Gërvalla kërkon drejtësi për Tolajn e Hakljajn: Herojtë që u vranë në luftën kundër krimit

Aktuale

Gërvalla kërkon drejtësi për Tolajn e Hakljajn: Herojtë që u vranë në luftën kundër krimit

Nga: M.L. Më: 24 nëntor 2025 Në ora: 16:37
Foto nga vendngjarja

Ministrja e Jashtme në detyrë, Donika Gërvalla, ka përkujtuar sot 22-vjetorin e vrasjes së dy zyrtarëve të lartë të Policisë së Kosovës, Sebahate Tolaj dhe Isuf Haklaj, të cilët u ekzekutuan më 24 nëntor 2003 në një pritë të organizuar teksa po shkonin në detyrë.

Gërvalla tha se Tolaj dhe Haklaj, të cilët ishin luftëtarë të lirisë dhe më pas ndër zyrtarët policorë më të përkushtuar në shtetin e ri të Kosovës, u vranë vetëm sepse ishin në vijën e parë të luftës kundër krimit, duke dëshmuar se beteja për shtet ligjor ishte po aq e rrezikshme sa ajo për liri.

Ajo i cilësoi të dy “heronj të demokracisë” dhe simbol të çmimit që ka paguar Kosova për ndërtimin e shtetit të së drejtës.

Postimi i plotë:

Mëngjesin e 24 nëntorit 2003, gjersa po shkonin në detyrën zyrtare, Sebahate Tolaj dhe Isuf Haklaj, u vranë në një pritë të organizuar e të porositur nga armiqtë e Kosovës së lirë. Luftëtarë të Lirisë në ditët e luftës, e pastaj shembull të zyrtarëve policorë në fillet e para të shtetit të ri të Kosovës, ata u vranë veç pse ishin në vijën e parë të luftës kundër krimit, duke u bërë shenjë e qartë se beteja për shtet ligjor nuk ishte më pak e rrezikshme se ajo e luftës për liri.

Sebahatja dhe Isufi u shndërruan në heronj të demokracisë dhe në simbol të çmimit që pagoi Kosova për ta ndërtuar shtetin e së drejtës.

Në kujtim të jetës dhe ëndrrës së tyre, sot bashkë me familjarë, miq e kolegë të heronjve, bëmë nderime te lapidari në stacionin policor në Pejë, te vendi i rënies në Raushiq si dhe te varret e tyre, në Pobërgjë dhe Koshare.

Betejat e tyre, Sabahatja dhe Isufi i kanë përmbyllur me nder, tash mbetet përgjegjësi e jona të jetësojmë ëndrrën e tyre më të madhe, ndërtimin, përparimin dhe demokratizimin e Kosovës.

Prandaj, drejtësi të plotë për ta, sepse vetëm kështu ëndrra e Sabahates, e Isufit dhe e shumë heronjve të tjerë të demokracisë, bëhet pjesë e një shoqërie të shëndoshë, të sigurt dhe demokratike.

U jetësoftë ëndrra e Sabahates dhe Isufit për Kosovën tonë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat