Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës njofton se pas marrjes së informacionit për arrestimin e shtetasit të Kosovës, Avni Qenaj, nga autoritetet serbe, Zyra Ndërlidhëse e Kosovës në Serbi ka kërkuar konfirmim zyrtar për arrestimin, arsyet e ndalimit dhe vendndodhjen e tij.
Rasti është përcjellë edhe te Delegacioni i BE-së në Serbi dhe te vendet e Quint-it, duke kërkuar monitorim dhe transparencë nga autoritetet serbe. Sapo të konfirmohet lokacioni, do të kërkohet vizitë konsullore.
MPJD thekson se po punon intensivisht për sqarimin e rrethanave dhe do të vazhdojë të informojë publikun. Ministria u bën thirrje partnerëve ndërkombëtarë të rrisin presionin ndaj Serbisë për trajtimin e shtetasve të Kosovës dhe respektimin e të drejtave të njeriut.
Njoftimi i plotë:
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) njofton se, menjëherë pas marrjes së informacionit mbi arrestimin e shtetasit të Kosovës Avni Qenaj, nga autoritetet e Serbisë, Zyra Ndërlidhëse e Republikës së Kosovës në Serbi ka ndërmarrë veprimet e para duke i adresuar Zyrës Ndërlidhëse të Serbisë në Kosovë, kërkesë zyrtare për konfirmimin e arrestimit, arsyet konkrete të ndalimit, vendndodhjen aktuale ku ai po mbahet, si dhe çdo informacion tjetër të domosdoshëm për trajtimin e mëtejmë të rastit.
Paralelisht, Zyra Ndërlidhëse e Republikës së Kosovës në Serbi e ka njoftuar për rastin edhe Delegacionin e Bashkimit Evropian në Serbi, duke kërkuar monitorim të shtuar dhe transparencë të plotë nga autoritetet serbe në lidhje me procedurat e ndërmarra.
Gjithashtu është dërguar tashmë notë verbale te misionet diplomatike të vendeve të Quint-it të akredituara në Serbi, me qëllim sigurimin e angazhimit të partnerëve ndërkombëtarë në mbrojtje të të drejtave dhe sigurisë së shtetasit të Republikës së Kosovës.
Zyra Ndërlidhëse e Republikës së Kosovës në Serbi do të procedojë me paraqitjen e kërkesës zyrtare për lejimin e vizitës të personit të arrestuar, sapo të konfirmohet lokacioni i saktë ku ai po mbahet.
MPJD rithekson angazhimin e saj të plotë dhe të pandërprerë për ndriçimin e të gjitha rrethanave të rastit dhe siguron se opinioni publik do të informohet me kohë dhe në mënyrë të vazhdueshme për të gjitha zhvillimet.
Edhe njëherë, MPJD i bën thirrje Bashkësisë Ndërkombëtare që të rrisë vigjilencën dhe presionin ndaj autoriteteve të Serbisë, e cila vazhdon praktikën e keqtrajtimit dhe intimidimit të shtetasve të Republikës së Kosovës, duke cenuar kështu normat dhe standardet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.