Zgjedhjet e 28 dhjetorit nisin garën për koalicione – PDK e LDK të hapura, VV e sheh të vështirë

Aktuale

Zgjedhjet e 28 dhjetorit nisin garën për koalicione – PDK e LDK të hapura, VV e sheh të vështirë

Më: 25 nëntor 2025 Në ora: 19:20
Foto ilustrim

“Nuk kemi vija të kuqe me asnjë subjekt politik, për neve është më e preferueshme, më afër programeve tona politike që të jemi bashkë me partitë që kemi qenë në të kaluarën edhe në pushtet edhe në opozitë”, ka thënë Hamza.

Kështu tha i pari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza kur u pyet ditë më parë për koalicionet para dhe pas zgjedhore.

Pak ditë pas kësaj konference, PDK njoftoi se kanë arritur një marrëveshje që listës së tyre t’i bashkohet ish-deputeti Shkumbin Demaliaj.

E të gatshëm për bashkëpunime me subjekte politike dhe individ u shprehën edhe Lidhja Demokratike e Kosovës.

Por anëtarja e këtij subjekti, Besa Gaxherri e sheh problem bashkëpunimin me Vetëvendosjen.

“LDK-ja ka punuar gjithë jetën që të mos ketë vija të kuqe mes partive politike shqiptare në Kosovës. Fatkeqësisht me VV-në është problem, sepse VV-ja për këto kohë sa ka qeverisë – përveç problemeve që kemi pasur ne kur kemi bashkë-qeverisur, problemet më të mëdha kanë qenë kur s’kemi qeverisur bashkë”, është shprehur Gaxherri.

Nga ana tjetër, edhe në Lëvizjen Vetëvendosje e vlerësojnë të vështirë bashkëpunimin me partitë ish-opozitare.

“Aktualisht jemi të fokusuar në përgatitje për fushatën elektorale dhe zgjedhjet e 28 dhjetorit 2025. Në anën tjetër për muaj të tërë ne kemi parë koordinimin e partive opozitare për të pamundësuar që legjislatura e IX të nxjerri qeverinë e saj, që nxori fitues të qartë Lëvizjen VETËVENDOSJE!. Shihet qartë që partitë e vjetra më nuk garojnë për të fituar zgjedhjet, por për të marrë aso rezultati që bllokon krijimin e Qeverisë nga ana e Lëvizjes VETËVENDOSJE! me partnerët e saj. Ne do t’i ftojmë të gjithë qytetarët, në Kosovë dhe mërgatë, që me votën e tyre të mos e lënë më fatin e qeverisjes në duart e grupeve të interesit që të jenë përcaktuese dhe vendimmarrëse për fatin e Republikës”, ka theksuar Manxhuka.

E garës në këto zgjedhje do ia mësyn edhe Lista për Familje.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat