Kurti: E pranojmë edhe kandidaturën e Vjosa Osmanit nëse propozohet nga LDK
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është deklaruar për media që nuk e ka problem për kandidatin e propozuar nga LDK.
Kurti ka theksuar se nuk mund të japë garanci që kandidati i LDK-së do t’i marrë edhe votat e Lëvizjes Vetëvendosje, duke thënë se nëse LDK-ja e propozon Osmanin si kandidate për presidente, Vetëvendosje do ta pranonte.
“Ne nuk e kemi fare problem kë e sjell LDK-ja si kandidat. Asnjë problem nuk kemi me asnjë kandidat që na sjell LDK-ja, vetëm le të na sjellin 15 nënshkrimet.
Votimi është i fshehtë. Nuk jam unë ndonjë person që shikon brenda kutive të votimit. Unë nuk e kam ditur as mbrëmë sa vota do t’i ketë Feride Rushiti”, ka thënë Kurti.
Kurti: Hatixhe Hoxha, e gatshme të tërhiqet nga gara
Kryeministri Albin Kurti, në një konferencë të dytë për media në pak kohë, tha se kandidatja e propozuar të hënën nga LVV, Hatixhe Hoxha, është e gatshme të tërhiqet nga gara.
Deklarata:
“Kam komunikuar me profesoreshën Hatixhe Hoxha dhe kam biseduar me të, me ç’rast ajo është dakorduar që të tërhiqet nga kandidatura, nëse LDK i sjell 15 nënshkrime për kandidatin e saj, kushdo që është.
Me atë rast, LVV i plotëson edhe 15 nënshkrime tjera, dhe në këtë mënyrë do ta kishim një kandidat nga shoqëria civile, e një nga LDK, dhe sonte do ta zgjedhshim presidentin apo presidenten”, tha Kurti.
Kurti: I ofrojmë LDK-së edhe 15 nënshkrime për kandidatin e tyre, Hoxha u dakordua të tërhiqet
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka deklaruar se ka zhvilluar bisedë me Hatixhe Hoxhën, duke thënë se ajo është pajtuar të tërhiqet nga kandidatura nëse plotësohen disa kushte për sigurimin e nënshkrimeve nga LDK dhe LVV.
Ai ka bërë të ditur se sipas tij, LDK-ja duhet të sjellë 15 nënshkrime për kandidaten e saj, ndërsa edhe LVV-ja të ofrojë 15 nënshkrime, duke mundësuar që procesi të shkojë drejt zgjedhjes së presidentit.
“Kam biseduar me të (Hatixhe Hoxhën v.j.). Ajo është dakorduar të tërhiqet nga kandidatura nëse LDK-ja i sjell 15 nënshkrime për kandidaten e saj kushdo që është. LVV-ja i jep edhe 15 nënshkrime dhe në këtë mënyrë do ta kishim një kandidat nga shoqëria civile dhe një kandidat nga LDK-ja dhe sonte le ta zgjedhim presidenten/in të Kosovës.
Këtu jam, në zyrën e LVV-së, këtu mund të më gjejë LDK-ja dhe të m’i sjellë 15 nënshkrimet”, ka thënë Kurti.
Kurti thërret sërish konferencë për media
Kryeministri Albin Kurti ka thirrur konferencë për media.
Sipas njoftimit, konferenca do të mbahet nga ora 20:00.
Në njoftim nuk janë dhënë detaje se për çka do të flasë shefi i ekzekutivit.
Por konferenca mbahet në ditën kur po tentohet të zgjidhet presidenti i ri i vendit.