot në 18 komuna të vendit. Ai votoi në ndërtesën e Fakultetit Juridik të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”.

Në një postim në Facebook, Kurti e ka cilësuar ditën e sotme si një ditë të mirë për demokracinë dhe vullnetin e lirë, duke ftuar qytetarët që të marrin pjesë në votime dhe të jenë pjesëmarrës në vendimmarrjen për kryetarët e komunave në katërvjeçarin e ardhshëm.

“U bëj thirrje të gjithë qytetarëve me të drejtë vote që ta shfrytëzojnë rastin dhe të bëhen pjesëmarrës e vendimmarrës për kryetarët e komunave, dhe kësisoj për katërvjeçarin në vijim për ata si banorë të komunave të Republikës,” ka shkruar Kurti.

Ai shtoi se Komisioni Qendror Zgjedhor i ka bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme, ndërsa komisionerët dhe vëzhguesit tashmë ndodhen në qendrat e votimit.

“Gjithçka do të shkojë mbarë e mirë,” përfundoi Kurti, duke uruar suksese dhe një proces të qetë zgjedhor.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat