Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka deklaruar se zhvillimet e fundit politike përfaqësojnë “fitore të Kushtetutës dhe ligjit” ndaj, siç e quajti ai, qasjes populiste të kryeministrit Albin Kurti.
Në një reagim publik, Haradinaj tha se është penguar, sipas tij, rrezikimi i rendit kushtetues dhe ka triumfuar vullneti i opinionit publik dhe faktorëve politikë. Ai shtoi se me këtë zhvillim nis një etapë e re për vendin, duke e cilësuar situatën si fund të “konceptit parti-shtet”
Haradinaj theksoi se vendimmarrja tash i takon qytetarëve, ndërsa shtoi se AAK ka qenë e gatshme për bashkëpunim për tejkalimin e krizës politike.
Postimi i plotë:
Të dashur qytetarë të Kosovës,
Mbrëmë ka fituar Kushtetuta dhe ligji përballë populistit Albin Kurti.
Ka fituar vetëdija dhe rezistenca e opinionit publik e faktorit politik se nuk do të lejohet shkatërrimi i rendit politik e kushtetues të vendit.
Ka fituar koncepti se nuk ka individ e as parti që mund ta rrezikojë ekzistencën e shtetit.
Megjithëse me ditën e djeshme Kosova i ka rrumbullaksuar gjashtë vjet të humbura nën këtë pushtet, prej sot nis një etapë e re për shtetin.
Mbrëmë është përmbysur koncepti i partisë-shtet, ku një individ provon të bëhet mbret. Është përmbysur autokrati Albin Kurti.
Tash fjalën e ka sovrani, i cili mban mend e nuk falë.
Vendimmarrja i është kthyer atij.
Aleanca si parti dhe unë si drejtues i saj, kemi qenë bashkëpunues e të ndershëm sa s’ka për ta kaluar këtë krizë politike, por të tjerët ishin dehur pas pushtetit duke e harruar shtetin.
Për Kosovën deri në frymën e fundit!
Me respekt,
Ramush Haradinaj