Zbardhen kontratat dhe mesazhet e Murselit: 100 mijë euro borxh nga Pacolli dhe biseda me Granit Plavën

Aktuale

Zbardhen kontratat dhe mesazhet e Murselit: 100 mijë euro borxh nga Pacolli dhe biseda me Granit Plavën

Më: 11 shkurt 2026 Në ora: 08:39 Përditësuar në ora: 15:41 më 11.02.2026
Naim Murseli

​Murseli mohon deklaratën në polici, thotë se u dha nën dhunë

Në seancën e së mërkurës në Gjykatën Themelore në Prishtinë, i akuzuari Naim Murseli ka deklaruar se nuk e pranon deklaratën në polici, pasi sipas tij ajo deklaratë ishte në presion dhe nën dhunë të Policisë së Kosovës, raporton KosovaPress.

Gjithashtu, ai tha se deklaratën e Granit Plavës e ka dëgjuar në veturë të Policisë së Kosovës duke shkuar në stacion nga policët prezent dhe foto i gjakosur.

Prokurorja Javorka Perlinçeviq e pyeti Murselin “nëse ka qenë prezent avokati pse nuk po e pranoni deklaratën që keni dhënë në polici?”.

Murseli tha se ishte me presion e me dhunë dhe kjo ishte arsyeja pse ka bërë kërkesë për IPK.

“Deklarata është vënë me presion, fillimisht ka pasur dhunë dhe pastaj...”

“Sepse ajo deklaratë është vënë me presion, fillimisht ka pasur dhunë dhe pastaj presion, po flasim para se të vij avokati dhe mesa e di procedura e Kodit Penal nuk lejon marrje të tilla në pyetje dhe kjo është arsyeja pse kam bërë kërkesë më vonë për këtë çështje të cilën edhe e kemi kopjen e asaj kërkese”, tha Murseli.

Perlinçeviq e pyeti se si e ka dhënë deklaratën e njëjtë si të Plavës dhe Kokallës.

Sa është e mundshme që të jepni deklarata për çështje të njëjta deklarata Perlinceviq:

“Ditën e njëjtë kur keni dhënë deklaratë në cilësi të dyshuarit në polici, ndaras kanë dhënë edhe Plava dhe Kokalla, a mund të më tregoni sa është e mundshme që të jepni për çështje të njëjta deklarata të njëjta identike të cilat nëpërmes veti përputhen dhe thuani se të njëjtën e keni dhënë në presion dhe nuk po e pranoni tuajën, sa është besueshmëria e kësaj”, pyeti ajo.

Murseli u përgjigj se e dëgjoi në veturë për në stacion.

“Deklaratën e Plavës ma kanë treguar policët rrugës...”

“Unë deklaratën e Plavës ma kanë treguar policët rrugës për në stacion, më kanë treguar foto që ishte i gjakosur që e kishin rrahur dhe mi tregoi titujt e portaleve, kjo ka qenë rrugës për në stacion”, tha ai.

Naim Murseli, Granit Plava dhe Kushtrim Kokallën akuzohen për vrasjen e Liridona Ademajt më 29 nëntor të vitit 2023.

Sipas aktakuzës, Murseli e ka organizuar vrasjen e bashkëshortes për motive hakmarrjeje dhe për përfitim financiar, duke i premtuar Plavës 30 mijë euro nëse e kryen atë.

Kokalla akuzohet se në bashkëkryerje ka kryer veprën “vrasje e rëndë”.

I akuzuari i katërt, Tom Dodaj, i cili ua shiti armën Murselit e Plavës për 280 euro, ka pranuar fajësinë. Themelorja e dënoi me pesë vjet burgim, ndërsa, më pas Apeli ia uli dënimin në tri vjet.

Murseli e pohon se numri i telefonit është i tij, mohon mesazhin: “Shoki, puna kryhet sigurt nesër”

Në vazhdimin e seancës së sotme gjyqësore, Naim Murseli, i akuzuar për vrasjen e Liridona Ademajt më 2023, u përball me pyetjet e prokurores për mesazhet telefonike të shkëmbyera me Granit Plavën një ditë para krimit.

Naim Murseli mohoi se i ka dërguar mesazhin Granit Plavës: “Shoki, puna kryhet sigurt nesër”.

I pyetur nga prokurorja Javorka Perlinçeviq për numrin e telefonit, Murseli konfirmoi se ka qenë numri i tij telefonik , por tha se nuk i kujtohet nëse i ka dërguar mesazhe Granit Plavës.

Murseli: Unë kam qenë përdorues i këtij numri

“Unë kam qenë përdorues i këtij numri”, tha shkurt ai.

Prokurorja e pyeti se a e ka dërguar këtë mesazh. Murseli u përgjigjet se nuk i kujtohet.

Murseli: Nuk më kujtohet, por numri im është

“Nuk më kujtohet, por numri im është”, tha Murseli.

Prokurorja tregoi se janë bërë katër ekspertiza në telefonin e Granit Plavës.

Perlinçeviq:

“Nën ato dy mesazh ne kemi katër ekspertiza, të cilat janë të incizuara në telefonin e Granitit: tri thirrje të humbura nga numri i njëjtë që janë dërguar mesazhet më 29.11.2023. Mesazhi i parë në orën 9:16, thirrja e dytë e humbur është ditën e njëjtë, në orën 9:21”, tha ajo.

Naim Murseli, tek përgjigjej për mesazhet e dërguara, tha se Plava dhe Kokalla kishin pasur një problem në Gjakovë, prandaj i kishte telefonuar Plavës.

Murseli: Plava dhe Kokalla kishin pasur një problem në Gjakovë, prandaj i kam telefonuar Plavës

“Nuk më kujtohet në çfarë konteksti i kam dërguar këto mesazhe dhe e dyta atë ditë jam takuar me Granitin, sepse Kushtrimi dhe Graniti e kishin pasur një problem në Gjakovë dhe unë e thirrja Granitin, por nuk përgjigjej, por Kushtrimi kishte folur me të, nuk e di qysh, sidoqoftë më tha shko në filan vendin, të pret Graniti aty dhe unë iu bashkangjitem aty”, tha Murseli.

Naim Murseli, Granit Plava dhe Kushtrim Kokallën akuzohen për vrasjen e Liridona Ademajt më 29 nëntor të vitit 2023.

Sipas aktakuzës, Murseli e ka organizuar vrasjen e bashkëshortes për motive hakmarrjeje dhe për përfitim financiar, duke i premtuar Plavës 30 mijë euro nëse e kryen atë.

Kokalla akuzohet se në bashkëkryerje ka kryer veprën “vrasje e rëndë”.

I akuzuari i katërt, Tom Dodaj, i cili ua shiti armën Murselit e Plavës për 280 euro, ka pranuar fajësinë. Themelorja e dënoi me pesë vjet burgim, ndërsa, më pas Apeli ia uli dënimin në tri vjet.

Zbardhet kontrata: Murseli mori 100 mijë euro borxh nga Pacolli, thotë se ia ktheu në “forma tjera”

Naim Murseli, i akuzuar për porositjen e vrasjes së bashkëshortes së tij të ndjerë Liridona Ademajt, kishte marrë 100 mijë euro në formë huazimi nga biznesmeni multi-milioner Behgjet Pacolli, tregon një kontratë e prezantuar sot në gjykatë.

Dokumenti është paraqitur nga prokurorja e rastit Javorka Perlinçeviq në seancën gjyqësore në rastin ndaj Murselit dhe të tjerëve, të akuzuar për përfshirje në vrasjen e Liridona Ademajt.

Sipas kontratës, Murseli i obligohej Pacollit, për të cilin kishte punuar për një periudhë të gjatë, një shumë prej 100 mijë euro.

Në deklarimet e tij para trupit gjykues, Murseli ka pohuar se këtë borxh e ka kthyer, por jo përmes një pagese të drejtpërdrejtë monetare.

Ai i ka thënë trupit gjykues se obligimin ndaj Pacollit e ka shlyer “në forma të tjera”.

Murseli ka deklaruar se bëhet fjalë për një marrëveshje private mes tij dhe Pacollit, e cila sipas tij, nuk ka lidhje me interes apo përfitim të jashtëligjshëm, por është shlyer përmes formave të tjera të dakorduara mes palëve.

I akuzuari për krimin makabër të nëntorit 2023, kishte punuar për një periudhë të gjatë për Behgjet Pacollin.

Ai kishte shërbyer si këshilltar i Pacollit dhe ishte konsideruar si një nga njerëzit më të afërt të ish-zëvendëskryeministrit të Kosovës.

“Nesër përfundon, a të ka thënë Kuça që…”/ Dalin mesazhet ndërmjet Naim Murselit dhe Granit Plavës

Prokurorja e rastit ka vazhduar sot marrjen në pyetje të Naim Murselit, duke u fokusuar në ekspertizën e telefonave dhe komunikimet e tij para vrasjes së Liridona Ademajt.

Gjatë seancës, prokurorja e ka pyetur Murselin nëse e ka lexuar aktakuzën e plotë, ndërsa ai ka konfirmuar se e ka lexuar.

Ai është pyetur gjithashtu se prej kur njihet me Granit Plavën, duke deklaruar se janë njohur rreth një muaj para ngjarjes.

Prokurorja më pas ka paraqitur rezultatet e ekspertizës së telefonit të Granit Plavës, sipas së cilës Murseli kishte komunikuar rregullisht me të gjatë 10 ditëve të fundit para vrasjes së Liridona Ademajt.

Sipas prokurorisë, një ditë para vrasjes, në orën 19:41, Murseli i kishte dërguar një mesazh Granit Plavës: “Shok, me siguri nesër përfundon. A të ka thënë Kuça, që paradite”.

Prokurorja e ka pyetur Murselin nëse i kujtohet ky mesazh, ndërsa ai është përgjigjur para trupit gjykues:

“Nuk më kujtohet”.

Seanca gjyqësore po vazhdon në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

“Granit Plava ka kryer edhe dy vrasje të pasqaruara”- Naim Murseli pyetet për e-mailin me të cilin pretendohet se kërkoi takim me hetuesit

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në gjykimin ndaj Naim Murselit, Kushtrim Kokallës dhe Granit Plavës, edhe të mërkurën vazhdoi mbrojtjen i akuzuari Murseli, i cili u pyet lidhur me një e-mail, të cilin pretendohet se ia dërgoi administratës së burgut për të kërkuar takim me hetuesit, se kinse ka informacione lidhur me të akuzuarin Plava, e ku përmenden edhe dy vrasje të kryer nga ai.

Naim Murseli, Granit Plava, Kushtrim Kokalla dhe Tom Dodaj, ngarkohen për rastin e vrasjes së Liridona Ademajt më 29 nëntor 2023, raporton “Betimi për Drejtësi”.

I akuzuari Murseli, i cili mbrojtjen e nisi më 29 janar 2026, fillimisht pohoi se ka nënshkruar procesverbalin e 1 shkurtit 2024 dhe mbetet pranë asaj deklarate. Tha se në janar të vitit 2024 kishte parashtruar një kërkesë në Inspektorat.

Ai tha se asnjëherë nuk ka kërkuar nga administrata e burgut të shkojnë hetuesit për të biseduar me të.

Por, prokurorja Javorka Perlinçeviq tha se nga shkresat e lëndës rezulton se ekziston një e-mail i dërguar nga Murteli tek administrata e Burgut të Sigurisë së Lartë në Dyz, për t’ua përcjellë hetuesve, me arsyetimin se janë pranuar informacione në lidhje me të paraburgosurin Granit Plava.

“Naim Murseli e ka një info për Granit Plavën që i ka kryer dy vrasje të pasqaruara”, citoi prokurorja atë e-mail.

Gjithashtu, thuhet se aty ka deklaruar se ka informacione edhe për një armë të fshehur të llojit kallashnikov.

Pas kësaj, ajo tha se Prokuroria kishte dhënë autorizim që hetuesit Ibrahim Sahiti dhe Nazim Dalimi të shkojnë të bisedojnë me Murselin. Andaj, Perlinçeviq e pyeti Murselin nëse i kujtohet kjo vizitë nga hetuesit në burg.

“Po, më kujtohet. Ata kanë ardhë pa kërkesën time, pa dijeninë time, pa prezencën e avokatëve të mi”, tha i akuzuari Murseli.

Më pas, nga trupi gjykues iu kërkua prokurores që të fokusohet në objektin e akuzës, e që prokurorja tha se është duke parashtruar pyetje të tërthorta.“Unë po e ballafaqoj me pjesët e deklaratave që i ka dhënë në Prokurori në data të ndryshme. Se ky po thotë që ka mbetur pranë deklarimeve të dhëna kur e ka pyet avokati”, tha prokurorja.

Më pas, i akuzuari Murseli shtoi se nuk e mohon takimin me hetuesit, por që sipas tij, nuk është bërë me kërkesën e tij dhe se asnjë procesverbal nuk ekziston nga ai takim.

Prokurorja iu drejtua duke i thënë se e-maili të cilin e përmendi është provë dhe është dorëzuar edhe te mbrojtja e tij.

“Nuk është provë ajo”, tha Murseli.

Ndryshe, raporti i Institutit të Psikiatrisë Forenzike të Kosovës ka konstatuar se Naim Murseli, i akuzuar për vrasjen e Liridona Ademajt, nuk ka pasur çrregullime apo sëmundje mendore në kohën e kryerjes së veprës penale. Edhe në seancën e 22 shtatorit 2025, ekspertët Shpend Haxhibeqiri dhe Bujar Obërtinca, konstatuan se të akuzuarit Murseli dhe Plava nuk kanë çrregullime mendore.

Në seancën fillestare të mbajtur më 31 janar 2025, Naim Murseli u deklarua i pafajshëm për vrasjen e bashkëshortes së tij Liridona Ademajt, Granit Plava nuk u deklarua rreth fajësisë, kurse Kushtrim Kokalla tha se nuk deklarohet pa u konsultuar me mbrojtjen. Ndërsa, fajtor u deklarua i akuzuari Tom Dodaj. Ky i fundit, pasi pranoi fajësinë u dënua nga Themelorja me 5 vjet burgim dhe 5 mijë euro gjobë.

Por, Gjykata e Apelit me vendimin e 10 dhjetorit 2025, ndryshoi vendimin e Themelores, duke e dënuar Dodajn me 3 vjet burgim dhe 3 mijë euro gjobë për shitjen e armës.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prishtinë më 15 janar 2025 ka ngritur aktakuzë ndaj Naim Murselit, Granit Plavës, Kushtrim Kokallës dhe Tom Dodajt.

Sipas aktakuzës së siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, Murseli, Plava dhe Kokalla ishin dakorduar paraprakisht që vrasja të kryhej nga i akuzuari Plava me marrëveshje që Murseli t’ia paguante atij 30 mijë euro. I gjithë plani për vrasjen e Liridonës, thuhet se u bë nga bashkëshorti i saj, tani i akuzuari Naim Murseli, si pasojë e çrregullimit të raporteve familjare e martesore, ku edhe lindi dëshira e tij për hakmarrje.

Në aktakuzë thuhet se fillimisht plani i ishte shpalosur Kokallës nga Murseli, por ai kishte refuzuar të gjente një mundësi për vrasjen e Liridonës, e më pas Kokalla kishte gjetur Plavën, me të cilin e kishte njoftuar Naimin. E vetë Naim Murseli, thuhet se siguroi armën me 20 fishekë, nga i akuzuari Tom Dodaj, nga i cili e bleu për 280 euro. Me këtë armë, u krye vrasja e tani të ndjerës.

Mbrojtja e Naim Murselit kundërshton mënyrën e pyetjeve nga prokurorja në seancë

Në seancën e radhës gjyqësore ndaj të akuzuarit Naim Murseli, pati reagim nga pala mbrojtëse lidhur me mënyrën e parashtrimit të pyetjeve nga prokurorja e rastit.

Gjatë seancës, prokurorja ka drejtuar pyetje që lidhen me deklaratat e mëhershme të Murselit të dhëna gjatë marrjes në pyetje nga hetuesit policorë.

Kjo qasje është kundërshtuar nga avokatët mbrojtës, të cilët kërkuan nga trupi gjykues që pyetjet të jenë të natyrës tërthore dhe jo të fokusohen në detaje të deklarimeve të mëparshme hetimore.

Sipas mbrojtjes, rikthimi i vazhdueshëm në deklaratat e fazës së hetimeve cenon mënyrën e drejtë të zhvillimit të shqyrtimit gjyqësor dhe nuk është në përputhje me standardet procedurale të marrjes në pyetje gjatë seancës.

Naim Murseli kërkon të kontaktojë me fëmijët dhe Behgjet Pacollin – Ja si u përgjigj gjykata

Naim Murseli, njëri prej të akuzuarve për rastin e vrasjes së Liridona Ademajt më 29 nëntor 2023, ka kërkuar që të takojë fëmijët dhe biznesmenin Behgjet Pacollin.

Për këto kërkesa, Murselit i është thënë nga gjykata se janë në pritje nga autoritetet suedeze lidhur me fëmijët, ndërsa komunikimi me Pacollin s’i lejohet.

‘’Kam kontaktu me autoritetet suedeze jam në pritje të përgjigjes së tyre.

Ndërsa për kërkesën që keni bë për me komuniku me Behgjet Pacollin, ajo është kërkesë që nuk lejohet sepse hyn në kategorinë e personave që nuk e lejon ligji’’, i është thënë nga Gjykata.

----

Naim Murseli do të paraqitet sërish para Gjykatës Themelore në Prishtinë, si i dyshuar për vrasjen e bashkëshortes së tij, Liridona Ademajt.

Në seancën e kaluar u dëgjua dëshmia e Murselit, i cili iu përgjigj pyetjeve të avokatit të tij.

Para trupit gjykues, Murseli përshkroi natën kritike të 29 nëntorit të vitit 2023, duke mohuar se kishte planifikuar vrasjen.

Detaje tjera nuk u dhanë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat