​IKD: Asnjë parti politike nuk ofron qasje gjithëpërfshirëse për qeverisjen e mirë dhe sundimin e ligjit

Aktuale

​IKD: Asnjë parti politike nuk ofron qasje gjithëpërfshirëse për qeverisjen e mirë dhe sundimin e ligjit

Më: 23 dhjetor 2025 Në ora: 12:01
Foto nga vendngjarja

Instituti i Kosovës për Drejtësi ka publikuar raportin “Qeverisja e mirë dhe sundimi i ligjit në programet e partive politike për zgjedhjet e 28 dhjetorit”.

Në bazë të këtij raporti, sipas IKD-së, asnjë nga programet politike të LVV-së, PDK-së, LDK-së dhe AAK-së, nuk ofron një qasje gjithëpërfshirëse, të strukturuar dhe të matshme për avancimin e qeverisjes së mirë dhe sundimit të ligjit.

Sipas IKD-së, vlerësimi është realizuar përmes 10 indikatorëve, të ndarë në dy shtylla kryesore që lidhen me qeverisjen e mirë dhe sundimin e ligjit. Përkatësisht, në qeverisjen e mirë është vlerësuar barazia gjinore, transparenca dhe llogaridhënia, depolitizimi i administratës publike, digjitalizimi dhe pavarësia e mediave. Ndërsa, pesë indikatorët që ndërlidhen me sundimin e ligjit janë reforma në drejtësi, lufta kundër korrupsionit, integriteti në fushën e prokurimit publik, vetingu në drejtësi dhe të drejtat e njeriut.

Hulumtuesi në IKD, Gëzim Shala, në konferencë për media të martën tha se bazuar në këta indikatorë dhe në poentimin e përgjithshëm prej 50 pikësh, AAK-ja renditet e para me 13 pikë, pasuar nga LDK me 11 pikë, Lëvizja Vetëvendosje me 9 pikë, ndërsa PDK renditet e fundit me 6 pikë. Ndërkaq, Nisma Socialdemokrate nuk është poentuar fare, pasi e njëjta s’ka publikuar program qeverisës.

Shala: Asnjë program i partive politike nuk ofron zgjidhje të plotë apo reformim të mirëfilltë

“Bazuar në pikëzimin e përgjithshëm, të aplikuar sipas këtyre indikatorëve, renditja e partive politike është si në vijim: Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës renditet e para me 13 pikë nga 50 të mundshme, pasuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës me 11 pikë. Lëvizja Vetëvendosje është e treta me nëntë pikë dhe e fundit është Partia Demokratike e Kosovës me gjashtë pikë. Megjithatë, është e rëndësishme të theksohet se këto dallime mes partive politike janë relativisht të kufizuara dhe nuk nënkuptojnë se ndonjë program ofron zgjidhje të plotë apo reformim të mirëfilltë. Diferencimet reflektohen kryesisht në faktin se disa programe përmendin më shumë indikatorë sesa të tjerët dhe jo domosdoshmërisht kemi të bëjmë me cilësi apo thellësi të qasjes programore të partive politike në programet e tyre”, theksoi ai.

Sipas tij, në fushën e sundimit të ligjit, programet e partive politike nuk ofrojnë vizione të qarta për reformën në sistemin e drejtësisë. Madje, ai thotë se vetingu në sistemin e drejtësisë nuk përmendet nga asnjëra prej katër programeve të partive politike, ndonëse ka pasur një diskutim të madh për këtë çështje.

Shala: Vetingu në drejtësi nuk përmendet nga asnjëra prej katër programeve të partive politike

“Në aspektin e qeverisjes së mirë, për dallim prej sundimit të ligjit, partitë politike kanë trajtuar përgjithësisht pak më shumë fusha. Këtu bën pjesë veçanërisht digjitalizimi, që trajtohet në mënyrë pak më të gjerë në programet e partive politike. Megjithatë, çështje kyçe, si transparenca dhe llogaridhënia qeveritare, depolitizimi i administratës publike dhe pavarësia e mediave, mbesin kryesisht të paadresuara apo trajtohen vetëm në aspekt të kufizuar apo deklarativ.Në fushën e sundimit të ligjit, gjetjet janë edhe më shqetësuese. Programet nuk ofrojnë vizione të qarta për reformën në sistemin e drejtësisë. Çështje të rëndësishme si vetingu në drejtësi, lufta kundër korrupsionit dhe integriteti në fushën e prokurimit publik mbesin pothuajse jashtë trajtimit nga ana e programeve të partive politike. Edhe aty ku përmenden disa elemente, ato mbesin kryesisht në nivel deklarativ dhe pa strukturim të masave konkrete. Vetingu, për shembull, në sistemin e drejtësisë nuk përmendet nga asnjëra prej katër programeve të partive politike, ndonëse kemi pasur një diskutim shumë të madh për këtë çështje dhe paraqet një ndër reformat më të diskutuara në fushën e sundimit të ligjit”, shton ai.

Duke u bazuar në këtë raport, drejtori ekzekutiv i IKD-së, Ehat Miftaraj, tha se partitë politike po përdorin këtë strategji për t’iu ikur përgjegjësisë.

Miftaraj: Partitë politike po përdorin këtë strategji për t’iu ikur përgjegjësisë

“Si duket, kjo është edhe strategji e partive politike për t’iu ikur përgjegjësisë. Ne nesër, nëse duam ta masim punën e tyre, nëse këto parti politike vijnë në pushtet, atëherë nuk mund ta bëjmë këtë bazuar në programet politike, sepse këto obligime nuk janë të përfshira në to. Ne duhet ta masim punën e tyre me atë çka kanë deklaruar në debate televizive dhe çka kanë premtuar në fushatë politike. Për parti politike serioze që aspirojnë të udhëheqin një shtet, në asnjë rrethanë programi politik nuk duhet të jetë kaq i dobët”, theksoi Miftaraj.

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare do të mbahen më 28 dhjetor. Aktualisht, partitë politike janë në ditën e shtatë të fushatës zgjedhore

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat