Obiliqi nderon dëshmorët Rama dhe viktimat civile të luftës së fundit, sakrifica për liri nuk harrohet

Aktuale

Obiliqi nderon dëshmorët Rama dhe viktimat civile të luftës së fundit, sakrifica për liri nuk harrohet

Më: 27 mars 2026 Në ora: 15:04
Akademi përkujtimore

Me mesazhe për ruajtjen e vlerave të lirisë, në Shtëpinë e Kulturës “Xhavit Haziri” në Obiliq u mbajt Akademia Përkujtimore në nderim të dhjetë dëshmorëve Rama dhe viktimave civile të rënë 27 vite më parë gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Kjo ngjarje mblodhi përfaqësues institucionalë, familjarë të dëshmorëve, bashkëluftëtarë dhe qytetarë, të cilët rikujtuan sakrificën e atyre që dhanë jetën për lirinë e Kosovës dhe rëndësinë e ruajtjes së kujtesës historike.

Duke folur për sakrificën e dëshmorëve dhe dhimbjen e familjarëve, kryetari i Komunës së Obiliqit, Halil Thaçi tha se marsi i vitit 1999 mbetet një ndër periudhat më të rënda për popullin e Kosovës, duke përkujtuar me nderim të gjithë ata që ranë për liri.

Thaçi: Përulemi para familjeve të dëshmorëve – 27 marsi ’99, kujtesë e përjetshme e sakrificës për liri

“Në veçanti, përulemi para familjeve që humbën më të dashurit e tyre: familjes Rama, Halimi, Morina, Merlaku, Haliti, Graiçevci, Bici, Kosumi, Sekiraqa dhe të gjithë familjet e tjera që mbartën plagën e kësaj sakrifice. Vetëm më 27 mars '99, shumë nga emrat që sot i përkujtojmë ranë dëshmorëve apo u bënë martirë. Një ditë që mbetet e gdhendur në kujtesën tonë kolektive. Sot, ne përulemi me respekt para çdo dëshmori dhe martiri. Nderojmë sakrificën e veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët qëndruan të palëkundur përballë një armiku shumë të egër. Dhe mbi të gjitha, i shprehim mirënjohje të përjetshme familjeve të tyre, sepse dhimbja tyre është themeli i lirisë sonë”, tha Thaçi.

Ndërkaq, duke reflektuar mbi sakrificën dhe përgjegjësinë për ta ruajtur lirinë, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, theksoi se rruga drejt shtetndërtimit është ndërtuar mbi sakrificën e atyre që nuk u tërhoq në momentet më të vështira.

Rama: Ata që sakrifikuan gjithçka për lirinë tonë jetojnë në çdo vlerë dhe institucion që ndërtojmë sot

“Ata, në momentet më të vështira, nuk u tërhoqën. Qëndruan dhe sakrifikuan gjithçka. Që ne sot të jetojmë të lirë, që ne sot të kemi një shtet demokratik, që ne sot të planifikojmë për të ardhmen tonë. Sot, kjo është një ditë kujtimi, por edhe një ditë që na prek edhe më afër. Sepse kjo dhimbje është edhe personale, kjo dhimbje është edhe e përbashkët. Kanë kaluar 27 vite tashmë, por koha asnjëherë nuk e zbeh kujtesën. Ata janë ende me ne. Në çdo vlerë që ngremë, në çdo institucion që ndërtojmë dhe në çdo hap që bëjmë përpara si shoqëri. Ata jetojnë në lirinë që ne sot e gëzojmë dhe përgjegjësinë që kemi për ta ruajtur, për ta ruajtur këtë liri. Ne kemi detyrë të mos harrojmë. Detyrë ndaj historisë, ndaj familjeve të tyre dhe ndaj të gjithë brezave që do të vijnë pas nesh. Detyrë për t'i mbajtur përgjithmonë gjallë emrat e tyre, për t'i kujtuar me dinjitet dhe për të mos lejuar që sakrifica e tyre asnjëhere të mos vete në harresë”, u shpreh Rama.

Bashkëluftëtar i tyre, Agron Xhemajli duke cilësuar luftën çlirimtare si një përballje të jashtëzakonshme historike, u shpreh se ajo mbetet një shembull i rrallë i qëndresës dhe guximit kolektiv.

Xhemajli: Lufta çlirimtare, përtej heroikes – shembull i përjetshëm për shërbim ndaj atdheut dhe përgjegjësi për të ardhmen

“Këto janë tri ngjarje epike brenda një kryengritjeje: fillim, vazhdim dhe mbarim. Lufta çlirimtare është një çerek shekulli prapa nesh, por ngjarjet janë shumë afër dhe këtë e bëjnë përmasat e saj historike. Kjo në fakt ishte luftë përtej heroikes, ishte luftë titanike, luftë e popullit kundër ushtrisë shtetërore. Edhe s'e ruanit, tre luftëtarë me familjet e tyre përballë ushtrisë armike shumëfish më të rëndësishme. Këtë guxim e kanë vetëm ata që luftojnë për lirinë e vendit të vet. Tubimet përkujtimore nuk do të përdoren për reklamë, por për reflektim, së paku ashtu shpresoj. Këtë sakrificë, këtë heroizëm, këtë luftë titanike, sot do ta përdorim si shembull për shërbim ndaj atdheut, si frymëzim, si detyrim për punë pa hile, si shtytje për të ardhmen më të mirë, për shtetin, për lirinë e popullit. Lufta jonë për liri është përplot me vepra të tilla ku mund të bazohemi".

Në fund të akademisë, Bukurie Halimi familjare e të rënëve të familjes Halimi shprehi mirënjohje për përkrahjen institucionale dhe pjesëmarrjen qytetare, duke theksuar se kujtimi për të rënët mbetet obligim i përhershëm.

Halimi: Me respekt përulemi para atyre që dhanë jetën për lirinë që e gëzojmë sot

“Prania juaj sot nuk është vetëm një pjesëmarrje, por është respekt, nderim dhe përkushtim ndaj sakrificës se atyre që na sollën lirinë. Falënderim i veçantë për kryetarin e komunës, për mbështetjet, për shoqatat e dala nga lufta, si dhe për drejtoreshën për kulturë, rini dhe sport, zonjën Ilire Kelmendi, për angazhimin dhe kontributin e saj në organizimin e kësaj ngjarjeje. Me respekt të thellë përulemi para atyre që dhanë jetën për lirinë që ne e gëzojmë sot. Lavdi e përjetshme”, tha Halimi.

Në mesin e dëshmorëve të rënë në Obiliq 27 vite më parë ishin: Faruk Rama, Agron Rama, Albert Rama, Bejtosh Rama, Ismet Rama, Xheladin Rama, Hamide Rama, Xhevat Rama, Suzana Rama, Shqipe Rama, Lavdim Morina

Po ashtu, u kujtuan edhe viktimat civile të cilët kane rënë në Obiliq gjatë luftës së fundit në Kosovë të cilët ishin: Latif Halimi, Shpresa Halimi, Selvete Halimi, Abdullah Merlaku, Ramadan Merlaku, Sherif Merlaku, Haxhi Greiçevci, Fejzullah Morina, Fidajete Morina, Shkëlzen Morina, Fikret Haliti, Salih Haliti, Tefik Krasniqi, Sabrie Kosumi, Valdete Muliqi, Azemine Muliqi, Adem Sekiraqa

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat