Bekim Jashari ka kujtuar rënien e katër dëshmorëve – Rexhep Rexhepi, Beqir Rexhepi, Muhamet Gjeli dhe Naser Gjeli – të cilët ranë në “Lisat Gjashtnjakë”, pesë ditë para sulmit ndaj lagjes Jashari dhe Komandantit Legjendar Adem Jashari.
Sipas tij, pas humbjeve në përballje me UÇK-në, forcat serbe u hakmorën me masakrën në Likoshan e Qirez, duke vrarë gra, fëmijë e pleq. Jashari theksoi se këto masakra shënuan fillimin e gjenocidit të regjimit të Slobodan Milošević në Kosovë, ndërsa populli shqiptar u ngrit më i fortë në luftën për liri.
Postimi i plotë:
Pesë ditë para se të nisnin planin e përgatitur për të sulmuar lagjen Jashari dhe Komandantin Legjendar Adem Jashari, forcat serbe u ndeshën me ushtarët e UÇK-së, në vendin e quajtur “Lisat Gjashtnjakë,” ku ranë dëshmorë Rexhep Rexhepi, Beqir Rexhepi, Muhamet Gjeli dhe Naser Gjeli.
Forcat serbe, pas humbjes në ushtarë dhe artileri që pësuan, u hakmorën duke vrarë gra, fëmijë e pleq në Likoshan e Qirez, duke mos kursyer as gruan shtatzënë.
Kjo masakër nuk ishte thjesht një krim, ishte një sinjal i qartë për krejt shqiptarët se armiku nuk do të ndalej, me synimet e tij për të na zhdukur.
Ishte prova e parë e gjenocidit që Serbia kishte nisur në Kosovë. Ishte dëshmia e parë se çfarë ishte në gjendje të bënte Millosheviqi nëse nuk ndalej.
Qirezi dhe Likoshani ishin vetëm fillimi. Pas tyre, vrasjet dhe masakrat vazhduan në Abri, Izbicë, Rezallë, Reçak, Studime, Dubravë, Krushë të Madhe e shumë vende të tjera. Por populli ynë nuk u thye. Përkundrazi, u ngrit më i fortë në luftën tonë për liri.
28 vjet pas, kujtojmë me dhembje, por edhe me krenari ata që ranë për të mos vdekur kurrë, duke u bërë lule të lirisë dhe gurthemel i shtetit që sot po e gëzojmë.
Lavdi dëshmorëve të kombit! 🇦🇱