Aktakuzë ndaj hetueses policore, keqpërdori informatat zyrtare

Aktuale

Aktakuzë ndaj hetueses policore, keqpërdori informatat zyrtare

Më: 11 mars 2026 Në ora: 20:37
Prokuroria Themelore në Prishtinë

Prokuroria Themelore në Prishtinë, Departamenti i Krimeve të Rënda, Njësiti për Krime Ekonomike dhe Korrupsion, ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurës F.B., hetuese policore, për shkak të veprës penale Keqpërdorimi i informatës zyrtare, sipas nenit 416 të KPRK-së.

“Pas zhvillimit të hetimeve dhe ndërmarrjes së veprimeve të nevojshme procedurale, ekziston dyshimi i bazuar mirë se e pandehura F.B., në cilësinë e personit zyrtar, hetuese policore në ekipin për Hetimin e Personave të Zhdukur, ka keqpërdorur informatën zyrtare, në të cilën kishte qasje si rezultat i detyrës së saj”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.

Sipas aktakuzës, me kërkesën private të mikut të saj, A.P., dhe me qëllim që ky i fundit të përfitojë përparësi që nuk i takojnë, e pandehura përmes llogarisë zyrtare është kyçur në Sistemin Informativ të Policisë së Kosovës (SIPK), ku ka siguruar të dhëna personale dhe të kaluarën kriminale të dëmtuarit F.M.

“Të dhënat janë dërguar përmes rrjetit social “WhatsApp” tek A.P., i cili, me qëllim të diskreditimit të dëmtuarit, i ka publikuar në emisionin televiziv më 20.12.2025”, thuhet në njoftim.

Prokurori i shtetit thekson se do të vazhdojë punën për ruajtjen e sigurisë dhe rendit juridik të Republikës së Kosovës, duke luftuar dukuritë negative, me theks të veçantë në mbrojtjen e informacioneve konfidenciale që kanë ndikim të drejtpërdrejtë në jetën e qytetarëve.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat