PDK bojkoton seancën e orës 11, Behrami: Seanca është antikushtetuese
Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka njoftuar se nuk do të marrë pjesë në seancën e Kuvendit të thirrur për orën 11:00. Deputeti i PDK-së, Artan Behrami, e ka cilësuar këtë seancë si të paligjshme dhe një përpjekje për të cenuar rendin kushtetues të vendit.
“Seanca e orës 11:00 është një seancë me përbajtje antiligjore, antikushtetuese dhe me përpjekje për të përmbysur rendin kushtetues të Republikës së Kosovës”, tha Behrami.
Ai theksoi se qendrimi i partisë është i qartë dhe se seanca është një tentativë për të kontrolluar institucionet:
“Tash një vit Albin Kurti, i cili i ka okupuar institucionet e Kosovës, ka okupuar zyrën e Kryeministrit, ka okupuar të gjitha institucionet me të cilat operon me ushtrues të detyrës, po mundohet dhe po bën gjithçka që të përmbys rendin kushtetues. Në këtë vit ai është ridëshmu si një njeri që bën hile, një hileqar që nuk respekton rregulla, nuk respekton ligje, nuk respekton norma, nuk respekton kushtetutën dhe nuk respekton madje as besën”, tha Behrami.
Behrami konkludoi se PDK nuk do të marrë pjesë në seancë: “Kështu që qëndrimi i Partisë Demokratike të Kosovës është i qartë, ne nuk do të jemi të pranishëm në këtë seancë, e cila ka përmbajtje antikushtetuese”.
LDK nuk merr pjesë në seancën e orës 11:00, Zemaj: Sot do t’iu vijë fundi manovrave të LVV
Armend Zemaj nga Lidhja Demokratike e Kosovës sot në një konferencë për media ka bërë të ditur se kjo parti nuk do të merr pjesë në seancën e orës 11:00.
Zemaj para gazetarëve theksoi se kjo që po ndodh nuk është asgjë tjetër vetëm se mënyra e funksionimit të LVV-së.
“...Sot po provohet treni i fundit, një seancë jo legjitime, jo logjike, jo logjike dhe në kundërshtim me me rendin kushtetues dhe praktikën parlamentare, vetëm që Lëvizja Vetëvendosje dhe Albin Kurti të zhveshët nga përgjegjësia e dështimit..”, tha ai.
Ai tha se po të kishin vullnet për krijimin e shumicës parlamentare konsultime do të ishin bërë me kohë.
“LDK do të marr pjesë vetëm në seancën e orës 14:00, për çështjen e mandatarit”, tha ai.
“Sot besojmë që në ora 14:00 manovrave të Lëvizjes Vetëvendosje do t’iu vijë fundi”, tha ai.
Murati: Kosova humb mbi 200 milionë euro, nëse s’i ratifikojmë marrëveshjet ndërkombëtare
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Hekuran Murati, bëri thirrje që të votohen marrëveshjet ndërkombëtare.
Ai shkroi në Facebook se, nëse Kuvendi sot nuk arrin t’i ratifikojë marrëveshjet ndërkombëtare, “atëherë mbi 200 milionë euro humbin pakthyeshëm: 88 milionë nga plani i rritjes i BE-së, dhe mbi 120 milionë euro nga tri marrëveshjet me Bankën Botërore”.
Për ratifikim të marrëveshjeve ndërkombëtare nevojiten 80 vota.
Sa për dijeni, Lëvizja Vetëvendosje ka 48 deputetë dhe në mungesë të partive të tjera shqiptare, si PDK, LDK, AAK dhe Nisma, atëherë Vetëvendosje nuk do t’i ketë votat për t’i kaluar këto marrëveshje.
Çitaku: PDK nuk do të jetë pjesë e një seance të paligjshme
Sekretarja e Përgjithshme e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku ka njoftuar se PDK nuk do të marrë pjesë në seancën e jashtëzakonshme e cila pritet të fillojë nga ora 11:00.
Ajo në një konferencë për media tha PDK është për mbrojtjen e rendit kushtetues dhe institucionet e Republikës së Kosovës.
“PDK nuk do të jetë pjesë e një seance të paligjshme. Nuk do të bëhemi fasadë për mbulimin e dështimeve të të tjerëve. Sepse kjo seancë nuk është thirrur për qytetarët. Nuk është thirrur për ligjet. As për komisionet. Kjo seancë është thirrur për t’i shpëtuar fajit, fajit të një pushteti që për 10 muaj rresht ka refuzuar të marrë vendime, të ndërtojë dialog, të krijojë shumicë dhe të formojë qeveri. Thirrjet për të shkelur ligjin nuk janë zgjidhje. As për vendin, as për Kuvendin, as për demokracinë tonë. Ato janë derë e hapur për kaos. Janë precedentë të rrezikshëm që dëmtojnë themelet e shtetit ligjor”, ka theksuar ajo.
Çitaku ka thënë se seanca e jashtëzakonshme për buxhetin e thirrur për në orën 11:00, është një skemë e radhës e Qeverisë në ikje siç tha ajo për të mbuluar krizën në të cilën po e fusin vendin, si dhe është e paligjshme dhe tërësisht në kundërshtim me rendin kushtetues të Republikës së Kosovës.
“Prej 10 muajsh, Kosova është mbajtur peng. Prej 10 muajsh, vendi është zhytur në bllokim institucional. Prej 10 muajsh, qytetarët tanë presin qeverinë e re, parlament funksional, komisione pune, e shtet normal. Fatkeqësisht, edhe pas 10 muajsh: asnjërën nuk e kemi. Rrjedhimisht, Republika e Kosovës ka humbur tërësisht vitin 2025. Kosova, qytetarët e Kosovës, nuk e kanë pasur këtë luks. Përkundrazi, ne kemi pasur nevojë për një vit dinamik dhe produktiv si asnjëherë më parë”, ka shtuar ajo.
Ajo ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje se ka zgjedhur ta përdorë fitoren “jo për të qeverisur, por për të zvarritur, për të manipuluar proceset dhe për të konsumuar çdo afat ligjor, në mënyrë që të shmangë përgjegjësinë që ka ndaj qytetarëve”.
“E përsëris: kjo seancë që do të mbahet pas pak minutash, është farsë. Është truk politik. Nuk është zgjidhje, është tentim për të mbuluar dështimin. Ajo që po shohim sot është e dukshme: Kur vjen puna për të formuar institucionet: zvarritje, pasiguri dhe manipulim afatesh nga LVV. Por kur vjen puna për t’i ikur përgjegjësisë: nxitim i çuditshëm, madje duke shkelur rendin kushtetues”, ka thënë Çitaku më tej.
Nuk ka Qeveri Konjufca? – Thaçi: Shihemi në zgjedhje
Deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Halil Thaçi thotë se vendi do të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare.
Pak para nisjes së seancës së jashtëzakonshme për buxhetin, Thaçi akuzoi ish-opozitën për këtë situatë.
“Me përgjegjësi të plotë, tashmë si kryetari i komunës së Obiliqit, shihemi në zgjedhje”, tha Thaçi.
Rexhepi: Unë do ta votoj si Buxhetin ashtu edhe Qeverinë
Nënkryetarja e Kuvendit, Emilja Rexhepi është deklaruar para nisjes së seancës së jashtëzakonshme për votimin e Buxhetit të vitit 2026.
Ajo thotë se si kjo seancë, ashtu edhe ajo pasuesja për Qeverinë e Kosovës, janë tejet të rëndësishme.
“Sot është një ditë shumë e rëndësishme për shtetin e Kosovës. Kemi dy seanca, njëra është ratifikimi i marrëveshjeve ndërkombëtare dhe buxheti. Shumë e rëndësishme për juve e gazetarët e RTK-së. Në ora 14:00 është seanca për Qeverinë e Kosovës”, tha Rexhepi.
Megjithatë, ajo nuk dha detaje nëse do të arrihet votimi i buxhetit 2026, por tha se ajo personalisht do ta votojë atë dhe mandatarin Glauk Konjufcën.
PDK mban konferencë për medie
Nënkryetarja e PDK-së Vlora Çitaku po mbanë konferencë, po po bën me dije se partia e saj nuk do të marr pjesë në seancën për buxhetin dhe komisionet parlamentare.
Kuvendi i Republikës së Kosovës pritet të mbajë sot dy seanca plenare, ku një nga pikat kryesore të rendit të ditës të seancë së parë, do të jetë edhe çështja e financimit të Radio Televizionit të Kosovës (RTK). Ndërsa në seancën e dytë pritet të votohet qeveria Konjufca. Partitë opozitare kanë reaguar pas thirrjes për dy seancat e kuvendit, duke thënë se nuk do të marrin pjesë në seancën e parë.Seanca e parë pritet të fillojë në orën 11:00, ndërsa e dyta për votimin e qeverisë në ora 14:00.
Në seancën e parë, përveç pikës për RTK-në, deputetët do të shqyrtojnë edhe themelimin e komisioneve legjislative, përfshirë ratifikime ndërkombëtare dhe projektligjin për buxhetin e vitit 2026. Rendi i plotë i ditës është si vijon:
Formimi i komisioneve parlamentare:
Shqyrtimi i Projektligjit nr. 09/L-002 për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Republikës së Kosovës dhe BE-së për zbatimin e përkrahjes së Unionit për Kosovën në kuadër të instrumentit për reforma dhe rritje;
Shqyrtimi i Projektligjit nr. 09/L-003 për ratifikimin e marrëveshjes së financimit për Programin e parë për “Financimin e Politikave Zhvillimore për Efektivitetin Fiskal, Konkurrueshmërinë dhe Rritjen e Gjelbër”;
Shqyrtimi i Projektligjit nr. 09/L-004 për ratifikimin e marrëveshjes së kredisë për “Instrumentin për Reforma dhe Rritje për Ballkanin Perëndimor”;
Shqyrtimi i Projektligjit nr. 09/L-005 për ratifikimin e marrëveshjes së kredisë për projektin “Kompas” – forcimi gjithëpërfshirës i sistemit të shëndetësisë;
Shqyrtimi i Projektligjit nr. 09/L-006 për ratifikimin e marrëveshjes së kredisë për projektin “Edukimi në fëmijërinë e hershme dhe kujdesi për kapitalin njerëzor të Kosovës”;
Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr. 09/L-001 mbi ndarjet buxhetore për vitin 2026;
Miratimi i buxhetit për komunat: Prishtinë, Gjilan dhe Zubin Potok;
Çështja e financimit të RTK-së;
Partitë opozitare kanë reaguar pas thirrjes për dy seancat e kuvendit, duke thënë se nuk do të marrin pjesë në seancën e parë.
Lidhja Demokratike e Kosovës ka dalë me një komunikatë pas thirrjes së dy seancave për të mërkurën. Kjo parti thotë se nuk do të marrë pjesë në seancën e orës 11:00 ku në rend dite janë marrëveshjet ndërkombëtare, buxhetet për disa komuna e për RTK-në.
Po ashtu Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) kanë konfirmuar për RTK se nuk do të marrin pjesë në seancën e parë të Kuvendit.
Edhe NISMA Socialdemokrate njofton se nuk do të marrë pjesë në seancën e nesërme të thirrur në orën 11:00. Ky subjekt politik ka thënë se seanca është thirrur me urgjencë e pa konsultim paraprak me subjektet politike
Në seancën e dytë pritet të votohet qeveria Konjufca.
Kujtojmë se Glauk Konjufca nga Lëvizja Vetëvendosje, u mandatua për formimin e qeverisë nga presidentja Vjosa Osmani më 4 nëntor. Ai ka kërkuar mbështetjen e deputetëve për Qeverinë e tij, në mënyrë që të shmangen zgjedhjet parlamentare në dhjetor. Megjithatë paritë që kanë mbetur pas LVV-së në zgjedhje, kanë deklaruar se nuk e mbështesin këtë qeveri, por preferojnë zgjedhjet e reja.