Publicisti dhe anëtari i Bordit Ekzekutiv të Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane, Hafiz Shala ka reaguar publikisht me një mesazh të drejtpërdrejtë drejtuar popullit serb, kudo që jeton, duke ngritur pyetje mbi përgjegjësinë morale dhe politike për krimet dhe gjenocidin e ushtruar ndaj shqiptarëve.
Në reagimin e tij, Shala pyet nëse qytetarët serbë i janë drejtuar ndonjëherë udhëheqjes së tyre për krimet e kryera nga ushtria, policia dhe formacionet paramilitare serbe gjatë luftës në Kosovë, duke theksuar se këto krime mbeten një barrë historike që nuk mund të fshihet.
Ai shprehet se mungesa e kërkim-faljes dhe fakti që edhe sot mbetje mortore të shqiptarëve mbahen në varreza masive në territorin e Serbisë përbëjnë vazhdimësi të urrejtjes dhe mohimit shtetëror.
Mes tjerash, ai shpreh solidaritet dhe respekt për familjet e viktimave të gjenocidit, duke falënderuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe veçanërisht ish-Ambasadorin William Walker, për rolin e tij vendimtar në ndërgjegjësimin e opinionit botëror mbi krimet e Serbisë ndaj shqiptarëve.
Postimi i plotë:
Pyetje publike, me shkas dhe arsye, drejtuar popullit serb kudo që jeton:
A i jeni drejtuar ndonjëherë udhëheqjes suaj për krimet dhe gjenocidin e ushtruar ndaj shqiptarëve (përjashtuar individë të rrallë që reaguan, por edhe u ndëshkuan), krime që do t’ju përcjellin përjetësisht?
Si e ndieni veten ju, qytetarë të këtij planeti, kur shihni se çfarë krimesh kanë kryer ushtarët, policët dhe paramilitarët tuaj ndaj shqiptarëve, dhe se si ju dhe udhëheqja juaj gjenocidale jo vetëm që nuk kërkuat falje, por me një urrejtje të paparë dhe të padëgjuar në botën humane e të civilizuar, ende mbani mbetje mortore në varreza masive anembanë Serbisë, duke shprehur një urrejtje shtazarake — nëse nuk i ofendoj kafshët, si qenin dhe kalin, ndër më besnikët ndaj njeriut.
Edhe Bashkësia Ndërkombëtare, përjashto Amerikën, heshti dhe, në vend që të qortonte Beogradin, i doli në krah, në vend se ta sanksiononte dhe ta largonte nga instancat ndërkombëtare.
Reçaku sot është dëshmi e një gjenocidi, mes shumë të tjerëve që Serbia fashiste ushtroi për ta nënshtruar popullin shqiptar përjetësisht.
Si pasojë e ushtrimit sistematik të këtij terrori, lindi Ushtria Çlirimtare e Kosovës, nga bijtë dhe bijat më të devotshme të kombit, të cilët e falën jetën në lulen e rinisë, në moshë shumë të re.
Është i dhimbshëm përkujtimi i Reçakut dhe i shumë Reçakëve të tjerë, por edhe krenari për qëndresën e tyre, duke përfshirë familjen emblematike dhe heroike Jashari, me në krye Komandantin Legjendar dhe themeluesin e UÇK-së, Adem Jasharin, i cili u sakrifikua me tërë familjen.
Reçaku dhe masakra të tjera duhet të jenë lëndë e posaçme mësimore, që nga shkollat fillore deri në universitete, si pjesë e edukimit bazë kombëtar, që historia të mos përsëritet dhe gabimet të eliminohen përjetësisht.
Familjeve që e përjetuan gjenocidin drejtpërdrejt, ua shpreh përkrahjen, ngushëllimet më të sinqerta, si dhe admirimin e pakufizuar për qëndrimin e tyre heroik, nga Amerika e largët, por mike historike, duke i falënderuar për sakrificën për lirinë që sot e gëzojnë pasardhësit e tyre, në po ato mosha.
Me këtë rast, e përgëzoj dhe e falënderoj Ambasadorin Amerikan, z. William Walker, i cili me deklaratën e tij ndikoi në ndryshimin e qasjes së botës, duke treguar se Serbia ushtroi krime kundër njerëzimit.
Faleminderit, Ambasador Walker.
Faleminderit, Amerikë.