Sot afati i fundit për zgjedhjen e presidentit, Konjufca i vetmi i propozuar

Aktuale

Sot afati i fundit për zgjedhjen e presidentit, Konjufca i vetmi i propozuar

Më: 5 mars 2026 Në ora: 07:08
Foto ilustrim

Sot përfundon afati kushtetues për zgjedhjen e presidentit të Republikës së Kosovës.

Deri në këtë moment është propozuar vetëm një kandidat për këtë post, deputeti Glauk Konjufca.

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka njoftuar një ditë më parë se kandidatura e Konjufcës është dorëzuar me nënshkrimet e 30 deputetëve nga Lëvizja Vetëvendosje dhe nga grupi multietnik, transmeton Klankosova.tv.

“Në cilësinë e kryetares së Kuvendit kam pranuar vetëm një kandidaturë për president, e cila është propozuar nga 30 deputetë nënshkrues. Sipas dokumentacionit, një pjesë e deputetëve nga Grupi Parlamentar i VV-së dhe disa deputetë nga grupi multietnik kanë nominuar Glauk Konjufcën”, deklaroi Haxhiu në konferencë për media.

Ajo theksoi se procesi i votimit nuk mund të nisë pa u plotësuar kushti themelor për të pasur së paku dy kandidatë të mbështetur me nënshkrimet e nevojshme.

“Derisa nuk kemi të paktën dy kandidatë që kanë siguruar mbështetjen e kërkuar, nuk mund të thërras seancë për zgjedhjen e presidentit”, shtoi ajo.

Në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, kjo çështje rregullohet nga Neni 86. Në pikën 2 të këtij neni thuhet se:

“Zgjedhja e Presidentit të Republikës së Kosovës duhet të bëhet jo më vonë se tridhjetë (30) ditë përpara përfundimit të mandatit të presidentit aktual”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat