“Ndëshkoni Serbinë” – Kurti i drejtohet ndërkombëtarëve - Qeveria ka edhe një kërkesë ndaj Osmanit për Gërvallën

Aktuale

“Ndëshkoni Serbinë” – Kurti i drejtohet ndërkombëtarëve - Qeveria ka edhe një kërkesë ndaj Osmanit për Gërvallën

Më: 19 mars 2026 Në ora: 07:39 Përditësuar në ora: 14:46 më 19.03.2026
Qeveria e Kosovës

Këto janë të gjitha vendimet që miratoi sot, Qeveria e Kosovës

Nga: A.M.

Sot, Qeveria e Republikës së Kosovës ka mbajtur mbledhjen e 5-të rregullt.

Gjatë kësaj mbledhje, janë miratuar disa vendime me rëndësi në fusha të ndryshme, përcjell “Bota sot”.

Më poshtë janë të gjitha vendimet që u morën nga Qeveria:

Miratuar vendimin për bartjen e Zyrës për çështjet e kategorive të dala nga lufta e UÇK-së, e cila vepron në kuadër të ZKM-së, në Ministrinë për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare.

Miratuar vendimin për Themelimin dhe Funksionimin e Sistemit për Zbatimin e Mbështetjes së Bashkimit Evropian për Kosovën përmes Instrumentit për Reforma dhe  Rritje Ekonomike për Ballkanin Perëndimor. Qëllimi i këtij vendimi është vendosja e sistemit kombëtar për zbatimin e mbështetjes së Bashkimit Evropian përmes Instrumentit për Reforma dhe Rritje Ekonomike për Ballkanin Perëndimor, përfshirë Agjendën e Reformave të Instrumentit për Reforma dhe Rritje Ekonomike, si dhe përcaktimi i fushëveprimit, përbërjes dhe metodave të punës së strukturave koordinuese ndërinstitucionale të Qeverisë së Republikës së Kosovës, për këtë instrument. Përmes këtij vendimi Jeton Zulfaj, këshilltar politik i kryeministrit emërohet Koordinator Kombëtar i Instrumentit për Reforma dhe Rritje Ekonomike.

Miratuar vendimin për të kërkuar nga Presidentja e Republikës së Kosovës, dhënien e autorizimit për Ministren e Drejtësisë për nënshkrimin e Marrëveshjes për Ndihmë të Ndërsjellë Juridike në Çështjet Penale, me Qeverinë e Mbretërisë së Belgjikës. Qëllimi i kësaj Marrëveshjeje është krijimi i një baze ligjore dypalëshe, si dhe forcimi dhe thellimi i mëtutjeshëm i bashkëpunimit në fushën e ndihmës juridike në çështjet penale në mes të dy vendeve, duke lehtësuar procedurën ligjore, për të mundësuar bashkëpunim sa më të frytshëm dhe efikas dhe harmonizim të procedurave.

Miratuar vendimin për përditësimin e Listës Shtetërore Strategjike për Mallra me Përdorim të Dyfishtë, duke iu referuar Listës së Bashkimit Evropian, për mallrat që vihen nën kontroll për shkaqe të sigurisë kombëtare, politikës së jashtme, sigurisë publike, ose për arsye të të drejtave të njeriut.

Miratuar kërkesën e Ministrisë së Shëndetësisë për pagesën e 55 (pesëdhjetepesë)   specializantëve me vetëfinancim nga kategoria ekonomike "Subvencione dhe transfere", në vlerë prej 165,280.50 euro.

Miratuar kërkesën e Ministrisë së Shëndetësisë për pagesën e 37 (tridhjeteshtatë)  specializantëve me vetëfinancim nga Lugina e Preshevës, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria, nga kategoria ekonomike "Subvencione dhe transfere", në vlerë prej 385,654.50 euro.

Miratuar vendimin Përfundimtar për shpronësim dhe krijimin e të drejtës së servitutit për interes publik të pronave të paluajtshme, të cilat preken nga realizimi i Projektit “Linja ajrore 110kV, parku me Erë - Zatriqi 1&2".

Miratuar vendimin për themelimin, organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave të Reformës së Administratës Publike dhe strukturave përgjegjëse për të koordinuar, monitoruar dhe zbatuar dokumentet strategjike të Reformës së Administratës Publike. Themelimi, funksioni dhe përbërja e Këshillit të Ministrave të Reformës së Administratës Publike, do të jetë struktura kryesore përgjegjëse për sigurimin e zbatimit të dokumenteve strategjike të Reformës së Administratës Publike dhe do të ketë këtë përbërje:

◦ Ministri i Ministrisë së Digjitalizimit dhe Administratës Publike, kryesues;

◦ Ministri i Ministrisë së Financave, anëtar;

◦ Ministri i Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, anëtar;

◦ Ministrja e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, anëtare;

◦ Ministrja e Ministrisë së Drejtësisë, anëtare; dhe

◦ Përfaqësues nga Zyra e Kryeministrit, anëtar.

Miratuar vendimin për aprovimin e përshtatjes së ndarjeve buxhetore, sipas Rregullores (QRK) Nr. 04/2026 për Fushat e Përgjegjësisë Administrative të Ministrive.

Miratuar kërkesën e Ministrisë së Financave për dhënien në shfrytëzim të ngastrave  kadastrale për Doganën e Kosovës. Bartja e të drejtës së shfrytëzimit bëhet me qëllim të shfrytëzimit nga Dogana e Kosovës për nevoja të ndërtimit të Terminalit Publik.

Miratuar vendimin Përfundimtar për shpronësim për interes publik të pronave të paluajtshme të pronarëve dhe zotëruesve të interesit, të cilat preken nga realizimi i projektit: "Ndërtimi i Qendrës për Sport dhe Kulturë”, Komuna Ferizaj.

Miratuar vendimin Preliminar për shpronësim për interes publik të pronës së paluajtshme ish shoqërore KBI Ereniku, për nevoja të realizimit të Projektit "Ndërtimi i Zonës Industriale të Mbrojtjes”.

Miratuar vendimin Preliminar për shpronësim për interes publik të pronave të paluajtshme të pronarëve të cilat preken nga realizimi i Projektit: Zgjerimi i Rrugës Nacionale M25, Prishtinë – Podujevë.

Miratuar Raportin për Vlerësimin Ex-Post të Ligjit Nr.08/L-250 për Ndryshime Klimatike.

Miratuar vendimin për ndarjen e mjeteve buxhetore për Fondin e Ekselencës. Ministria e Financave sjell për aprovim vendimin për ndarje të mjeteve buxhetore në shumë prej 400 mijë euro, sipas kërkesës së Zyrës së Kryeministrit, për realizimin e projekteve përmes Marrëveshjeve me trupat e Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Fondin e Ekselencës.

Miratuar vendimin për vazhdimin edhe për 3 muaj të mandatit të Komisionit për Verifikimin e Diplomave të lëshuara nga Universiteti i Mitrovicës së Veriut.

Marrë vendim për mbështetjen e Orkestrës së fëmijëve dhe të rinjve “Amadeus” që do ta përfaqësojnë Republikën e Kosovës këtë vit në Spanjë, (Spring Symphonies) dhe në Çeki (Musica Orbis Prague Festival), në garën ndërkombëtare të orkestrave. Vitin e kaluar kjo orkestër është mbështetur nga Qeveria jonë dhe është renditur e dyta në botë duke u shpërblyer më çmimin e argjendtë. Artistët e rinj të orkestrës Amadeus të moshës 10 deri 16 vjeç, 55 anëtarë në tërësi do të mbështesim sërish në garë të madhe nga Fondi për Promovimin e vendit i paraparë me Ligjin e Buxhetit në vlerë prej 138 mijë euro, sipas kërkesës.

Adresimi i plotë i Kryeministrit Kurti në mbledhjen e 5-të të Qeverisë

Nga: A.M.

Në mbledhjen e pestë të Qeverisë së Republikës së Kosovës, Kryeministri Albin Kurti mbajti një adresim gjithëpërfshirës, duke trajtuar me seriozitet zhvillimet më të fundit në vend dhe rajon.

Fjalimi i tij nisi me një mesazh ngushëllimi për humbjen tragjike të tre shtetasve kosovarë në Austri, për të vijuar më pas me shqetësimet lidhur me veprimet provokuese ushtarake të Serbisë pranë kufirit.

Krahas çështjeve të sigurisë dhe politikës së jashtme, Kryeministri theksoi edhe angazhimin e Qeverisë për mbështetjen e qytetarëve, zhvillimin e sektorit shëndetësor dhe forcimin e institucioneve, duke paraqitur pikat kryesore të rendit të ditës së mbledhjes, përcjell “Bota sot”.

Adresimi i plotë i Kryeministrit Kurti në mbledhjen e 5-të të Qeverisë:

Të nderuar zëvendëskryeministra, ministra të kabinetit qeveritar, zëvendësministra,

Të nderuar punonjës të mediave dhe të kabinetit qeveritar,

Të dashur qytetarë të Republikës,

Mbrëmjen e së martës, u pikëlluam e u tronditën të gjithë nga lajmi për vdekjen tragjike të tre shtetasve të Republikës së Kosovës në një kantier ndërtimi në Alsergrund të Vjenës, në Austri.

Në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, në këto momente të rënda, shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjet Bajrami, Musliu dhe Zeka, si dhe të gjithë atyre që janë prekur nga kjo ngjarje e rëndë.

Pajtimi, Asllani dhe Istrefi do të kujtohen përherë si punëtorë e bashkatdhetarë. Vdekja e tyre tragjike, duke punuar jashtë vendit, duhet të na shërbejë si moment përkujdesjeje dhe reflektimi për sakrificën dhe mundin, shpeshherë jo të çmuar sa duhet të mërgatës sonë; vënien në limite të qenies së tyre, duke u angazhuar për familjet dhe vendin tonë.

Qeveria e Republikës së Kosovës është në komunikim të ngushtë me ambasadën tonë në Vjenë dhe nëpërmjet saj, me autoritetet austriake, për të ofruar gjithë mbështetjen e nevojshme për familjet e të ndjerëve.

E tash, në nderim të shtetasve tanë, të cilët humbën jetën tragjikisht, duke punuar për veten dhe për familjet e tyre, e duke i kontribuar edhe vendit tonë, ju ftoj të ngritemi në këmbë për një minutë heshtje!

U prehshin në paqe!

Të nderuar kolegë,

Të dashur qytetarë,

Jemi thellësisht të shqetësuar me demonstrimin e pajustifikueshëm ushtarak të Serbisë me helikopterë dhe parashutistë në zonat e banuara me shqiptarë në Komunën e Bujanovcit, fare pranë kufirit me Republikën e Kosovës.

Një shfaqje e tillë e forcës ushtarake mbi shtëpi, shkolla, qendra të mjekësisë, përbën jo vetëm trysni, nxitje tensioni dhe përpjekje për t’i frikësuar banorët atje, e cila ka vite që po përballet me spastrim etnik administrativ nga regjimi autokrat në Serbi, por tregon edhe një provokim të hapur ndaj shtetit tonë të pavarur, Republikës së Kosovës.

Këto provokime në afërsi të brezit kufitar në Karaqevë nga Njësia e Brigadës 63 të Parashutistëve të Serbisë, përmes stërvitjeve me helikopterë H145M dhe kërcënimeve me parashutë disa metra larg kufirit me Republikën e Kosovës, përbëjnë një shfaqje të rrezikshme të agresionit.

Kjo shfaqje bëhet edhe më alarmuese, kur kujtojmë se e njëjta njësi ka trajnuar dhe mbështetur grupin e kriminelit Milan Radojçiq, të cilët realizuan sulmin agresor e terrorist në fshatin Banjskë të Zveçanit, kur vranë rreshterin policor, Afrim Bunjakun, heroin e Kosovës.

Këto lëvizje ushtarake, të kombinuara me retorikën nxitëse të Presidentit të Serbisë, Vuçiq, se kinse Serbia po përgatitet për një sulm të mundshëm nga një aleancë Kroaci – Shqipëri – Kosovë, si dhe blerja e armatimit kinez dhe rus, konfirmojnë se Serbia po përdorë ushtrinë si mjet shantazhi për të mbajtur rajonin e Ballkanit nën tension të vazhdueshëm.

Në një kohë kur siguria globale është tejet e brishtë për shkak të agresionit të vazhdueshëm rus në Ukrainë, si dhe tensioneve në rritje në Lindjen e Mesme, me Iranin gjithnjë e më agresor ndaj fqinjëve, Beogradi po shfrytëzon këtë moment për të sfiduar gatishmërinë e institucioneve vendore dhe ndërkombëtare të sigurisë dhe në përgjithësi stabilitetin e Ballkanit Perëndimor sipas interesave të Serbisë dhe aleatëve të saj, Rusisë dhe Iranit, që duan të kenë trazira, konflikte dhe paqëndrueshmëri gjithandej.

Në anën tjetër, duhet të vërejmë edhe që Serbia këtë po e bën nga dëshpërimi i saj.

Së pari, tash nuk kanë më struktura ilegale e paralele në Kosovë, që të na destabilizojnë e cenojnë së brendshmi, andaj, sillen e pështillen rrotull kufirit dhe

Së dyti, Serbia nuk mund ta mbajë më rajonin tonë të Evropës Juglindore peng. Ajo ka ngelur e fundit për nga indekset ndërkombëtare të demokracisë, të drejtave të njeriut dhe sundimit të ligjit. Të gjithë në te tjerët e duam Bashkimin Evropian, kurse ajo është përcaktuar për Federatën ruse.

Me këtë rast, thirrja jonë për shqiptarët në Preshevë, Medvegjë e Bujanovc, është që të mos bien pre e politikave nxitëse e destabiliziuese, autokrate dhe shtypëse.

Institucionet e Kosovës mbeten vigjilente dhe të gatshme për t’u përballur me çdo kërcënim. Por, është koha, që komuniteti ndërkombëtar të ndëshkojë këtë qasje destabilizuese të Serbisë, që kërcënon drejtpërdrejt paqen dhe sigurinë rajonale.

Është koha e fundit pra, që bota demokratike të dënojë veprime të tilla të përsëritura të Serbisë dhe të ndërmarrë hapa konkret për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanovc.

Të nderuar kolegë,

Të dashur qytetarë,

Sot, në mbledhjen e 5-të të Qeverisë së Republikës së Kosovës, në rend dite kemi 17 pika. Disa prej tyre paraqesin pikënisje e të tjerat vazhdime të punëve të mira.

Në vijimësi të mbështetjes së Qeverisë sonë për Luginën e Preshevës, kemi propozimin për mbulimin e pagesës për 37 specializantë me vetëfinancim, të cilët vijnë nga Lugina, e po ashtu edhe nga Mali i Zi, Maqedonia e Veriut e Shqipëria.

Kjo mbështetje lehtëson barrën, mundëson vazhdimin e zhvillimit profesional dhe krijon kushte për përfshirjen e tyre në shërbime shëndetësore.

Krahas kësaj, kemi edhe propozimin tjetër të Ministrisë së Shëndetësisë për mbulimin e pagesës së 55 specializantëve me vetëfinancim nga kategoria ekonomike subvencione dhe transfere.

Këta profesionistë janë tashmë pjesë e sistemit shëndetësor dhe po kontribuojnë në ofrimin e shërbimeve shëndetësore. Mbështetja financiare synon të sigurojë vazhdimësinë e specializimeve të tyre.

Për mundësim të punësimit në institucionet publike si masë afirmative e në shërbim të integrimit të komunitetit serb të Kosovës në institucionet e Republikës së Kosovës, Qeveria e zgjatë edhe për tre muaj mandatin e Komisionit për Verifikimin e Diplomave të Universitetit të Mitrovicës së veriut.

Duke vlerësuar lart luftën për liri dhe pavarësi të popullit tonë, për herë të parë vlerat e Luftës Çlirimtare, i kemi vendosur në emërtimin e një ministrie, të cilën sot do t’ia kalojmë një zyre të rëndësishme.

Bartja e Zyrës për Çështjet e Kategorive të dala nga Lufta e UÇK-së në kuadër të Ministrisë për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, synon forcimin e përkujdesjes institucionale dhe koordinim më të drejtpërdrejt të politikave për kategoritë e dala nga Lufta Çlirimtare.

Në përputhje me nenin 17 të Ligjit për Statusin dhe të Drejtat e Dëshmorëve, Invalidëve, Veteranëve, Pjesëtarëve të UÇK-së, Viktimave Civile dhe familjeve të tyre, kjo zyrë bashkërendon aktivitetet për këto kategori, mban regjistrin qendror për dëshmorët, invalidët, veteranët dhe viktimat civile të luftës, lëshon vërtetime zyrtare mbi bazën e këtij regjistri dhe ofron mbështetje administrative e financiare për Komisionin Qeveritar përkatës.

Duke kursyer minutat tjerë për prezantimin e pikave nga ministrat, ju ftoj ta nisim menjëherë me rendin e ditës. Ju faleminderit për vëmendje.

Qeveria i kërkon Presidentes Osmani t’i japë autorizimin Gërvallës për një marrëveshje me Belgjikën në fushën e drejtësisë

Qeveria e Kosovës ka miratuar propozim-vendimit për të kërkuar nga Presidentja Vjosa Osmani dhënien e autorizimit për ministren e Drejtësisë, Donika Gërvalla, për nënshkrimin e Marrëveshjes për Ndihmë të Ndërsjellë Juridike në Çështjet Penale, me Qeverinë e Mbretërisë së Belgjikës.

Kryeministri Albin Kurti e prezantoi këtë pikë në mbledhjen e sotme të qeverisë.

“Në frymën e thellimit të raporteve dypalëshe në fushën e Drejtësisë, sot para jush paraqesim për miratim propozimin e MD që Qeveria e Kosovës t’i rekomandojë presidentes dhënien e autorizimit ministres së Drejtësisë për nënshkrimin për Ndihmë të Ndërsjellë Juridike në Çështjet Penale me Qeverinë e Mbretërisë së Belgjikës”, tha ai.

Ndërkaq, Gërvalla tha se kjo marrëveshje do të intensifikonte bashkëpunimin juridik në çështjet penale.

“Në shërbim të forcimit të bashkëpunimit juridik ndërkombëtar në çështjet penale ka iniciuar lidhjen e marrëveshjes për ndihmë të ndërsjellë juridike në çështjet penale. Kemi zhvilluar negociatat me Ministrinë e Drejtësisë së Belgjikës dhe është arritur pëlqimi lidhur me tekstin e marrëveshjes. Qëllimi është baza ligjore dypalëshe”.

Kurti i bën thirrje ndërkombëtarëve: Ndëshkoni Serbinë për provokimet

Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se stërvitjet e ushtrisë serbe me helikopterë dhe parashutistë disa metra larg kufirit me Kosovën, sipas tij, përbëjnë shfaqje të rrezikshme të agresionit.

Në mbledhjen e pestë të qeverisë, Kurti tha se kjo shfaqje bëhet edhe më e rrezikshme kur kuptohet se njësia që po ushtronte afër Kosovës, siç tha shefi i qeverisë, është e njëjta që ka trajnuar kryekriminelin Milan Radoiçiq.

“Jemi thellësisht të shqetësuar me demonstrimin e pajustifikueshëm ushtarak të Serbisë, me helikopterë e parashutistë në zonat e banuara me shqiptarë në komunën e Bujanocit, fare pranë kufirit me Republikën e Kosovës”.

“Një shfaqje e tillë e forcës ushtarake mbi shtëpi, shkolla, qendra të mjekësisë, përbën jo vetëm trysni, nxitje tensioni dhe përpjekje për t’i frikësuar banorët atje, e cila ka vite që po përballet me spastrim etnik administrativ nga regjimi autokrat në Serbi, por tregon edhe një provokim të hapur ndaj shtetit tonë të pavarur”, u shpreh ai.

Kurti shtoi se me këto lëvizje si dhe me blerjen e raketave nga Kina, sipas tij, Serbia përdor ushtrinë si një mjet shantazhi për të mbajtur rajonin e Ballkanit në tension të vazhdueshëm.

Pos tjerash, shefi i qeverisë po ashtu tha se këtë Serbia e bën edhe nga dëshpërimi.

Ai u bëri thirrje shqiptarëve të Luginës së Preshevës që të mos bien pre e këtyre “provokimeve”.

Po ashtu, Kurti i bëri thirrje botës demokratike që të marrin masa dhe ta ndëshkojnë Serbinë.

Qeveria mban 1 minutë heshtje për tre kosovarët që vdiqën tragjikisht në Vjenë

Kryeministri Albin Kurti bashkë me ministrat e tij kanë mbajtur 1 minutë heshtje për tre shtetasit kosovarë të cilët vdiqën tragjikisht pak ditë më parë në një kantier ndërtimi në Vjenë.

Gjatë fjalës së tij në mbledhjen e pestë të Qeverisë, Kurti tha se të rinjtë nga Kosova do të kujtohen përherë si punëtorë e bashkatdhetarë, derisa shtoi se vdekja e tyre duhet të shërbejë si moment përkujdesjeje dhe reflektimi për sakrificën dhe mundin e mërgatës sonë.

“Në emër të Qeverisë në këto momente të rënda shpreh ngushëllime më të sinqerta për familjet dhe gjithë atyre që janë prekur nga kjo gjendje”, tha Kurti mes tjerash.

Shtetasit që vdiqën në rrethana tragjike janë Pajtim Bajrami, Asllan Musliu dhe Istref Zekaj.

Kurti sot mbledh kabinetin qeveritar

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thirrur mbledhjen e radhës të Qeverisë së Kosovës.

Lajmi është bërë i ditur nga Zyra e Kryeministrit.

E cila ka njoftuar se mbledhja do të zhvillohet sot në ndërtesën e Qeverisë me fillim nga ora 11:00.

Ndryshe, agjenda e kësaj mbledhje nuk u bë e ditur.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat