Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë ndaj dy personave, A.Z. dhe B.D., të dyshuar për kryerjen e veprës penale “Krim i luftës kundër popullsisë civile”.
Sipas aktakuzës, A.Z., në cilësinë e inspektorit të Stacionit Policor në Prizren, dhe B.D., në cilësinë e policit në të njëjtin stacion, gjatë viteve 1998–1999, individualisht dhe në bashkëkryerje me pjesëtarë të tjerë të forcave policore serbe, kanë ndërmarrë një fushatë të arrestimeve të popullsisë civile në komunat e Rahovecit dhe Suharekës.
Në mesin e personave të arrestuar ishin R.J., M.K., E.G., S.E., V.V., Q.K., U.K., H.G., S.G., H.Sh. dhe A.Z., të cilët, sipas aktakuzës, gjatë marrjes në pyetje janë rrahur me mjete të forta dhe janë nënshtruar trajtimit çnjerëzor. Si pasojë e dhunës së ushtruar, R.J. kishte ndërruar jetë, ndërsa të tjerët kishin pësuar lëndime serioze trupore.
Prokuroria Speciale, duke u bazuar në nenet 234 dhe 303 të Kodit të Procedurës Penale, i ka propozuar Gjykatës që gjykimi ndaj të pandehurve A.Z. dhe B.D. të mbahet në mungesë, pasi ata vazhdojnë të jenë të paarritshëm për organet e drejtësisë.