Gjykata Themelore në Prishtinë konfirmoi aktakuzën ndaj ish-ministres së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, dhe tre personave të tjerë, lidhur me dyshimet për keqpërdorimet me rezervat shtetërore.
Gjykimi për këtë rast nisi në fillim të vitit, kur më 13 janar u mbajt seanca fillestare.
Aktakuza për dyshime për keqpërdorime të rezervave shtetërore ndaj Hajdarit dhe tre të akuzuarve të tjerë u ngrit më 11 nëntor 2025.
Ish-ministrja Hajdari, aktualisht deputete nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, dhe dy zyrtarë të MINT-it, Irfan Lipovica dhe Hafiz Gara dyshohen se bashkëkryerje i kanë keqpërdorur detyrat zyrtare me qëllim që të përfitonin pasuri për persona të tjerë dhe i kanë shkaktuar buxhetit të Kosovës një dëm prej rreth 3 milionë eurove gjatë muajve shkurt dhe mars 2022.
Ata dyshohet se asokohe kishin blerë një sasi vaji dhe një sasi gruri jashtë vendit, që nuk kishin arritur kurrë në Kosovë.
Hajdari, Lipovica dhe Gara dyshohen për kryerjen e veprave penale keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar, dhe zbulimi i fshehtësisë zyrtare.
Ndërsa i akuzuari i katërt, afaristi Ridvan Muharremi, dyshohet për ndihmë në kryerjen e veprës penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar.