LIVE: Hill rrëfen për strukturat e UÇK-së dhe raportet me Demaçin

Aktuale

LIVE: Hill rrëfen për strukturat e UÇK-së dhe raportet me Demaçin

Më: 12 nëntor 2025 Në ora: 07:41 Përditësuar në ora: 10:26 më 12.11.2025
Christopher Hill gjatë paraqitjes para Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë.

Hill: S’kam dëgjuar që drejtoria politike ishte pjesë e shtabit të përgjithshëm

Christopher Hill tha se s’kishte dëgjuar që drejtoria politike ishte pjesë e shtabit të përgjithshëm të UÇK-së apo “që drejtonte ndonjë gjë”.

“Supozimi ynë ishte që shtabi i përgjithshëm ishte më shumë organ ushtarak dhe përbëhej nga komandantë lokalë që ishin bashkuar në një moment dhe drejtoria politike ishte më shumë organi që merrej me botën e jashtme”, tha ai.

Sipas tij, personat brenda drejtorisë politike po tentonin të konsolidonin pozicionin e tyre, por nuk kishte një strukturë komanduese.

“Ideja që drejtoria kishte ndonjë rol brenda shtabit ishte diçka që personat brenda drejtorisë, përfshirë Demaçin ishte përpjekje për të treguar se ne jemi përgjegjës”, tha ai.

"Dhe fakti që s’mund të gjenim një person që fliste në emër të të tjerëve, i konfirmoi dyshimet tona".

Ai tha se shkoi në Shqipëri për t’u takuar me Xhavit Halitin pasi disa persona në Qeverinë amerikane besonin se ai ishte personi përgjegjës, duke shtuar se edhe udhëtimet brenda Kosovës u bënë me qëllim që të gjendej personi që mund të fliste në emër të UÇK-së.

Hill: S’e dinim kush i lëshonte komunikatat e UÇK-së

Hill tha se nuk e dinte se kush lëshonte komunikatat e UÇK-së, ku përmendeshin edhe emra të udhëheqësve, andaj tha se nuk e dinte nëse kjo organizatë kishte një strukturë.

“Nuk mund t’i përdornim komunikatat për të përcaktuar një strukturë bazë hierarkike”, tha ai.

Ai u pyet për drejtorinë politike të UÇK-së dhe tha se Hill kishte mësuar se Thaçi ishte pjesë e këtij organi, por nuk e dinte se kush tjetër ishte pjesë e saj.

“Kishte shumë persona, që nuk ishin në Qeveri, apo në agjenci të tjera amerikane që përpiqeshin të mësonin se kush e udhëhiqte UÇK. Kur dilnin emra të rinj, ne interesoheshim. Një prej këtyre emrave ishte drejtori publik. Por ne duhej ta komunikonim këtë person”, tha ai.

Trupi gjykues e pyet Hillin se kush ishte përgjegjës në UÇK

Trupi gjykues pyetin Christopher Hillin se kush ishte përgjegjës në UÇK. Ai tha se ky ishte problemi, pasi amerikanët nuk gjenin një pikë kontakti të konfirmuar për të cilin mund të komunikonin për të ardhmen.

"Adem Demaçi fliste për rolin e tij në UÇK, por askush nuk na e konfirmoi këtë", tha Hill.

"Problemi ynë ishte që nuk kishim një pikë kontakti me të cilin mund të komunikonim për të ardhmen. Pavarësia e Kosovës ishte më shumë slogan. Të gjithë thoshin ky ishte qëllimi", shtoi ai.

 

Hill vazhdon edhe sot dëshminë e tij në Hagë

I dërguari i posaçëm i SHBA gjatë kohës së luftës në Kosovë, Christopher Hill do të vazhdojë sot dëshminë e tij në seancën gjyqësore ndaj ish krerëve të UÇK-së para Dhomave të Specializuara në Hagë.

Hill filloi dëshminë e tij para dy ditësh ku tregoi se si kishte nisur të mirrej me çështjen e Kosovës. Ai tha se kjo ishte kërkesë e ish sekretares amerikane, Madeline Albright që ia bëri atij në atë kohë.

"Së pari jam përfshirë [në çështjen e Kosovës] nga SHBA në maj të vitit 1998, mora telefonatë nga Madeline Albright që më kërkoi të merrja përsipër postin e të dërguarit të posaçëm në Kosovë, ku i raportoja sekretares së shtetit, Madeline Albright. E kuptova rolin tim që ne duhet të ofronim mbështetje dhe zgjidhje politike dhe duhet të ndihmonim të zbrasnim forcat atje nga dhuna në rritje, jam përpjekur me kolegët që në fillim fare të mund të ndërtonim një plan autonomie në mënyrë që të rikthehej autonomia e Kosovës dhe në mënyrë të tillë që të kishte qeverisjen e vet. Kjo ishte pista kryesore që ndiqnim me Kosovën dhe Serbinë", tha fillimisht ai.

Përveç kësaj, Hill sqaroi edhe takimin e ish-presidentit, Ibrahim Rugova me Millosheviqin duke thënë se ky takim ishte kërkesë e ambasadorit, Holbrooke.

"Kjo ishte hera e parë kur ambasadori Holbrooke shkoi në Prishtinë unë shkova me të dhe ne u ulëm me Presidentin Rugova, edhe pse nuk e kishim menduar paraprakisht, ambasadori mendoi që do ishte ide e mirë që Presidenti Rugova të takohej me Millosheviqin në Beograd sepse shpresonte që ky takim do të zgjidhte shumë probleme, unë isha më skeptik. Takimi ndodhi në Beograd në fund të majit apo fillim të qershorit. Mendoj që kjo e dëmtoi atë sepse nuk mendoi që kishte mendim të fuqishëm në Kosovë se takimi me Millosheviqin mund të ndihmonte për situatën në Kosovë, ai ishte i shqetësuar por nuk donte të gjendej në situatën ku refuzonte sugjerim nga ambasadori. Rugova ishte udhëheqësi joformal i gjithë Kosovës dhe mendoi që kundërshtimi ndaj tij po rritej sepse kishte përshtypje që ai nuk po arrinte progres. Ai po kalonte një moment të vështirë për të legjitimuar udhëheqjen e tij dhe ndjenja e arritjes së diçkaje në raport me Serbinë, sepse Bosnja kishte rrugë-dalje falë marrëveshjes së Deytonit", tha Hill.

Tutje, Hill kujtoi edhe takimin e tij të parë me ish-presidentin, Hashim Thaçi dhe përshtypjet e para që ia dha ai gjatë këtij takimi.

Hill thotë se pas takimit me Thaçin, ai kishte përshtypjen se Thaçi ishte më i përshatshëm për ambient universitar sesa atë ushtarak.

Diplomati amerikan shtoi se nga takimi me Thaçin ai nuk e kishte përshtypjen se Thaçi e udhëhiqte dhe kishte nën kontroll UÇK-në.

“Më kujtohet takimi i parë (me Thaçin), por nuk më kujtohet sepse kam thënë që kemi qenë të ulur për tokë, sepse më kujtohet që kemi qenë të ulur në disa stola, dhe më kujtohet që ata erdhën me armë në duar dhe më kujtohet që unë i thash që ‘ne nuk ndihemi rehat të negociojmë me persona që kanë armë në duar’, dhe më pas iu kërkova që armët t’i mbajnë jashtë shtëpisë. Ai fliste butë, në mënyrë të mendueshme dhe më kujtohet përshtypja që ai ishte më tepër i përshtatshëm për një ambient universitar sesa për një mjedis ushtarak. Ishte në mesin e tre personave që erdhën, por nuk e kisha përshtypjen që ai ishte në kontroll (të UÇK-së).”, tha Hill.

Hill vazhdon dëshminë e tij sot nga ora 09:00.

Kujtojmë se Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit ndodhen në paraburgim prej nëntorit të vitit 2020, akuzohen për krime të pretenduara të luftës për çka janë deklaruar të pafajshëm.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat