Ish-deputeti i Lidhjes Demokratike e Kosovës, Adem Salihaj, ka reaguar pas largimit të Richard Grenell nga John F. Kennedy Center for the Performing Arts, duke e cilësuar këtë zhvillim si një lajm të mirë për Kosovën.
Sipas Salihajt, largimi i Grenellit është i rëndësishëm sepse, sipas tij, ai po largohet gradualisht nga skena politike dhe nga mundësitë për të ndikuar në çështjet që lidhen me Kosovën.
Ai e ka akuzuar Grenellin se kishte mbështetur një plan për marrëveshje mes Hashim Thaçin dhe Aleksandar Vučić-n, për të cilin Salihaj pretendon se do të rrezikonte integritetin territorial të Kosovës.
Salihaj po ashtu ka përmendur edhe rolin e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, dhe të ish-kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti, në zhvillimet politike të asaj kohe, duke kritikuar nënshkrimin e nismës Open Balkan.
Shkrimi i plotë:
Largimi i Richard Grenellit edhe nga Qendra Kenedi është ndër lajmet e mira që po na vijnë
Largimi i Richard Grenellit edhe nga Qendra Kulturore Kenedi është lajm i madh, jo për faktin se u largua nga kjo pozitë e parëndësishme, por për faktin se ai u eliminua nga çdo mundësi ndikimi dhe po del gradualisht nga skena politike.
Richard Grenell, është njeriu i paguar dhe dekoruar nga Serbia, promovues i madh i planit më famëkeq e më të rrezikshëm të treshes Thaçi-Vuçiq-Rama, i cili do ta coptonte dhe shkatërronte tërësisht Kosovën si shtet. Ai bindi Presidentin Tramp se ky ishte një plan i mirë, i cili ndalte një luftë dyqind vjeçare në mes shqiptarëve dhe serbëve dhe ishte vullnet i presidentëve të Kosovës dhe Serbisë për ta nënshkruar atë. Grenelli kishte përgatitur planin dhe gjithë ceremoninë e nënshkrimit të tij. Që nga çlirimi në vitin 1999, Kosova nuk kishte pasur një situatë kaqë të rrezikshme.
Qenë shtetet mike, të cilat, përmes shërbimeve të tyre inteligjente, e ndalën këtë plan një ditë para nënshkrimit të tij. Shërbimet inteligjente të Anglisë, Gjermanisë dhe SHBA-së, përmes shpalljes së fletarrestit të kryeprokurorit të Gjykatës Speciale Jack Smith, e ndalën Thaçin duke hipur në aeroplan në aeroportin e Vjenës.
Richard Grenell, bashkë me Ramën dhe Vuqiçin, kurrë nuk u ndalën në realizimin e këtij plani. Kjo e shpjegon edhe angazhimin kaqë të madh të Ramës dhe Grenellit për lirimin e Thaçit, sepse pa të, ky plan nuk mund të realizohet.
Grenelli dhe Rama ia bënë edhe një shërbim të madh Vuqiçit - e "detyruan" Avdullah Hotin, që si kryeministër, ta nënshkruajë projektin serb Ballkani i Hapur dhe ndarjen me Serbinë të Liqenit të Ujmanit.
Richard Grenell, prej një njeriu super të fuqishëm, prej një emisari special e shefi të 17 shërbimeve inteligjente të SHBA-ve, prej një ambasadori prepotent, prej tash nuk paraqet asgjë.
Është lehtësim i madh që Richard Grenell, ky njeri proserb e antishqiptar, më nuk do do t'i rrijë mbi kokë si kërcënim Kosovës.