Halil Geci lirohet pas paraqitjes në Polici për shkak të një postimi në Facebook – Reagon avokati Halilaj!

Aktuale

Halil Geci lirohet pas paraqitjes në Polici për shkak të një postimi në Facebook – Reagon avokati Halilaj!

Nga: M.L. Më: 10 mars 2026 Në ora: 10:14 Përditësuar në ora: 12:56 më 10.03.2026
Halil Geci, Nasuf Hasani, Gazmend Halilaj

Lirohet Halil Geci

Avokati Gazmend Halilaj, në një prononcim për gazetën Bota Sot, ka bërë të ditur se ish-veprimtari i LDK, Halil Geci, është marrë në pyetje nga Policia e Kosovës dhe ka qëndruar për disa orë në sektorin e krimeve të rënda, para se të lirohej.

Halilaj e ka cilësuar rastin si shqetësues, duke theksuar se në një shtet demokratik, institucionet nuk duhet të ndërhyjnë ndaj qytetarëve për shprehjen e mendimit në rrjete sociale.

“Pas disa orësh në Krime të Rënda, u lirua Baci Lilë. Në asnjë vend demokratik nuk ndodh që presidenti i shtetit të merret me statuset e qytetarëve, të cilat sipas Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe Kushtetutës së Republikës garantojnë të drejtën e shprehjes së lirë,” ka deklaruar Halilaj për Bota Sot.

Sipas tij, Halil Geci njihet botërisht si një person që për dekada promovon paqe dhe tolerancë në shoqëri.

Ndryshe, deklaratat e tij për situatën kushtetuese në vend shkaktuan reagime dhe interpretime të shumta.

Por, ish-veprimtari i LDK-së, Halil Geci, thotë se nuk ka kërcënuar askënd dhe se gjithçka që ka thënë ishte vetëm një shembull hipotetik.

Në një deklaratë gjatë së hënës, Geci tha se ai vetëm ka përcjellë mendimet që, sipas tij, janë shprehur edhe nga disa juristë lidhur me situatën kushtetuese në vend.

Sipas Gecit, deklarata e tij ishte vetëm një krahasim hipotetik për të shpjeguar një situatë të mundshme.

Ai tha se reagimet ndaj deklaratës së tij janë ekzagjeruar dhe se interpretimi i bërë nga Presidenca, sipas tij, është i pavend.

-------

Ish-veprimtari i Lidhja Demokratike e Kosovës, Halil Geci, është paraqitur sot në Polici në lidhje me deklaratat e dhëna së fundi për presidenten Vjosa Osmani.

Burime të gazetës “Bota sot” bëjnë të ditur se Geci tashmë ndodhet në stacionin e Policisë, ndërsa ende nuk dihet se cili mund të jetë vendimi i organeve të rendit.

Një ditë më parë u bë e ditur se Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka nisur hetimet lidhur me kërcënimet ndaj presidentes Osmani.

Përmes një njoftimi, Prokuroria bëri të ditur se hetimet janë iniciuar për veprën penale “Dhuna ndaj përfaqësuesve të lartë të Republikës së Kosovës”.

“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës njofton opinionin publik se sot ka iniciuar rast penal në lidhje me kërcënimet ndaj presidentes së Republikës së Kosovës, znj. Vjosa Osmani-Sadriu, për veprën penale ‘Dhuna ndaj përfaqësuesve të lartë të Republikës së Kosovës’, nga neni 121, lidhur me nenin 119 paragrafi 1, nënparagrafi 1.1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat