Pas vendimit të PZAP-së reagon Murati: A di dikush të tregojë pse LDK-ja është kaq kundër diasporës?

Aktuale

Pas vendimit të PZAP-së reagon Murati: A di dikush të tregojë pse LDK-ja është kaq kundër diasporës?

Më: 30 nëntor 2025 Në ora: 22:53
Foto ilustrim

Ministri në detyrë i Financave nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Hekuran Murati, ka reaguar pas vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, i cili ka pranuar ankesën e LDK-së për anulimin e qendrave alternative të votimit jashtë Kosovës për zgjedhjet e 28 dhjetorit.

Murati në një postim në Facebook ka akuzuar partinë e Lumir Abdixhikut se “është kundër diasporës.”

“A di dikush të tregojë pse LDK-ja është kaq kundër diasporës? Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka ofruar hapësira shtesë për votim (përveç ambasadave e konsullatave), ashtu që diaspora jonë të ketë sa më afër vendvotimin dhe kësisoj sa më të lehtë procesin e votimit.

LDK paraqet ankesë në PZAP për të kundërshtuar këtë lehtësim për diasporën. PZAP e miraton ankesën e LDK-së. Me deklarata LDK-ja e kërkon votën e diasporës, ama me vepra po shihet që po bën çmos që ta pengojë”, ka thënë Murati.

Zëdhënësi i komunës së Prishtinës Donat Lushaku ka bërë të ditur se PZAP-i ka pranuar ankesën e Lidhjes Demokratike të Kosovës që votimi jashtë Kosovës për zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit të bëhet vetëm në përfaqësitë diplomatike apo hapësirat e tyre.

“PZAP pranoi si të bazuar ankesën e LDK, ashtu që përfaqësitë diplomatike dhe hapësirat e tyre do të jenë qendra të votimit jashtë Kosovës për zgjedhjet e 28 dhjetorit dhe jo hapësirat e tjera alternative”, shkruan ai në një postim në Facebook.

LDK kishte parashtruar më 27 nëntor 2025 ankesë në PZAP kundër vendimit të KQZ-së të datës 26 nëntor për krijimin e qendrave alternative të votimit jashtë Kosovës.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat