Thaçi nga Haga: Besoj që nëntorët tjerë do t’i festojmë bashkërisht

Aktuale

Thaçi nga Haga: Besoj që nëntorët tjerë do t’i festojmë bashkërisht

Më: 28 nëntor 2025 Në ora: 12:45
Hashim Thaçi

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi i cili po gjykohet në Hagë, ka kritikuar Dhomat e Specializuara që kanë caktuar seancën pikërisht më 28 nëntor. Ai në fjalën e tij të cilën e kishte kërkuar qysh në fillim, tha caktimi i seancës pikërisht në këtë datë për të dhe për çdo shqiptar është befasi jo e mirë.

“E mirëpres mbajtjen e kësaj seance, për këtë arsye edhe jam sot në këtë seancë, sepse jam i përcaktuar për respektimin ligjor, por i nderuari zotëri gjyqtar është me interes që në këtë gjykatë të mos ndodhin gjëra që nuk lejohet të ndodhin në shtetet tuaja përkatëse. Si çdo popull edhe ne shqiptarët kemi historinë, traditat dhe vlerat kombëtare e shtetërore. Mendoj se caktimi i kësaj seance pikërisht sot me 28 nëntor do të duhej evituar. Mbajtja e kësaj seance pikërisht sot me 28 nëntor për mua dhe për çdo shqiptar është befasi jo e mirë”, deklaroi Thaçi.

Ai tha se sot çdo shqiptar ka festë kombëtare, shtetërore e familjare, sepse, siç tha, është festa e dinjitetit dhe krenarisë kombëtare.

“Sot çdo familje shqiptare dhe institucion i Kosovës edhe kujton edhe feston. Prandaj mua nuk më mbetet tjetër veç t’i uroj shqiptarët për festën e 28 nëntorit të festojnë  të bashkuar, krenarë e me dinjitet. Besoj që nëntorët e tjerë do t’i festojmë bashkërisht”, tha Thaçi.

Por, gjyqtari Gosnell, tha se data ishte caktuar pas konsultimeve me të gjitha palët, e siç tha ai, nuk kishte asnjë kundërshtim.

“Faleminderit zotëri Thaçi për këto fjalë. Më duhet të them se këtë datë e caktuam pasi u konsultuam me të gjitha palët dhe asnjë kundërshtim nuk pati në këtë ditë”, deklaroi gjyqtari.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat