Njohësi i çështjeve të sigurisë, Gurakuç Kuçi, ka deklaruar se Rezoluta 1244 e OKB-së nuk funksionon më si bazë juridike dhe se procesi politik që ajo hapi ka përfunduar me pavarësinë e Kosovës.
Sipas Kuçit, këtë realitet e ka konfirmuar edhe opinioni i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, ndërsa ironikisht procesin e ka nisur vetë Serbia. Ai thekson se Beogradi e ka përdorur 1244 për narrativa të rrezikshme, të mbështetura nga Rusia, por të refuzuara nga Perëndimi.
Shkrimi i plotë:
Rezoluta 1244: një kapitull i mbyllur dhe Serbia ka filluar ta “pranojë” këtë fakt
Le ta themi thjesht dhe njerëzisht: Rezoluta 1244 nuk funksionon më si bazë juridike. Që nga opinioni i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, kjo është e qartë si në ligj, ashtu edhe në praktikë.
Ironia? Procesin e nisi vetë Serbia. Sot, edhe Aleksander Vuçiq po e pranon këtë realitet, por me cinizëm politik, jo me reflektim serioz.
Për vite, Beogradi e ka përdorur 1244 si mbulesë për ide të rrezikshme: rikthim të ushtrisë në Kosovë, në frymën e asaj që Rusia bëri në Gjeorgji dhe Ukrainë. Kjo narrativë u shty fort nga Moska. U refuzua qartë nga Perëndimi.
James O’Brien e tha pa diplomaci: 1244 hapi një proces politik. Ai proces u zhvillua. Dhe përfundoi me pavarësinë e Kosovës.
Çfarë duhet mbajtur mend:
– 1244 ishte kornizë kalimtare pas vitit 1999
– GJND konfirmoi se pavarësia nuk shkel as të drejtën ndërkombëtare, as 1244
– OKB e vulosi këtë realitet me Rezolutën A/RES/64/298
– Kosova vepron hapur; Serbia mban gjallë narrativa artificiale