Donika Gërvalla konfirmon mbërritjen e ndihmës humanitare në Gaza, publikon pamje nga shpërndarja e saj

Aktuale

Donika Gërvalla konfirmon mbërritjen e ndihmës humanitare në Gaza, publikon pamje nga shpërndarja e saj

Nga: Bota sot Më: 14 dhjetor 2025 Në ora: 12:44
Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, publikon pamje nga shpërndarja e ndihmës humanitare në Gaza

Qeveria e Republikës së Kosovës ka nisur dje pasdite një dërgesë humanitare për popullin e Gazës, në vlerë prej 500 mijë euro. Ndihma përfshin tenda, pako ushqimore, batanije dhe 158 mijë racione të ushqimit të ngrohtë, të cilat po shpërndahen menjëherë përmes partnerëve humanitarë në terren.

Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla,në një postim në Facebook, tha se kjo ndihmë, edhe pse modeste, synon të ofrojë lehtësim për familjet në nevojë, veçanërisht për fëmijët dhe të moshuarit, në një situatë kur mungojnë gjërat më bazike.

Gjithashtu, Gërvalla shprehu mirënjohje për Republikën e Turqisë dhe Gjysmëhënën e Kuqe Turke, për bashkëpunimin dhe mbështetjen që e mundësuan këtë operacion humanitar.

Postimi i plotë:

Dje pasdite morëm konfirmimin se ndihma humanitare e ndarë nga Qeveria e Republikës së Kosovës, e dedikuar për popullin e Gazës ka mbërritur në Gaza dhe menjëherë ka nisur shpërndarja për familjet në nevojë, përmes partnerëve humanitarë në terren.

Dërgesa jonë, në vlerë prej 500 mijë euro, përfshin tenda, pako ushqimore, batanije dhe 158 mijë racione të ushqimit të ngrohtë.

E dimë që asgjë nuk e zëvendëson humbjen dhe dhimbjen atje. Por shpresojmë që kjo ndihmë modeste t’u japë sadopak mbështetje e lehtësim familjeve, sidomos fëmijëve dhe të moshuarve, në ditë kur edhe gjërat më bazike mungojnë.

Shpreh mirënjohjen time të sinqertë për Republikën e Turqisë dhe Gjysmëhënën e Kuqe Turke për bashkëpunimin dhe mbështetjen që e bënë të mundur këtë operacion humanitar.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat