Hasani i quan joprofesionale kërkesat që Presidenca, Qeveria e Kuvendi i drejtojnë në Kushtetuese

Aktuale

Hasani i quan joprofesionale kërkesat që Presidenca, Qeveria e Kuvendi i drejtojnë në Kushtetuese

Më: 1 prill 2026 Në ora: 12:54
Enver Hasani

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, njëherësh profesori Enver Hasani në një podcast nga “Betimi për Drejtësi”, tha se kërkesat që Presidenca, Qeveria dhe Kuvendi i kanë dërguar në Kushtetuese, janë joprofesionale.

“Do të thotë, prej kërkesave të Presidencës ti sheh aty që kërkojnë interpretime kushtetuese prej ma absurdeve që janë të qarta në tekstin e Kushtetutës. Po ashtu, në Qeveri ti ke pas edhe në të kaluarën edhe tash- me përjashtime të rralla, kërkesa ma absurde, me shku direkt në zgjedhje nëse ju kujtohet më 2021-ën brenda një cikli zgjedhor është dashtë gjykata me ndërhy. Ose vitin e kaluar konstituimi i Kuvendit. Ishin të qarta aktgjykimet qysh bëhen, kanë qenë prej 2014-ën”, tha Hasani.

Sipas tij, insistimi se një paragraf thotë që votimi duhet të jetë i fshehtë, ishte total jashtë secilës praktikë kushtetuese.

“Sivjet ka qenë fare e qartë që Kuvendi nuk mund të shpërndahet në sistem parlamentar nga Presidenti i Republikës, është absurdi i absurdeve, Presidenti i Republikës që zgjedhet prej Kuvendit i cili është përfaqësuesi i popullit, ti me shpërnda në mënyrë arbitrare”, tha ai

Hasani thotë se këto organe kanë nevojë të paguajnë ekspertë kushtetuese për t’ua kryejnë këto punë.

Enver Hasani deklaroi se esenca e gjyqësisë kushtetuese është ta juridifikojë procesin politik.

“Mendoj që Gjykata Kushtetuese çdo herë kur ka ndërhy, ia ka dhënë ngjyrën e duhur juridiko-kushtetuese secilës krizë politike që është prodhu në vend prej 2008-ës e këndej”, u shpreh ai.

Pa rolin që ka luajtur Kushtetuesja, Hasani thotë se demokracia do të ishte shumë e varfër.

Sipas tij, kjo Gjykatë ka mundur të ketë lëshime në vendimet e saj, por shtyllat kryesore të konstitucionalizmit që sanksionohet me Kushtetutën e Kosovës, nuk i ka prishur. Andaj, për këtë thotë se ka pasur rol kolosal. Ai theksoi se beson që paqartësitë institucionale janë dominante.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat