“Zjarri në Malishevë merr jetën e babait dhe dy fëmijëve, flet familjarja: S’munda t’i puth as për herë të fundit”

Aktuale

“Zjarri në Malishevë merr jetën e babait dhe dy fëmijëve, flet familjarja: S’munda t’i puth as për herë të fundit”

Më: 16 prill 2026 Në ora: 14:27 Përditësuar në ora: 22:23 më 16.04.2026
Foto ilustrim

Humbja tragjike e dy nxënësve, shkolla në Malishevë pezullon mësimin dhe shpall ditë zie

Shkolla “Ibrahim Mazreku” në Malishevë e ka shpallur të premten ditë zie, pas rastit tragjik të humbjes së jetës së dy fëmijëve dhe babait të tyre.

Të dy fëmijët ndiqnin mësimin në këtë shkollë, ndërsa institucioni ka njoftuar për vendimin e marrë pas vdekjes tragjike të tyre.

Po ashtu, për ditën e premte është pezulluar edhe procesi mësimor.

“Në koordinim me Drejtorinë e Arsimit, Këshillin e Prindërve dhe Këshillin e Mësimdhënësve, njoftojmë të gjithë nxënësit, prindërit dhe stafin e SHFMU “Ibrahim Mazreku” – Malishevë, se në shenjë solidarizimi dhe respekti për ndarjen tragjike nga jeta të nxënësve tanë të klasës së tretë: Naile dhe Kujtim Berisha, si dhe të prindit të tyre, Ilir Berisha, dita e premte, më 17.04.2026, shpallet: Ditë Zie në shkollën tonë.

Gjatë kësaj dite pezullohet procesi mësimor.

Ftojmë të gjithë nxënësit dhe stafin që këtë ditë ta respektojmë me dinjitet, qetësi dhe solidaritet.

Për organizimin e mbledhjes përkujtimore do t’ju njoftojmë me kohë.”, thuhet në njoftimin e kësaj shkolle.

​Prokurorja për tragjedinë në Malishevë:Shkaqet ende nuk dihen, në vendgjarje shihet tym, ka pasur zjarrvënie

Prokurorja, Ardita Beqiri- Hyseni, që po heton rastin tragjik në Malishevë, ku humbën jetën nga zjarri babais me dy fëmijët e tij, tha se trupat janë dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.

Ajo tha se në banesë vërehej tym, porse nuk diher shkaku.

Beqiri- Hyseni: Shkaqet akoma nuk dihen, në vendgjarje shihet tym, ka pasur zjarrvënie

“Është e vërtetë që sot ka ndodhur ky rast dhe kemi tre viktima. Menjeherë janë dërguar në QKMF nga familjarët dhe aty kanë qenë pa shenja jete. Me urdhër të prokurorit trupat janë dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për t’u bërë autopsia. Shkaqet akoma nuk dihen. Në vend ngjarje shihet është tym, ka pasur zjarrvënie, por si dhe çka ju njoftojmë pas raportit nga ekspertët përkatës”, tha ajo.

Viktimat e zjarrit në Malishevë janë babai 35 vjeçar me dy fëmijët e tij, vajzën dhe djalin 9 dhe 12 vjeç.

​Pas tragjedisë në Malishevë, Policia: Deri tani s’kemi informatë për bombolë gazi, nuk u dëgjua eksplodim

Komandanti i policisë në Malishevë, Nazmi Zogaj deklaroi se nuk ka ndonjë informatë për shpërthim të bombolës se gazit në rastyin në Malishevë, në të cilin rast mbetën të vdekur tre persona.

Zogaj tha se policia ka pranuar rastin në 12:55 dhe njësitet policore e hetimore kanë dalë në vendin e ngjarjes.

Zogaj:Mjekët e kanë konfirmuar vdekjen e tyre. Mosha 35, 9 dhe 12 vjeçarë

“Ne si polici në ora 12:55 minuta kemi pranuar një informatë për një banesë në banimin kolektiv social që është duke u djegur, kemi njoftuar njësinë emërgjente dhe të zjarrfikësve që t’u ofrojmë ndihmë. Në vendin e ngjarjes emergjenca shëndetësore e kanë hasur aty një person pa vetëdije dhe menjëherë është dërguar në QKMF, ndërsa fëmijët nga një banor. Mjekët e kanë konfirmuar vdekjen e tyre. Mosha 35, 9 dhe 12 vjeçarë”, tha ai.

Zogaj tha se nuk ka pasur raportime për shpërthim të bombolës së gazit.

Zogaj: Deri tani s’kemi informatë për bombolë gazi, nuk u dëgjuar ndonjë eksplodim

“Kjo është informata që kemi për momentin, banesa ka qenë shumë e tymosur, Arsyeja e zjarrit, janë duke u bërë hetimet ende. Deri më tani nuk kemi informatë për bombolë gazi, sepse nuk është dëgjuar nga dëshmitarët ndonjë eksplodim”, shtoi ai.

Viktimat e zjarrit në Malishevë janë babai 35 vjeçar me dy fëmijët e tij, vajzën dhe djalin 9 dhe 12 vjeç.

​Tragjedia në Malishevë, po hetohen shkaqet, stafi mjekësor dyshon se babai me dy fëmijë vdiqën nga asfiksimi pas zjarrit

Një ngjarje e rëndë ndodhi sot në Malishevë, ku tre persona kanë humbur jetën si pasojë e shpërthimit të bombolës se gazit në banesën e tyre.

Viktima janë babai me dy fëmijët e tij, një vajzë dhe një djalë.

Nënkryetari i komunës së Malishevës , Vesel Krasniqi, tha se është bërë e pamundura për t’i shpëtuar, porse nuk kanë arritur t’i shpëtojnë jetët e tyre.

Krasniqi: Është bërë e pamundura për t’i shpëtuar, porse nuk kanë arritur t’i shpëtojnë jetët e tyre

“Kemi tri viktima, babai me dy fëmijë, vajza dhe djali. Sapo kemi marrë informacionet, organet tona prej policisë, urgjenca, emergjenca, të gjitha njësitë kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe stafi mjekësor, i cili ka bërë të pamundurën, por në momentin kur është bërë njoftimi, paksa ka qenë ndoshta edhe vonë, janë gjetur pa shenja jete babai me dy fëmijët e vet. Tash policia, hetuesia, prokuroria, të gjithë ata janë duke e kryer punën e vet edhe ne lutemi edhe bëjmë presion që sa më shpejt të zbardhet rasti si ka rrjedhur. Ajo çka është me rëndësi që të gjithë organet kanë qenë në vendin e ngjarjes në kohën e duhur, por fatkeqësisht ka qenë e pamundur që t’i shpëtojmë tri jetë”, tha ai.

Krasniqi tha se nuk dihet si pasojë e çkafit ka rrjedh kjo, porse nga stafi mjekësor thuhet se ishte nga asfiksimi.

Krasniqi: Nga stafi mjekësor thuhet se humbën jetën nga asfiksimi

“Hetuesia është duke e kryer punën e vet. Nuk është në kompetencat tona dhe nuk e dimë si pasojë e çfarë ka rrjedhur, sepse në moment veç i kanë gjetur, por ajo që dihet nga stafi mjekësor thuhet që është nga asfiksimi, do të thotë nga tymi i cili ka ndodhur aty çka ka mundur me u djeg”, tha ai.

Banesat, ku ndodhi zjarri, janë ndërtuar nga Komuna e Malishevës në bashkëpunim me Ministrinë e Mirëqenies Sociale.

Krasniqi: Me energji elektrike probleme përveç reduktimeve nuk ka pasur

“Ky objekt është ndërtuar nga komuna në bashkëpunim me Ministrinë e Mirëqenies Sociale, do të thotë ka qenë bashkëfinancim edhe nga ministria dhe sigurisht që vazhdimisht shërbimet publike kanë qenë në vëzhgim, në inspektim çdoherë, sepse këtu faktikisht edhe ndërrohen banorët. Do të thotë banesat nuk i kanë të përhershme, këto i kanë sipas nevojës, momentin që e bëjnë një zgjidhje lirohet banesa vjen dikush tjetër. Edhe në vazhdimësi kontrollohen banesat. Kjo me energji elektrike probleme përveç reduktimeve nuk ka pasur asnjë lajmërim asnjëherë që ka pasur ndonjë problem tjetër, asnjë rast tjetër, përveç reduktimeve që po ndodhin çdokund tjetër”, tha ai.

“Jam i tronditur”, Kurti reagon pas rastit tragjik të babait dhe dy fëmijëve në Malishevë

Kryeministri Albin Kurti u shpreh  i tronditur pas rastit tragjik në Malishevë ku babai me dy fëmijët humbën jetën pas shpërthimit të bombolës së gazit.

Jam i tronditur nga rasti i vdekjes së tre familjarëve, babait me dy fëmijë, nga zjarri si rezultat i shpërthimit të bombolës së gazit në Malishevë”, ka shkruar Kurti në Facebook.

“Në këto momente të rënda shpreh ngushëllimet e mia për të gjithë familjarët e viktimave”.

Një baba dhe dy fëmijët e tij e kanë humbur jetën të enjten si pasojë e një zjarri në banesën e tyre në qytezën e Malishevës në pjesën qendrore të Kosovës.

​Vdekja e babait dhe dy fëmijëve nga zjarri në Malishevë, trupat e viktimave dërgohen në IML

Ekipi i Institutit të Mjekësisë Ligjore (IML) arriti në Qendrën e Urgjencës në Malishevë, ku ka bërë tërheqjen e viktimave pas rastit tragjik që ndodhi sot në Malishevë, ku nga zjarri humbën jetën tre persona, babai me dy fëmijë të tij.

Shkak i zjarrit dyshohet se ishte një bombolë e gazit në banesë.

Policia tha se babai ishte 35-vjeçar, ndërsa dy fëmijët e tij të moshës 9 dhe 12 vjeç.

Autoritetet kompetente thanë se janë duke punuar intensivisht për zbardhjen e plotë të rastit.

Rasti tragjik në Malishevë, Kastrati: Dhimbje e papërshkrueshme

Kryetari i Malishevës Ekrem Kastrati, ka reaguar lidhur me tragjedinë në këtë komunë ku humbën jetën tre persona.

Kastrati publikoi emrat e viktimave të këtij rasti.

Ai deklaroi se kjo është një dhimbje e papërshkrueshme.

“Me pikëllim të thellë mora lajmin për tragjedinë e rëndë që ndodhi në lagjen Mirdita në Malishevë, ku humbën jetën Ilir Berisha dhe dy fëmijët e tij, vajza Naile dhe djali Kujtimi. Kjo është një humbje e madhe dhe një dhimbje e papërshkrueshme për familjen, miqtë dhe gjithë komunitetin tonë. Në emër të Komunës dhe në emrin tim personal, shpreh solidaritetin dhe mbështetjen tonë në këto momente të vështira”, deklaroi Kastrati.

“Institucionet përkatëse janë duke u marrë me rastin dhe presim që shkaqet e kësaj ngjarjeje të rëndë të zbardhen sa më shpejt. Ngushëllime familjes Berisha dhe të afërmve, si dhe të gjithë qytetarëve që me dhimbje të madhe e kanë përjetuar këtë fatkeqësi të rëndë”, shtoi i pari i Malishevës.

Rasti tragjik në Malishevë, Haxhiu: Ngushëllimet më të sinqerta për familjen

Tre persona vdiqën sot tragjikisht në një banesë në lagjen “Mirdita” në Malishevë.

Kryetarja e Kuvendit njëherit u.d. e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu ka reaguar pas lajmit tragjik duke shprehur ngushëllime për familjarët.

“Në këto çaste të rënda, shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjen dhe të afërmit e viktimave”, ka shkruar Haxhiu.

Postimi i plotë:

Me dhimbje të thellë mora lajmin për humbjen tragjike të një babai dhe dy fëmijëve nga zjarri që ndodhi sot në Malishevë.

Në këto çaste të rënda, shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjen dhe të afërmit e viktimave. Ndajmë dhimbjen me ta dhe lutemi që të gjejnë forcë për ta përballuar këtë humbje të rëndë

Ngjarje e rëndë: Tre të vdekur nga zjarri në Malishevë, viktimat një i rritur dhe dy fëmijë - policia jep detajet

Tre persona kanë humbur jetën si pasojë e një zjarri që ka përfshirë një banesë në lagjen “Mirëdita” në Malishevë.

Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Gjakovës, Sheremet Elezaj, i cili bëri të ditur se rasti është raportuar rreth mesditës.

“Sot, rreth orës 12:55, jemi njoftuar për një incident zjarri në një banesë në lagjen “Mirëdita”, në Malishevë. Menjëherë pas pranimit të informacionit, në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë kompetente policore, zjarrfikësit dhe ekipet emergjente”, ka deklaruar Elezaj.

Sipas tij, në vendin e ngjarjes janë gjetur tre viktima, të cilat nuk kanë arritur t’u mbijetojnë plagëve.

“Në këtë banesë janë gjetur tre persona të gjinisë mashkullore (një i rritur dhe dy fëmijë), të cilët janë dërguar në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Malishevë ku është konstatuar se të njëjtit ishin pa shenja jete. Zjarri është lokalizuar dhe nuk është raportuar për pasoja të tjera”, ka shtuar ai.

Policia njofton se për rastin është informuar edhe prokurori i shtetit dhe se hetimet janë duke vazhduar për të zbardhur shkaqet e zjarrit.

“Lidhur me rastin është njoftuar edhe prokurori i shtetit dhe aktualisht janë duke u ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore për të sqaruar rrethanat dhe shkaqet e kësaj ngjarjeje”, ka përfunduar Elezaj.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat