Murseli e pohon se numri i telefonit është i tij, mohon mesazhin: “Shoki, puna kryhet sigurt nesër”

Aktuale

Murseli e pohon se numri i telefonit është i tij, mohon mesazhin: “Shoki, puna kryhet sigurt nesër”

Më: 11 shkurt 2026 Në ora: 14:48
Naim Murseli

Në vazhdimin e seancës së sotme gjyqësore, Naim Murseli, i akuzuar për vrasjen e Liridona Ademajt më 2023, u përball me pyetjet e prokurores për mesazhet telefonike të shkëmbyera me Granit Plavën një ditë para krimit.

Naim Murseli mohoi se i ka dërguar mesazhin Granit Plavës: “Shoki, puna kryhet sigurt nesër”.

I pyetur nga prokurorja Javorka Perlinçeviq për numrin e telefonit, Murseli konfirmoi se ka qenë numri i tij telefonik , por tha se nuk i kujtohet nëse i ka dërguar mesazhe Granit Plavës.

Murseli: Unë kam qenë përdorues i këtij numri

“Unë kam qenë përdorues i këtij numri”, tha shkurt ai.

Prokurorja e pyeti se a e ka dërguar këtë mesazh. Murseli u përgjigjet se nuk i kujtohet.

Murseli: Nuk më kujtohet, por numri im është

“Nuk më kujtohet, por numri im është”, tha Murseli.

Prokurorja tregoi se janë bërë katër ekspertiza në telefonin e Granit Plavës.

Perlinçeviq:

“Nën ato dy mesazh ne kemi katër ekspertiza, të cilat janë të incizuara në telefonin e Granitit: tri thirrje të humbura nga numri i njëjtë që janë dërguar mesazhet më 29.11.2023. Mesazhi i parë në orën 9:16, thirrja e dytë e humbur është ditën e njëjtë, në orën 9:21”, tha ajo.

Naim Murseli, tek përgjigjej për mesazhet e dërguara, tha se Plava dhe Kokalla kishin pasur një problem në Gjakovë, prandaj i kishte telefonuar Plavës.

Murseli: Plava dhe Kokalla kishin pasur një problem në Gjakovë, prandaj i kam telefonuar Plavës

“Nuk më kujtohet në çfarë konteksti i kam dërguar këto mesazhe dhe e dyta atë ditë jam takuar me Granitin, sepse Kushtrimi dhe Graniti e kishin pasur një problem në Gjakovë dhe unë e thirrja Granitin, por nuk përgjigjej, por Kushtrimi kishte folur me të, nuk e di qysh, sidoqoftë më tha shko në filan vendin, të pret Graniti aty dhe unë iu bashkangjitem aty”, tha Murseli.

Naim Murseli, Granit Plava dhe Kushtrim Kokallën akuzohen për vrasjen e Liridona Ademajt më 29 nëntor të vitit 2023.

Sipas aktakuzës, Murseli e ka organizuar vrasjen e bashkëshortes për motive hakmarrjeje dhe për përfitim financiar, duke i premtuar Plavës 30 mijë euro nëse e kryen atë.

Kokalla akuzohet se në bashkëkryerje ka kryer veprën “vrasje e rëndë”.

I akuzuari i katërt, Tom Dodaj, i cili ua shiti armën Murselit e Plavës për 280 euro, ka pranuar fajësinë. Themelorja e dënoi me pesë vjet burgim, ndërsa, më pas Apeli ia uli dënimin në tri vjet.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat