Fjala e mbrojtjes - Shpallja e Thaçit fajtor do të përbënte “padrejtësi ligjore dhe historike”

Aktuale

Fjala e mbrojtjes - Shpallja e Thaçit fajtor do të përbënte “padrejtësi ligjore dhe historike”

Më: 11 shkurt 2026 Në ora: 08:03 Përditësuar në ora: 13:35 më 11.02.2026
Luka Mishetiq

Mishetiq: Thaçi s’ka pasur njohuri për krime specifike të kryera nga anëtarë të UÇK-së

Mbrojtja e Thaçit tha se Prokuroria pretendon se Thaçi ka qenë në dijeni se ndonjë anëtarë i Qeverisë së përkohshme kishte kryer krime.

“Nuk ka prova përtej dyshimit të arsyeshëm që Thaçi të ketë caktuar bashkë të akuzuarit dhe anëtarë të tjerë të Qeverisë [së përkohshme].

Prokuroria nuk ka arritur që të provojë se Thaçi të ketë pasur njohur që ndonjë anëtar i Qeverisë së përkohshme të ketë kryer krime”, tha avokati.

Sipas tij, Prokuroria kishte argumentuar se KFORI-i nuk kishte marrë njoftime nga UÇK-ja se po hetonte krimet e pretenduara nga anëtarët e saj.

“Nuk ka prova përtej dyshimit të arsyeshëm që Thaçi të ketë pasur njohuri për krime specifike të bëra nga anëtarët e UÇK-së që të ishin vartës të tij dhe për të cilët nuk ka pasur dijeni UNMIK-u dhe KFOR-i”, tha Mishetiq.

Mbrojtja flet për incidentin e Qirezit

Avokati i Thaçit, Lluka Mishetiq, pas rikthimit në seancë publike foli për incidentin në Qirez, kur për afër 48 orë ishte ndaluar një delegacion prej disa anëtarësh të Lidhjes Demokratike të Kosovës më 1998.

“Delegacioni parlamentar u mbajt në ndalim për 48 orë. Për arsye të shpjeguara, ky ndalim 48 orësh nuk mund të shkelë të drejtën ndërkombëtare themelore. Provat tregojnë se ky ndalim nuk ishte një sulm i gjerë”, tha Mishetiq.

Ai argumentoi se nuk ka asnjë dyshim që ndalimi të jetë bërë për arsye ushtarake, “siç është frika që delegacioni ka shkuar pa lajmëruar për të inkurajuar dorëzimin në kohën kur Qirezi ishte nën sulm. Ky ndalim nuk ka pasur qëllim të realizojë qëllimin kriminal të pretenduar”.

Mishetiq tha se Gjergj Dedaj kishte dhënë dëshmi në Hagë se në Qirez nuk ishte Thaçi dhe se nuk ishte lënduar gjatë ndalimit. Ai kishte tërhequr deklaratën e bërë më 2014 në EULEX.

Avokati i Thaçit tha se ZPS-ja u mundua të thoshte se në një konferencë për media të delegacionit parlamentar të LDK-së të mbajtur pas incidentit, dora e Dedajt ishte e mavijosur. Por, Mishetiq argumentoi se në videon e ofruar si dëshmi nga mbrojtja, del se dora e Dedajt nuk kishte mavijosje dhe se në videon e transmetuar nga ZPS-ja, në fakt ishte hija e kamerave që binte mbi dorën e Dedajt, e nuk bëhej fjalë për mavijosje.

“Dëshmitë e kohës tregojnë se delegacioni nuk është abuzuar në mënyrë të rëndë, as në Qirez as në Baicë dhe nuk ka dëshmi të kohës nga viti 1998 që kjo ka ndodhur”, tha Mishetiq.

Sipas tij, për Baicën, delegacioni kishte akuzuar për keqtrajtim Sabit Gecin dhe ZPS-ja nuk “ka treguar se atë ta ketë drejtuar Hashim Thaçi”.

Mishetiq: Selimi ka spekuluar se Thaçi ka pasur lidhje me komunikatën 59, trupi gjykues s’duhet ta përdorë si provë

Avokati Luka Mishetiq tha se për klientin e tij, Hashim Thaçin, nuk ka pasur prova që e lidhin atë me komunikatat apo deklaratat publike të UÇK-së.

Megjithatë, ai tha se janë dy prova që e bëjnë një gjë të tillë e që njëra është një deklaratë e Rexhep Selimit për Prokurorinë lidhur me komunikatën 59.

“ZPS-ja arrin të citojë vetëm dy prova për të mbështetur pretendimin e tyre se Hashim Thaçi ka pasur rol në përgatitjen e komunikatave. E para; është një intervistë që ka dhënë Rexhep Selimi për ZPS-në ku ai pretendon se Hashim Thaçi ka pasur njëfarë lidhje me komunikatën 59. Pretendimet e Selimit nuk mund të merren parasysh për shumë arsye”, tha Mishetiq.

Madje, Mishetiq tha se për Prokurorinë, Selimi ka thënë që nuk ka pasur dijeni se kush i hartonte komunikatat e UÇK-së.

“Thjesht ka hamendësuar. Dhe mbi të gjitha pretendimet e tij për komunikatën 59 janë të pakonfirmuara dhe Thaçi nuk ka pasur asnjë mundësi që të kontestojë dëshminë e zotit Selimi kur janë bërë kundërpyetjet në lidhje me këtë”, tha ai.

Rrjedhimisht, Mishetiq tha se sipas rregullave, trupi gjykues nuk duhet ta përdorë këtë provë kundër Thaçit.

Në dosjen e tij përfundimtare, Selimi sipas Mishetiqit, ka pranuar se nuk ka pasur dijeni se kush i ka hartuar komunikatat dhe thjesht ka spekuluar në intervistën për ZPS-në.

Ndërsa, prova e dytë, sipas Mishetiq, që lidhet me këtë pjesë është një pjesë e librit të shkruar nga Nuhi Bytyqi.

Mishetiq: Komunikatat s’kanë qenë nxitje e krimit, në të kundërtën ndërkombëtarët do ta dinin

Luka Mishetiq i cili përfaqëson Hashim Thaçin ka kundërshtuar pretendimet e Prokurorisë lidhur me komunikatat e UÇK-së dhe me atë se ato kanë pasur mesazhe që kanë nxitur krimin.

Mishetiq ka thënë se kjo nuk qëndron sepse nëse do të ishte e kundërta, atëherë ndërkombëtarët do ta dinin dhe do e thonin atë që dinin kur kanë ardhur që të dëshmojnë në këtë rast gjyqësor, raporton “Betimi për Drejtësi“.

“Komunikatat e UÇK-së nuk kanë qenë nxitëse të krimit sepse në të kundërtën dëshmitarët ndërkombëtarë që kanë dhënë dëshmi në këtë çështje do ta kishin ditur këtë dhe do e kishin bërë me dije për ju”, tha ai.

Ai tha se ZPS-ja ka dështuar që të jep prova që komunikatat kanë quar në avancimin e politikës së ndërmarrjes së përbashkët kriminale.

Mbrojtja thotë se Prokuroria duhet të japë argumente të shkakut dhe pasojës se pse komunikatat pretendon që çuan në kryerjen e krimeve në aktakuzë.

Përveç kësaj, Mishetiq thotë se Prokuroria mbështetet në deklaratat e Rrustem Mustafës- Remit.

“ZPS-ja së pari mbështetet në provat e dhëna nga komandant Remi për të mbështetur pretendimet që komunikatat ishin shumë të rëndësishme për krimet e ngritura në aktakuzë. Siç thuhet nga ZPS-ja, Remi ka kontribuar në mënyrë të drejtpërdrejtë me Shtabin e Përgjithshëm”, tha ai duke shtuar se pse duhej të orientohej Remi përmes komunikatave.

Këto pretendime sipas mbrojtjes, Prokuroria i bën pasi s’ka prova të drejtpërdrejta që dëshmojnë komunikimet e Shtabit me komandantët e zonave lidhur me mesazhe të tilla.

"Padrejtësi ligjore dhe historike"

Përgjatë fjalës së vet, avokati i Thaçit u ka thënë gjykatësve se shpallja fajtor e klientit të tij do të përbënte "padrejtësi ligjore dhe historike".

“Argumentet e ZPS-së nuk përbëjnë interpretimin e arsyeshëm të vetëm të provave, që është standardi që duhet arritur që ju të rishkruani historinë e Kosovës, në këtë rast për ta shpallur fajtor Hashim Thaçin.

Ka dyshime të bazuara të mjaftueshme për ju që ta shpallni atë jofajtor për të gjitha pikat e aktakuzës”. rel

Mbrojtja: Si është e mundur që Zyrapi dhe ndërkombëtarët s’kishin informata për qëllimin kriminal, ndërsa nivelet më të ulëta merrnin mesazhe të tilla?

Avokati i Hashim Thaçit, Luka Mishetiq ka folur lidhur me pretendimet e Prokurorisë për qëllimin e përbashkët kriminal të të akuzuarve në këtë rast gjyqësor.

Ai tha në dëshminë e tij, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Bislim Zyrapi ka deklaruar që nuk ka qenë në dijeni të qëllimit kriminal siç pretendohet në aktakuzë. Ngjashëm, si Zyrapi, mbrojtja thotë se kanë dkelarauar edhe ndërkombëtarët që kanë dëshmuar në këtë çështje gjyqësore, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Por, Mishetiq ngrit pikëpyetje se si është e mundur që Zyrapi dhe ndërkombëtarët të mos kenë qenë në dijeni për këto gjëra, ndërkohë që pretendohet se personeli më i ulët i UÇK-së kanë marrë mesazhe kriminale sidomos përmes komunikatave.

“Nuk ka pikë vlere dhe nuk ka fare kuptim e aq më pak të përbëjë provë përtej dyshimit të arsyeshëm. Si është e mundur që ZPS-ja argumenton se si ndërkombëtarët dhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm nuk kishin informacion për qëllimin e përbashkët kriminal por në nivel më të ulët personeli i UÇK-së kishte mundësi që të merrte mesazhe kriminale”, tha ai.

Ai deklaroi se duhet të bëhet pyetje se si është e mundur që të fshihet diçka nga ndërkombëtarët, duke shtuar se nuk iu janë dashur 20 vite atyre që të zbulojnë propagandën nxitëse në Ruandë, Bosnje e po ashtu edhe atë të Millosheviqit në Serbi.

Përpara kësaj, Mishetiq ka thënë se ka prova të mjaftueshme që Thaçi të shpallet i pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës.

“Argumentet e ZPS-së nuk e përbëjnë arsyetimin e vetëm të arsyeshëm të provave që është standardi që duhet arritur me qëllim që të rishkruani historinë e Kosovës në këtë rast dhe ta gjeni fajtor Thaçin. Ka prova të bazuara të mjaftueshëm që atë ta shpallni jofajtor për të gjitha pikat e aktakuzës”, tha ai.

Mbrojtja: Presidenti serb i një shteti të organizuar s’u gjet fajtor, ZPS-ja pretendon që Thaçi është përgjegjës penalisht si pjesë e grupit të armatosur joshtetëror

Mbrojtja e Hashim Thaçit, e përfaqësuar nga avokati Luka Mishetiq, para trupit gjykues, të mërkurën po parashtron argumentet e veta se pse Thaçi është i pafajshëm në këtë çështje penale.

Në prezantimin e tij edhe digjital, Mishetiq ritheksoi se deri më tani, jurisprudenca e gjykatave dhe tribunaleve ndërkombëtare ka përcaktuar se: NATO ndërhyri ushtarakisht në Kosovë në vitin 1999 si përgjigje ndaj një Ndërmarrjeje të Përbashkët Kriminale Serbe që kishte filluar jo më vonë se tetori 1998, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Sipas mbrojtjes, Prokuroria kërkon që vetëm mbi bazën e inferencës, të konstatojnë se ishte UÇK-ja ajo që kishte planifikuar një Ndërmarrje të Përbashkët Kriminale disa muaj më herët, në mars 1998.

Në prezantimin e saj, mbrojtja deklaroi se udhëheqësi politik serb, presidenti Milan Milutinoviq, nuk ishte penalisht përgjegjës për ngjarjet në Kosovë në vitet 1998 dhe 1999, sepse ai ishte një figurë politike që nuk kishte kontroll efektiv mbi forcat e RFJ-së, dhe për rrjedhojë nuk dha një kontribut të rëndësishëm në një Ndërmarrje të Përbashkët Kriminale.

Megjithatë, sipas mbrojtjes, Prokuroria po kërkon që, vetëm mbi bazën e inferencës, të konstatohet se udhëheqësi politik kosovar shqiptar i UÇK-së, një grup i armatosur joshtetëror që kishte ekzistuar vetëm prej disa muajsh, kishte kontroll efektiv dhe ishte penalisht përgjegjës.

“ZPS-ja po u kërkon juve që pavarësisht se presidenti serb i një shteti të organizuar nuk ka pasur përgjegjësi penale për krimet masive të luftës dhe krimet kundër njerëzimit për shkak se nuk ka pasur kontroll efektiv, duke u bazuar në këtë deduksion iu duhet të konkludoni që udhëheqësi politik i shqiptarëve të Kosovës dhe UÇK-së, një grup i armatosur joshtetëror që kishte ekzistuar vetëm prej disa muajsh, kishte kontroll efektiv dhe ishte penalisht përgjegjës. Ky rezultat do të jetë një padrejtësi ligjore dhe historike”, tha Mishetiq.

Kritika për Prokurorinë

Avokati i Thaçit u ka thënë gjykatësve se e sheh problematik faktin që në gjithë dosjen e Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) janë shpërfillur të gjitha provat të cilat diskreditojnë provat dhe pretendimet e saj.

“Kur analizohen dhe shqyrtohen parashtrimet përfundimtare të ZPS-së është sikur të lexohet një kronikë apo analizë e një filmi të shkruar nga dikush që nuk e ka parë filmin”.

Mishetiq u rikujton gjykatësve çfarë thanë dëshmitarët

Mishetiq po përmend tani çfarë kanë thënë disa dëshmitarë në mbrojtje të Thaçit.

“Ju keni dëgjuar nga dëshmitarët ndërkombëtarë që kanë thënë se Hashim Thaçi nuk dyshohej për krime lufte, ndërkohë që këto ngjarje po ndodhnin dhe po zhvilloheshin.

Dëshmitarët ndërkombëtarë ju thanë se për këto ngjarje ishin të informuar përmes burimeve diplomatike, shërbimeve të inteligjencës dhe të tjera, si dhe përmes përvojave të tyre personale, përfshirë përvojat e tyre me Hashim Thaçin”.

Në mesin e figurave që dëshmuan në mbrojtje të Thaçit janë: ish-komandanti suprem i forcave aleate të NATO-s, Wesley Clark, ish-ndihmësi i sekretarit amerikan të Shtetit, James Rubin dhe diplomati i pensionuar amerikan, Christopher Hill.

Avokati Misetiq: Thaçi është dhe do të mbetet i pafajshëm

Avokati i ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, Luka Mishetiq, ka deklaruar se klienti i tij është dhe do të mbetet i pafajshëm.

Ai theksoi se diskutimet e gjyqtarëve duhet të nisin me prezumimin e pafajësisë.

Ai tha se Thaçi është i pafajshëm.

“Hashim Thaçi është i pafajshëm, pasi ligji ua kërkon ta prezumoni të pafajshëm. Kam dëgjuar kryetarë të Tribunaleve Ndërkombëtare që e keqkuptojnë këtë gjë. Para jush keni katër burra që duhet të prezumohen të pafajshëm. Ky proces ka ardhur këtu pasi Prokuroria ka ngritur pretendime se kanë prova që janë fajtor, dhe për rrjedhojë, për më shumë se 5 vjet jemi në këtë proces, ku duhet të bëhet verifikimi i ZPS-së, për të parë nëse mund të vërtetojnë këto pretendime. Ky gjykim nuk është verifikim i jetës së Hashim Thaçit, por i pretendimit të ZPS-së se Thaçi nuk duhet të jetë i pafajshëm. Ju duhet të nisni kuvendimet se Hashim Thaçi është i pafajshëm, e më pas të mendoni se provat e ZPS-së ju kanë bindur se ai është fajtor. Ju duhet të konstatoni se ZPS-ja ka dështuar, nuk ka arritur të provojë provat e saj, dhe të nxjerrni aktgjykim shfajësues, Hashim Thaçi do të mbetet i pafajshëm. Ju do të arrini në përfundimin e pashmangshëm se ZPS-ja nuk arriti të plotësojë kriteret e barrës së provës,” tha Mishetiq.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat