Vrasja e Liridona Ademajt / Murseli ballafaqohet me prova të reja dhe fotografi nga nata kritike - deklarata e tij ngre dyshime

Aktuale

Vrasja e Liridona Ademajt / Murseli ballafaqohet me prova të reja dhe fotografi nga nata kritike - deklarata e tij ngre dyshime

Më: 26 mars 2026 Në ora: 07:46 Përditësuar në ora: 15:14 më 26.03.2026
Naim Murseli

Granit Plava: Naim Murseli m’i premtoi 250 mijë euro si dhuratë për mbajtjen e burgut

I akuzuari Granit Plava deklaroi para Gjykatës Themelore në Prishtinë se ishte marrë vesh me Naim Murselin që ta merrte përgjegjësinë për vrasjen e Liridona Ademajt ndonëse nuk e dinte se kush është viktima, dhe se shuma prej 30 mijë euro që u përmend në Polici ishte për të mos u përmendur shuma të mëdha. Tha se 250 mijë euro iu premtuan për periudhën sa do ta mbante burgun.

Sipas Plavës, dy ditë para ngjarjes kritike janë takuar me Naim Murselin, i cili e kishte telefonuar dhe i kishte kërkuar të takohen. Tha se fillimisht e takoi Kushtrim Kokallën në kafene, raporton “Betimi për Drejtësi“.

I akuzuari thotë se atë ditë u takua me Murselin, i cili i kishte thënë të mos flasë me askënd dhe ua kishte dhënë nga 3 mijë e 400 euro.

“M’i ka lanë në tavolinë edhe Kushtrimit i ka thanë diçka për gru t’vet kishte e ka pas te t’vetit edhe më tha mos fol hiç, masi u largu Kushtrimi se m’tha unë po shkoj në Tiranë me kry një punë e nashta vjen personi në fjalë me neve tu fol për viktimën- po emrin s’ma ka thanë kurrë”, tha Plava.

I akuzuari thotë se nga aty kishte vazhduar diku tjetër, ku kishte dalë për të pirë me paratë që i mori nga Plava, ndërkaq Murseli kishte vazhduar për në Tiranë.

Ai thotë se të gjitha takimet që i kishte me Naim Murselin i kishte me iniciativë të këtij të fundit dhe se asnjëherë as në telefon nuk e ka thirrë.

Në këtë seancë, Plava deklaroi se i akuzuari Murseli i kishte thënë që pasi të dalë nga burgu- pas dy vitesh, ngase rasti është i rëndë dhe para kësaj periudhe nuk mund ta nxjerrë, gjatë kësaj periudhe do kujdesej vetë Murseli për familjen e Plavës

“Më ka ofru punën me 1300 euro rrogë, ki me kanë gjithmonë afër meje e Behgjet Pacollit”, deklaroi ai.

Këtyre premtimeve, i akuzuari thotë se u besonte derisa i shikonte edhe fotografitë e Murselit me persona të famshëm, përfshirë këngëtaren Rita Ora.

“Këto 30 mijë euro që kam thanë në Polici, për këtë e kemi pas marrëveshje me Naimin dhe ai e ka përmend këtë shumë në Polici për mos me u përmend shuma të mëdha. Në fakt, kanë pas me u dhanë 250 mijë euro, por jo menjëherë- por gradualisht”, thotë Plava.

Kjo shumë, sipas tij, ishte krahas punës që i ishte premtuar. Tha se shuma në fjalë do të ishte si dhuratë për mbajtjen e dy viteve burg.

“S’ki me i mbajt as dy vjet burg thojke. Ky le që s’më ka këqyr mu po as veten. M’ka marrë n’qaf edhe mu, gruja, fëmija. Kush m’i këqyr ata, se ky thojke kam me t’i këqyr, asnjëherë s’e ka thirrë familjen me ia dhanë asnjë ndihmë”, deklaron Plava.

I akuzuari tha se pasi kuptoi të nesërmen në mëngjes se kush ishte viktima, nuk e dinte se si të vepronte, sepse kishte frikë se do t’i ndodhte diçka familjes.

“Unë kam besu në ata që m’ka thanë Naimi, e tash po e vërej se në këtë punë s’ka të bëjë Behgjet Pacolli hiq, po vetë ky. Nuk e di çka kanë pas mes vete (Naimi dhe Liridona), asnjëherë s’më ka tregu se është gruaja e vet”, u shpreh ai.

​Plava: Naim Murseli më ka thënë që për vrasjen e Liridonës është në dijeni edhe Pacolli

I akuzuari për vrasjen e Liridona Ademajt, Granit Plava ka nis dhënien e mbrojtjes së tij. Plava deklaroi se vrasja ishte kryer në marrëveshje me Naim Murselin.

Ai deklaroi se Naim Murseli i ka kërkuar atij të marr përgjegjësinë për vrasjen e bashkëshortes së tij dhe i kishte ofruar pagë 1 mijë e 300 euro në muaj dhe një veturë G-Class për ta kryer vrasjen.

Ai tha se Naim Murseli i kishte thënë se për këtë rast ka qenë në dijeni edhe Behxhet Pacolli.

Aktualisht pyetje Plavës është duke i parashtruar avokati i tij, Skënder Gojani.

“Më ka thënë vetëm ke me marrë përgjegjësi ti, kurrgjë tjetër, Naimi. Mua më ka thënë Naimi që për këtë rast ka qenë në dijeni edhe Behxhet Pacolli, ti e din çfarë pushteti kemi ne, nuk ka shans me nejt më shumë se dy vjet, Naimi më ka ofruar pare dhe punë me 1 mijë e 300 euro rrogë, një veturë G-Class”, tha ai.

Naim Murseli thotë që s’e di si iu shkaktuan Liridonës lëndimet në dorën e majtë

I akuzuari Naim Murseli derisa dha mbrojtjen para Gjykatës Themelore në Prishtinë, të enjten, tha se nuk di për lëndimin që tani e ndjera Liridona Ademaj kishte në dorën e majtë. 

“Ju siguroj edhe një herë që në momentin e ngjarjes, unë dhe fëmijët nuk kemi qenë në veturë, e si ka ndodh ai lëndim (lëndimi që Liridona kishte në dorën e majtë), nuk e di unë se nuk e kom pa”, tha Murseli.

Fillimisht, i pyetur lidhur me lëndimet që tani e ndjera kishte në dorën e majtë, ndonëse në veturë ishte në anën e djathtë e që pikërisht në atë anë pretendohet se u erdhi Plava, Murseli s’kishte përgjigje për këtë pjesë.

I akuzuari Naim Murseli tha se arma ishte blerë ditën kur ndodhi vrasja- disa orë më herët.

Duke u përgjigjur në pyetjet e anëtarit të trupit gjykues Alban Ajvazi, Murseli tha se kur kishte ndodhur krisma nuk e kishte kthyer kokën por ka vazhduar të vrapojë, por thotë se nuk i kujtohet saktë nëse e ka kthyer kokën apo jo.

Sipas tij, pasi kishte dëgjuar krismën e armës, në vendin ku ndodhi vrasja kishte ardhë një veturë me vrull, sipas tij, ka parë një person të maskuar.

Më tej, Murseli tha se personin që shkoi i maskuar për sikurse pretendon ai grabitje, nuk e ka njohur sepse e kishte ndryshuar zërin.

“Ka qenë i gjatë, me rroba të zeza”, deklaroi Murseli.

Po ashtu, i akuzuari Naim Murseli tha se nuk i kujtohet pse kishte dalë jashtë marketit- vendi i parë që thuhet se shkoi pas ngjarjes bashkë me fëmijët. Tha se Valon Llukën e thirri të parin sepse iu kujtua ai numër.

Por, për Kushtrim Kokallën thotë se nuk e di se kush e kishte thirrë. Ndërkaq, për shkuarjen e këtij të fundit në hotelin ku qëndroi atë natë, tha se dhoma ishte rezervuar nga Lluka.

Ai pretendon se në qendrën e ndalimit nuk i është bërë kontrollë mjekësore.

Kur ka shkuar në morg, Murseli pretendon se iu konfiskuan 1 mijë e 350 euro.

“Valoni m’i ka dhanë 2 mijë euro afër morgut, kam ble sanak e sene tjera dhe pjesa që m’u ka sekuestru kanë qenë kusuri prej atyre 2 mijë euro”, thotë ai.

Në këtë seancë, i akuzuari Murseli tha se gjatë takimeve me Plavën, nuk kishte folur asgjë me të për jetën personale, sidomos për anën financiare. Ai shtoi se takimi i parë me të ishte rastësor, kur ishte takuar me Kokallën.

Kurse, takimi i dytë, sipas tij, ishte i planifikuar me Kushtrimin. E i treti, Murseli thotë se ndodhi pasi Kokalla bisedoi me të dhe i kishte thënë të takohen Murseli e Plava.

Me kaq përfundoi mbrojtjen Murseli, për të vazhduar në sesionin e pasdites me Plavën.

Murseli: Armën ia bleva Granitit se më tha që të nesërmen e shet dyfish, u morëm vesh të m’i kthente paratë

I akuzuari Naim Murseli në vazhdim të dhënies së mbrojtjes para trupit gjykues, deklaroi se armën me të cilën sipas Prokurorisë, është vrarë tani e ndjera Liridona Ademaj, ia bleu Granit Plavës pasi i kishte thënë se do ta shiste të nesërmen dyfish.

I akuzuari po ashtu pranoi se të akuzuarin Granit Plava e kishte dërguar pranë shtëpisë së tij, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Anëtari i trupit gjykues Gent Beka e pyeti sërish për armën që ia kishte blerë Murseli- Plavës. Për këtë, i akuzuari tha se kur ua kishte treguar shitësi armën, Graniti i kishte thënë se po i pëlqen dhe se të nesërmen do ta shiste dyfish. Tha se aty u morën vesh t’ia paguante.

“U morëm vesh me m’i kthy paratë”, deklaroi Murseli.

Ndërkaq, lidhur me situatën në vendin e ngjarjes ku ndodhi vrasja, i akuzuari tha se nuk kishte qenë kërkesë e grabitësit të dilte nga vetura, por ka dalë vetë.

Më tej, i akuzuari u pyet se përse nuk e kishte nisur veturën me vrull për t’iu shmangur grabitësit dhe për të ikur, ndonëse ai ishte nga ana e Liridonës.

“Nuk m’u ka kujtu në atë moment, Liridona tha ‘o kuku hajni- hajant’, kështu diçka, dhe kjo ishte arsyeja pse nuk u ndala”, u përgjigj Murseli.

Takimet me Plavën, Murseli tha se kanë zgjatë në total 4 orë.

“Domethënë, ju keni vendosë të shoqëroni një person që keni kalu rreth 4 orë për në Prishtinë dhe keni vendos spontanisht t’i besoni dhe t’i tregoni se ku jetoni”, e pyeti gjyqtari Beka.

“Po”, u përgjigj Murseli.

Paraprakisht, përfaqësuesi i palës së dëmtuar- Leondard Ademaj, avokati Leutrim Syla kërkoi që pamjet e tani të ndjerës Liridona Ademajt që u shfaqën në Gjykatë, ku shihet e vrarë vendin e ngjarjes, të mos publikohen në media dhe mos të kenë qasje fëmijët e saj në to. Tha se kjo është kërkesë e familjes.

“Qëllimi ka qenë me i tregu Naimit se stolitë i ka pas”, u shpreh kryetarja e trupit gjykues, Fatime Dermaku.

​Gjyqtarja e ballafaqon Naim Murselin me fotografi të Liridonës nga nata kritike

Gjyqtarja: Pse nuk u morën stolitë?, Murseli insiston që ishin pre e grabitjes

Në Gjykatën Themelore të Prishtinës edhe sot ka vazhduar gjykimi kundër Naim Murselit, Kushtrim Kokallës dhe Granit Plavës të akuzuar për vrasjen e Liridona Ademajt. Edhe sot i akuzuari, Naim Murseli ka insistuar se ishin pre e grabitjes dhe se nga grabitësi iu është kërkuar vetëm para dhe telefona.

Por, kryetarja e trupit gjykues, Fatime Dërmaku e ka ballafaquar të akuzuarin, Naim Murseli me disa fotografi të natës kritike, në të cilat shihet Liridona Ademaj pas momentit të vrasjes, ku shihet plaga që ajo mori në pjesën e kokës, saktësisht tek veshi.

Duke e pyetur se e ndjera, Liridona Ademaj a kishte me vete gjëra me vlerë, Murseli mohoi këtë duke thënë se kishte vetëm kuletën. Më pas, kryetarja e trupit gjykues ia paraqiti disa fotografit të të ndjerës e cila kishte në duar stoli ari.

Për këtë, Dërmaku e pyeti se nëse ka qenë grabitje pse nuk janë marrë këto stoli.

“Kjo fotografi është marr kur është bërë autopsia dhe është paraqitur kjo pamje se çka viktima ka pas me vete në dy duart Liridona në dorën e majtë ka pas 2 byzylykë të arit dhe në anën e djathtë ka pas një byzylykë të arit për më tepër këto stoli të cilat i ka pas bashkëshortja juaj janë të gjitha stoli të arit dhe janë paraqitur në fotot pasi janë realizuar për autopsi nga mjekësia ligjore meqenëse deklaruat se nuk ka pas asgjë me vlerë në natën kritike.. dëshmon se Liridona në natën kritike ka pas stoli me vlerë dhe nëse ka qenë pre e grabitjes pse nuk i janë marr këto stoli për çudi”, pyeti ajo.

Por, i akuzuari, Naim Murseli tha se grabitësi kishte kërkuar vetëm telefona dhe para.

“Në momentin e grabitjes të vetëm gjë që ka kërkuar telefonat dhe paratë nuk ka kërkuar gjë tjetër dhe kur kam ikur nga vetura me fëmijët unë nuk e kam ditur a ka marr diçka prej dorës ai se unë nuk e kam parë ngjarjen”, u shpreh ai.

Tutje, gjatë marrjes në pyetje nga kryetarja e trupit gjykues, Fatime Dërmaku ajo pyeti të akuzuarin, Naim Murseli se si ishin të ulur fëmijët në veturë në momentin kritik dhe si kishin dal ata nga vetura.

Murseli shpjegoi se fëmijët ishin ulur njëri prapa tij dhe tjetri prapa Liridonës, dhe se në momentin kritik, largimi i tyre nga makina kishte ndodhur për të njëjtën derë.

Më pas përsëri, kryetarja e trupit gjykues, Fatime Dërmaku e ka ballafaquar Murselin me një fotografi që paraqiten fëmijët se si kanë qenë të ulur.

Kur u pyet se pse e kishte paguar armën që e kishte blerë me Granit Plavën, Museli tha se Granit Plava kishte thënë se mund të shiste dyfish. Ndërsa, shtoi se nga kjo blerje nuk kishte asnjë përfitim vetëm ndihmë për të akuzuarin tjetër, Granit Plava.

I pyetur nga gjyqtarja Dërmaku se a është në dijeni që bashkëshortja e tij është vrarë me këtë revole, Naim Murseli tha se këtë e ka mësuar gjatë leximit të aktakuzës.

“A e keni ditur gjendjen ekonomike të Granitit... Murseli: Jo nuk mund të them pse e kemi ditur... Dërmaku: Atëherë pse paguat për atë revole për të akuzuarin Granit... Murseli: Sepse ai më tha se nuk kishte para me vete... Dërmaku: A e dini që me atë revole është vrarë bashkëshortja juaj... Murseli :Po e kam kuptuar... Dërmaku: Si erdhi deri tek ajo revole tek policia... Murseli: në aktakuzë e kam lexuar që Graniti e ka fshehur diku në oborr dhe ai u ka treguar”, deklaroi ai.

Ndërsa, kur Dërmaku e pyeti Murselin se a e kishte parë Granit Plavën në restorantin Etno Kuça, këtë gjë e mohoi i akuzuari, Murseli.

“Nuk e keni parë as granitin që nga kamerat në Ento Kuca shihet se ka qenë në tavolina më tutje... Murseli: Në asnjë moment nuk e kam parë Granitin”, tha ai.

Tutje, kryetarja e trupit gjykues, Fatmire Dërmaku kërkoi të di arsyen se pse i kishte lënë fëmijët vetë në natën kur iu ishte vrarë nëna, Murseli tha se ishte kërkesë e Policisë pasi mund të ftohej përsëri për intervistim.

Murseli mohoi të ketë parë vrasjen e bashkëshortes së tij, madje ai tha se Liridonën e kishte parë ditën e nesërme në murg.

“ Jo as unë e as fëmija... Dërmaku: Në deklaratat e mëhershme keni thënë që me veturë të Policisë keni shkuar tek vetura tek vendi i ngjarjes... Murseli: Po, por nuk më ka lënë të dal Policia... Dërmaku: A e keni parë Liridonën të vrarë... Murseli: Jo, Liridonën e kam parë të vrarë vetëm të nesërmen në murg atë natë hiq”, ishte diskutimi mes tyre.

Në pyetje e trupit gjykues a i kishte thënë Liridonës të ikte nga makina, Murseli tha se e kishte bërë këtë gjë duke i folur në gjuhën suedeze. Ai madje tha se kishte hapësirë ta anashkalonte grabitësin, por ishte kërkesë e Liridonës që ta ndalte makinën dhe në moment shoku e kishte ndal makinën.

Lidhur me pamjet e publikuara sot në gjykatë ku shihej Liridona Ademaj pas vrasjes, avokati i familjes Ademaj, Leutrim Syla kërkoi që këto pamje mos të publikohen me qëllim që fëmijët e të ndjerës të mos kenë qasje.

“Kemi një kërkesë që ato pamje të njoftohen mediet që të mos publikojnë pamjet kur e njëjta shihet e goditur dhe ku shihet e shtrirë në mënyrë që fëmijët të mos kenë qasje”,tha ai.

Pas kryetares së trupit gjykues, Fatmire Dërmaku, gjyqtari, Gent Beka vazhdoi me pyetje për të akuzuarin Naim Murseli i cili e pyeti për takimet që kishte i akuzuari, Naim Murseli me Granit Plavën. Kurse, gjyqtari, Alban Ajvazi i cili pyeti për veturën që me qera e kishte marr Granit Plava se a dinte çfarë marke apo çfarë tabela ishte, Murseli tha se e dinte tipin e veturës.

Gjyqtari Ajavazi e pyeti Murselin për disa shenja në trupin e Liridonës, duke vënë në dyshim mënyrën si mund të ishin shkaktuar nëse grabitësi ishte vetëm në anën e djathtë dhe ajo nuk kishte dalë nga vetura. I akuzuari, Naim Murseli tha se nuk ka përgjigje.

“Shihet se e njëra Liridona trupin e ka në pjesë e djathtë ndërsa në anën e dorës së majtë i ka disa shenja shtrëngime a mund të shpjegosh se si ka mund t’i marr ato lëndime nëse personi që ka grabit ka qenë në anën e djathtë dhe Liridona dhe nuk ka dal fare prej veturës....Murseli:Jo nuk kam përgjigje....Ajvazi:personi që ka ardhur për t’iu grabitur a ka thënë diçka..Murseli:Paret, paret ,telefonat....Ajvazi: Në bazë të folmes a ke mundur me identifikuar se me këtë person ke ndenjur më herët....Murseli: Jo se e ndryshoi zërin..Ajvazi a ke mundur ta njohësh në bazë të konstruktit trupor...Murseli: Jo ka qenë i gjatë me rroba të zeza”, tha ai.

Pas marrjes në pyetje edhe nga trupi gjykues, i akuzuari, Naim Murseli deklaroi se ai dhe fëmijët e tij nuk e kanë parë ngjarjen dhe nuk dinë për lëndimin që e ndjera kishte në dorën e majtë.

“Iu siguroj edhe njëherë që në momentin e ngjarjes unë dhe fëmija nuk kemi qenë në veturë, nuk e kemi parë ngjarjen dhe si është shkaktuar ai lëndim a është shkaktuar 1 orë apo 3 orë përpara unë nuk e di sepse nuk e kam parë”, deklaroi ai.

Liridona Ademaj është vrarë më 29 nëntor 2023, në orën 20:25, në rrugën “Dalip Alshiqi” në Prishtinë dhe fillimisht rasti ishte raportuar si vrasje gjatë grabitjes

Prezantohen fotografi dhe prova të reja

Në Gjykatën Themelore të Prishtinës ka nisur seanca e radhës në gjykimin kundër Naim Murselit, Kushtrim Kokallës dhe Granit Plavës të akuzuar për vrasjen e Liridona Ademajt.

Të akuzuarit u sollën me pranga në duar në gjykatore. Para trupit gjykues është duke dëshmuar i dyshuari kryesor për këtë rast, Naim Murseli.

Kryetarja e turpit gjykues Fatmire Dermaku ka prezantuar prova të tjera nga rasti tragjik i vrasjes së Liridona Ademaj.

Në fotografitë që janë prezantuar shihet edhe momenti kritik i qëllimit me armë të Liridonës në veturë.

Gjithashtu janë prezantuar edhe fotografi nga stolitë e arit që e ndjera kishte natën kritike në dorë.

Në seancën e fundit Naim Murseli kishte kërkuar të komunikojë me djalin e tij, e po ashtu edhe me Behgjet Pacollin.

Kryetarja e trupit gjykues, Fatime Dermaku kishte thënë se kërkesa për komunikim me Pacollin i refuzohet ngase është kategori e personave që nuk e lejon ligji. 

Sot seanca gjyqësore ndaj Naim Murselit dhe të tjerëve, të akuzuar për vrasjen e Liridona Ademajt

Sot mbahet seancë gjyqësore ndaj Naim Murselit, Kushtrim Kokallës dhe Granit Plavës, të akuzuar për vrasjen e Liridona Ademajt.

Seanca mbahet në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në ora 09:30.

Prokuroria Themelore në Prishtinë më 15 janar 2025 ka ngritur aktakuzë ndaj Naim Murselit, Granit Plavës, Kushtrim Kokallës dhe Tom Dodajt.

Në aktakuzën e Prokurorisë, thuhet se Murseli, Plava dhe Kokalla ishin dakorduar paraprakisht që vrasja të kryhej nga i akuzuari Plava me marrëveshje që Murseli t’ia paguante atij 30 mijë euro.

I gjithë plani për vrasjen e Liridonës, thuhet se u bë nga bashkëshorti i saj, tani i akuzuari Naim Murseli, si pasojë e çrregullimit të raporteve familjare e martesore, ku edhe lindi dëshira e tij për hakmarrje.

Në aktakuzë thuhet se fillimisht plani i ishte shpalosur Kokallës nga Murseli, por ai kishte refuzuar të gjente një mundësi për vrasjen e Liridonës, e më pas Kokalla kishte gjetur Plavën, me të cilin e kishte njoftuar Naimin. E vetë Naim Murseli, thuhet se siguroi armën me 20 fishekë, nga i akuzuari Tom Dodaj, nga i cili e bleu për 280 euro. Me këtë armë, u krye vrasja e tani të ndjerës.

Sipas aktakuzës, për shkak të raporteve të çrregulluara familjare dhe martesore, gjatë të cilave kanë lindur mllefi dhe dëshira për hakmarrje tek i pandehuri i parë Naim Murseli, ky i fundit ka bërë planin ta largojë tani të ndjerën Liridona nga jeta e tij.

Në aktakuzë thuhet se pas datës 25 qershor 2022, kur është paguar polica e sigurimit jetësor në emër të Liridona Murselit me kompaninë Folksam, në shumën prej 3.000.000 kruna suedeze, me qëllim që pas vrasjes të ketë edhe dobi financiare, Naimi të pandehurit të tretë (Kushtrim Kokalla), ia ka shpalosur planin e likuidimit të bashkëshortes së tij dhe nga ai ka kërkuar të gjejë mundësi për vrasjen e saj.

Aktakuza thotë se fillimisht, Kokalla ka refuzuar e më pas ka gjetur të pandehurin e dytë, Granit Plava, me të cilin e ka njoftuar Naim Murselin dhe që të tre janë dakorduar që Graniti të kryejë vrasjen me marrëveshje që Naimi t’ia paguajë kompensimin në shumën prej 30 mijë euro.

Ndërsa, Naimi më 29 nëntor 2023, thuhet se ka siguruar armën e zjarrit dhe 20 fishekë, të cilat i ka blerë rreth orës 14:00 po të njëjtën ditë nga i pandehuri i katërt Tom Dodaj në shumën prej 280 euro, e të cilën armë ia ka dhënë të pandehurit të dytë- Granit Plavës.

Granit Plava, thuhet se armën në fjalë e ka përdorur për vrasjen e tani të ndjerës Liridona. Vrasje kjo e kryer në të njëjtën ditë në orët e mbrëmjes, në intervalin kohor prej orës 20:11 deri në ora 20:18 në vendin për të cilin është dakorduar me Naimin, duke e inskenuar që të duket si grabitje, ndërsa Naimi në mënyrë dinake me dorën e tij të djathtë ka mbajtur Liridonën në krahun e dorës së saj të majtë, me qëllim që ajo mos t’i shmanget plumbit, për çka Naimi me fëmijët ka dalë nga vetura dhe është larguar nga vendi i ngjarjes.

Me këtë, Naim Murseli akuzohet se në bashkëkryerje me të akuzuarit Granit Plava dhe Kushtrim Kokalla, ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë” nga neni 173, par.1., pika 1.3 dhe 1.4 lidhur me nenet 31 dhe 34 të Kodit Penal.

Sipas aktakuzës, më 29 nëntor 2023, në intervalin kohor prej orës 20:11 deri në 20:18 në fshatin Bërnicë në rrugën “Dalip Alshiqi” në Prishtinë, i pandehuri i parë Naim Murseli me veturë në të cilën ka qenë tani e ndjera Liridona dhe fëmijët e tyre të moshës 4 dhe 6 vjeç, pas marrëveshjes paraprake, i ka dhënë shenjë me drita të veturës të pandehurit Plava, për çka ai befas ka dalë përpara veturës me maskë në kokë dhe pistoletë në duar, derisa i pandehuri Murseli, ka ndaluar dhe ka fikur motorin e veturës dhe me dorën e tij e ka mbajtur Liridonën për krahun e dorës së saj të majtë, raporton “Betimi për Drejtësi“.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat