Naim Murseli dhe Granit Plava dënohen me burgim të përjetshëm, Kushtrim Kokalla 30 vjet

Aktuale

Naim Murseli dhe Granit Plava dënohen me burgim të përjetshëm, Kushtrim Kokalla 30 vjet

Më: 21 prill 2026 Në ora: 07:17 Përditësuar në ora: 16:14 më 21.04.2026
Dënohet Naim Murseli

“Do t’i tregoj nënës që amaneti ka shkuar në vend”, flet vëllai i Liridonës, Leonard Ademaj

Pas shpalljes së vendimit të gjykatës, që ndëshkoi me burgim të përjetshëm Naim Murselin dhe Granit Plavën, ndërsa Kushtrim Kokallën me 30 vite burg, vëllai i të ndjerës, Liridona Ademaj, Leonardi, deklaroi se veprimi i parë që do të bëjë është t’ia kumtoj lajmin nënës së tij.

“Do të shkoj ta takoj nënën dhe t’i tregoj që amaneti ka shkuar në vend. Naimi së bashku me Kushtrimin, duke e zgjedhur Granitin si vrasës, e kanë organizuar këtë krim”, tha Leonardi.

Ai shtoi se ky vendim nuk ka rëndësi vetëm për familjen e tyre, por edhe për fëmijët e saj, të cilët nuk do të kenë më mundësinë të shohin nënën e tyre.

“Do shkoj ta takojë nënën dhe t’i tregojë që përnjëmend amaneti i shkoj në vend. Naimi së bashku me Kushtrimin duke e zgjedhur Granitin si vrasës e kanë organizuar këtë krim. Ky vendim sot nuk shkon vetëm për ne shkon për Liridonën edhe për fëmijët e saj të cilët nuk do ta shohin më nënën e tyre përjetësisht. Andaj ky dënim duhet të jetë edhe një mësim për të gjithë ata, të cilët mundohen apo krijonë mundësi që ta bëjnë një krim të tillë”, ka thënë Ademaj.

Ndryshe, sot Gjykata Themelore në Prishtinë shpalli aktgjykimin ndaj të akuzuarve për këtë rast, duke dhënë dënim të përjetshëm për Naim Murselin e Granit Plavën, kurse Kushtrim Kokalla u dënua me 30 vjet burgim.

Naimi në burg përjetë, flet vëllai i Liridonës: Shkon për fëmijët që s’do ta shohin më nënën…

Vëllai i Liridona Ademajt, Leonardi është deklaruar për media pak pasi Naim Murseli e Granit Plava u dënuan me burgim të përjetshëm, ndërsa Kushtrim Kokalla me 30 vjet burgim.

Ai tha se e mirëpret vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë.

“Ajo që u vërtetua sot është ajo që kemi thënë nga fillimi. Naimi bashkë me Kushtrimin duke zgjedhur Granitin kanë organizuar këtë krim, ky vendim sot nuk shkon veç për ne, por për Liridonën dhe për fëmijët e saj të cilët nuk do ta shohin më nënën e tyre përjetësisht. Ky dënim duhet të jetë mësim për ata që mundohen apo krijojnë mundësi të bëjnë një gjë të tillë”, u shpreh Leonard Ademaj para mediave

Familjarët përqafohen në sallë pas dënimit për vrasësit e Liridonës

Drejtësia shkoi në vend – Naim Murseli e Granit Plava u dënuan me burgim të përjetshëm, ndërsa Kushtrim Kokalla me 30 vjet.

Dënimi ka gëzuar familjarët e të ndjerës, të cilët janë parë duke u përqafuar brenda sallës së gjyqit.

Burgimi i përjetshëm i Murselit dhe Plavës mirëpritet me duartrokitje

Naim Murseli dhe Granit Plava janë dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e Liridona Ademajt, ndërsa Kushtrim Kokalla me 30 vjet burgim.

Këtë vendim të Gjykatës e mirëpritën me duartrokitje të pranishmit që ishin në sallën gjyqësore.

Burgim i përjetshëm për Murselin dhe Plavën për vrasjen e Liridona Ademajt, Kokalla dënohet me 30 vjet

Me burgim të përjetshëm janë dënuar dy të akuzuarit për vrasjen e Liridona Ademajt të kryer më 29.11.2023 para fëmijëve të saj të mitur, të cilët në kohën e ngjarjes kanë pasur 4 dhe 6 vjet.

Të dënuarit në këtë rast janë: bashkëshorti i viktimës, Naim Murseli, si dhe i akuzuari Granit Plava.

Kurse i akuzuari tjetër Kushtrim Kokalla është dënuar me 30 vjet burgim,

Vendimi është shpallur në Gjykatën Themelore në Prishtinë nga gjyqtarja Fatime Dermaku.

Dermaku tha se të akuzuarit Naim Murseli e Granit Palava konfrom nenit 364 janë fajtor për veprën penale të kryer në bashkëkryerje “vrasje e rëndë”, kurse i akuzuari Kushtrim Kokalla është fajtor për veprën penale “ndihmë në kryerjen e veprës penale”, “vrasje e rëndë”.

Vrasja e Liridona Ademajt, ishte një nga rastet më të ndjeshme penale në Kosovë, që ka tërhequr vëmendje të madhe publike dhe institucionale.

Babai i Liridonës në Gjykatë, pret dënimin e vrasësve të bijës së tij

Gjithçka është gati për të nisur seanca ku do të shpallet dënimi për të akuzuarit e vrasjes së Liridona Ademajt, në Gjykatën Themelore të Prishtinës.

Në Gjykatë pos vëllait të të ndjerës, është parë edhe babai i cili është në pritje për të nisur seanca ku do të merret vesh dënimi.

Të akuzuarit Naim Murseli, Granit Plava e Kushtrim Kokalla deri në këto momente nuk janë prezentë, pasi të njëjtët kanë mundur të zgjedhin nëse duan të marrin pjesë apo jo.

Sytë kah seanca për vrasësit e Liridona Ademajt, familjarët arrijnë te Gjykata

Pas pak në Gjykatën Themelore të Prishtinës do të shpallet aktgjykimi për të akuzuarit e vrasjes së Liridona Ademajt.

Te Gjykata tashmë kanë arritur familjarët e të ndjerës të cilët sot presin që drejtësia të shkojë aty ku duhet.

Naim Murseli, Granit Plava e Kushtrim Kokalla sot do të kuptojnë me sa vite dënohen për krimin makabër.

-----

Sot pritet epilogu i rastit të vrasjes së Liridona Ademajt, ku të akuzuar janë Naim Murseli, Kushtrim Kokalla dhe Granit Plava.

Seanca e fjalëve përfundimtare përmbylli të premten një nga proceset më të ndjekura në vend, ndërsa vendimi përfundimtar pritet të shpallet hiç më larg se pasditen e së martës.

Në seancën e kaluar, prokurorja Javorka Perlinçeviq ka kërkuar dënim me burgim të përjetshëm për të tre të akuzuarit, duke e cilësuar rastin si “krim makabër”.

Ajo ka theksuar se gjatë procesit janë paraqitur tri versione të ndryshme të ngjarjes, të cilat, sipas saj, përbëjnë përpjekje për shmangie të përgjegjësisë dhe bartje të fajit.

Në anën tjetër, Naim Murseli, i cili akuzohet se e ka organizuar vrasjen, e ka mohuar çdo përfshirje në rast, ndërsa mbrojtja e Plavës ka kërkuar që klienti i tij të shpallet i pafajshëm, me arsyetimin se nuk ekzistojnë prova që e implikojnë në ngjarje.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat