KQZ miraton planin e punës, pezullohet nëse ka zgjedhje të jashtëzakonshme
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka miratuar planin e punës për vitin 2026. Në mbledhjen e KQZ-së u tha se ky dokument është përgatitur në përputhje me Planin Strategjik të KQZ-së për periudhën 2023 – 2026, si dhe duke u mbështetur në konkluzionet dhe rekomandimet e përfituara nga proceset zgjedhore të vitit 2025.
Në këtë plan parashihet mundësia që të pezullohet zbatimi i tij në rast të shpalljes së zgjedhjeve të parakohshme.
“Mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme apo të jashtëzakonshme pamundësojnë realizimin e pjesës dërmuese të aktiviteteve të planifikuara, përveç atyre që përbëjnë obligime ligjore që ndërlidhen me raportimin ose që burojnë nga ligjet e tjera në fuqi. Ky parashikim siguron që institucioni të mbetet i fokusuar në përgjegjësitë bazë edhe në situata të paplanifikuara”, thuhet në këtë raport.
Kështu tha edhe Arianit Elshani nga Këshilli i Operacioneve Zgjedhore, para anëtarëve të KQZ-së kur u diskutua kjo pikë.
“Është përgatitur një plan i punës konform strategjisë i miratuar të KQZ për vitin 2023 deri 2026 në kuadër të 5 shtyllave strategjike. Janë gjithsej 73 aktivitetet që janë të listuara në kuadër të planit të punës , sigurisht këtu janë marrë parasysh kufizimet në buxhet , por edhe mundësia e rrezikut dhe shkuarjes në zgjedhje”, tha ndër të tjera ai.
KQZ pezullon AKR-në, nuk mbajti kuvendin zgjedhor brenda afateve
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka marrë vendim për pezullimin e partisë Aleanca Kosova e Re (AKR), për shkak të mosmbajtjes së kuvendit zgjedhor brenda afateve të parapara ligjore.
Vendimi sipas tyre mbështetet në Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme, sipas të cilit, partia e regjistruar politike mban kuvendin zgjedhor brenda 6 muajve nga data e regjistrimit dhe pastaj së paku çdo 48 muaj.
Sipas KQZ-së, AKR-ja, e regjistruar në KQZ në vitin 2007, ka qenë e obliguar që deri më 25 shkurt 2026 të mbajë kuvendin zgjedhor të radhës.
Aty kanë treguar se më 4 dhe 24 shkurt, Zyra për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike ka njoftuar këtë subjekt politik për obligim ligjor, por pavarësisht këtyre njoftimeve, nuk janë ndërmarrë veprimet për përmbushjen e këtij obligimi ligjor.
Andaj, KQZ thotë se duke u mbështetur në këtë morën vendim për pezullimin e partisë politike, Aleanca Kosova e Re dhe ta obligojë atë, që në një afat shtesë prej 45 ditësh, ta mbajë konventën apo kuvendin e saj.
Sipas KQZ-së në rast të mosmbajtjes së kuvendit zgjedhor as pas këtij afati, KQZ do ta çregjistrojë këtë parti politike nga regjistri i partive politike në Kosovë.
KQZ mban sot mbledhje, do të pezullohet një parti politike
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të mbajë sot mbledhje duke filluar nga ora 13:30, ku pritet të shqyrtohen disa çështje të rëndësishme në kuadër të funksionimit të institucionit.
Mbledhja do të kryesohet nga kryesuesi i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi.
Sipas njoftimit për media, një nga pikat kryesore të rendit të ditës është shqyrtimi i rekomandimit për pezullimin e partisë politike Aleanca Kosova e Re (AKR).
Përveç kësaj, gjatë mbledhjes pritet të diskutohen edhe disa çështje të tjera që lidhen me aktivitetet e KQZ-së dhe funksionimin e institucioneve zgjedhore.
Më poshtë mund të gjeni dokumentin e plotë të rendit të ditës.