Abdixhiku pas mbledhjes së kryesisë: LDK drejt bashkëpunimit me Vjosa Osmanin

Aktuale

Abdixhiku pas mbledhjes së kryesisë: LDK drejt bashkëpunimit me Vjosa Osmanin

Më: 5 maj 2026 Në ora: 13:52 Përditësuar në ora: 19:47 më 05.05.2026
Lumir Abdixhiku

Abdixhiku: Vjosa Osmani s’ka pasur asnjë kusht për bashkëpunimin me LDK-në

Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës ka dhënë aprovimin për bashkëpunimin me ish-presidenten, Vjosa Osmani.

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, pas mbledhjes së kryesisë të martën tha se bashkëpunimi me Osmanin do të jetë garimi brenda një liste të përbashkët të LDK-së.

Dakordim për garim të përbashkët me Vjosa Osmanin

“U dakorduam që të formalizojmë në bashkëpunim me Vjosa Osmanin garimin e përbashkët në zgjedhjet e ardhshme. Për këtë më jepni edhe disa ditë për finalizim të diskutimeve me Vjosa Osmanin. Kishte dakordim për idenë e përbashkimit dhe garim të përbashkët dhe shumë fjalë që kemi diskutuar në mbledhje të këshillit të përgjithshëm do t’i finalizojmë këto ditë”, tha ai.

Abdixhiku ka përgënjeshtruar raportimet se Osmani ka vendosur paraprakisht kushte për bashkëpunim.

“Vjosa Osmani s’ka pasur asnjë kusht për bashkëpunimin me LDK-në”

“Asnjë kusht me Vjosën nuk kemi pasur. Nuk është relacion kushtëzimesh, por nevojë e përbashkimit të të gjithëve në LDK. Ky përbashkim nënkupton që ne ndërtojmë relacione në mirëbesim dhe përderisa kemi këtë nuk flitet për kushte”, shtoi ai.

I pyetur nëse Osmani do të jetë bartëse e listës së LDK-së, Abdixhiku ka thënë se nuk e ka problem të jetë ajo, megjithëse ka shtuar se e sheh si kandidate “të duhur” për presidente.

A do të jetë Vjosa Osmani bartëse e listës së LDK-së?

“Pa asnjë problem. Kjo çështje nuk është për mua. Besoj se Vjosa Osmani duhet të jetë dhe më e duhura për presidente të Kosovës. Besoj se populli i Kosovës e dëshiron një gjë të tillë. Prandaj renditja në listë për mua nuk ka fare rëndësi, përderisa gjejmë një modalitet që funksionon dhe ngrit shpresë për Kosovën… mund të jetë edhe anëtare e LDK-së. Bashkëpunimi ynë është brenda një liste të përbashkët brenda LDK-së, s’ka parti të tjera brenda listës së LDK-së”, theksoi Abdixhiku.

Zgjedhjet parlamentare të jashtëzakonshme në vend mbahen më 7 qershor. 

Kishte bërë koalicion pa autorizim me VV në Vushtrri, Abdixhiku për Xhafer Tahirin: Ia kemi refuzuar dorëheqjen

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka thënë se partia e tij nuk e ka ndërmend të merret me çështje lokale, pasi janë para zgjedhjeve të 7 qershorit.

Ai u pyet që “njëjtë ka thënë edhe për Xhafer Tahiri”.

Abdixhiku tha se Xhafer Tahirit ia kanë refuzuar dorëheqjen e dhënë.

“Xhafer Tahirit ia kemi refuzuar dorëheqjen dhe do vazhdojë të jetë kryetar i LDK-së në Vushtrri”, tha ai.

Xhafer Tahiri kishte bërë një koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje në balotazhin për Vushtrrinë vitin e kaluar, ku LVV garonte kundër PDK-së.

Por, koalicioni nuk i ishte kumtuar kryesisë së LDK-së  e as kryetarit Lumir Abdixhiku.

Koalicioni Përparim Rama-PDK, Abdixhiku: Kam komunikuar me Bedri Hamzën

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka thënë se LDK-ja nuk ka koalicion me PDK-në në Prishtinë.

Ai tha se kryetari i komunës ka të drejtë të krijojë shumicë, por LDK-ja nuk ka marrëveshje.

Madje, Abdixhiku ka thënë se ka komunikuar edhe me Bedri Hamzën, të cilit i ka thënë a kemi marrëveshje, dhe i tha nuk ka marrëveshje.

“Kryetarët e komunave kanë të drejtë të bëjnë marrëveshje për shumicën që ata e dëshirojnë, po mund të them se ne kemi marrëveshje me PDK-në. E kam komunikuar edhe me Bedri Hamzën këtë çështje, i kam thënë a s’kemi marrëveshje, jo s’kemi marrëveshje LDK-ja nuk ka bërë marrëveshje me PDK-në, dua të qartësojë për publikun se ne nuk kemi marrëveshje”, ka thënë Abdixhiku.

Abdixhiku për Osmanin: Do ishte kandidate e shkëlqyeshme për presidente

Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, në një paraqitje për media, pas mbledhjes së mbajtur me kryesinë e partisë tha se është diskutuar për përgatitje për zgjedhjet e reja dhe listën e LDK-së.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka thënë se pa asnjë problem do të lironte numrin 1 të listës që asaj t’i prijë Vjosa Osmani.

Abdixhiku i pyetur nga gazetarët tha se beson që Vjosa Osmani është kandidatja më e shkëlqyeshme për Presidente.

Ai tha se populli i Kosovës do që Vjosa Osmani të jetë sërish Presidente e Kosovës.

“Pa asnjë problem, kjo çështje nuk është për mua. Besoj që Vjosa Osmani duhet të jetë kandidatja e  shkëlqyeshme për Presidente dhe më e duhura, besoj që populli i Kosovës e do këtë”, ka thënë Abdixhiku. 

Abdixhiku: U dakorduam për garim të përbashkët me Vjosa Osmanin

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka thënë kanë arritur dakordim që në zgjedhjet e 7 qershorit të garojnë së bashku me Vjosa Osmanin.

Abdixhiku pas mbledhjes së kryesisë së LDK-së para mediave tha se për bashkëpunimin me Osmanin u përkrah nga anëtarët.

“Me votim në këtë trup, u dakorduam që këtë të shtunë të thërrasim Këshillin e Përgjithshëm të LDK-së për t’i finalizuar të gjitha çështjet që lidhen me pjesën përgatitore zgjedhore. Pikë e veçantë e këtij takimi ishte edhe natyrisht bashkimi i madh për të cilin po flasim e për të cilin jemi angazhuar. I njoftova edhe kryesinë edhe kryetarët e degëve me procesin e deritanishëm.

Votuam dhe u dakorduam që të formalizojmë tash e tutje, në bashkëpunim me Vjosa Osmanin, garimin e përbashkët në zgjedhjet e ardhshme. Po për këtë, më jepni edhe disa ditë t’i finalizoj diskutimet edhe me zonjën Osmani, për të përfunduar në një votim formal në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm. Pra, kishte dakordim për idenë e bashkimit, kishte dakordim për garim të përbashkët, kishte dakordim për shumë gjëra që i kemi diskutuar deri më tani dhe në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm do t’i formalizojmë këto çështje në detaje”, tha ai.

Lushaku tregon për diskutimet

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) do të diskutojë sot për modalitetet e bashkëpunimit me ish presidenten e Kosovës, Vjosa Osmanin për zgjedhjet e 7 qershorit.

Anëtarja e Kryesisë së LDK-së, Jehona Lushaku, tha se në mbledhjen e sotme do të diskutojnë për formën e bashkëpunimit me Vjosa Osmanin dhe siç tha bashkimin e së djathtës.

Lushaku tregon për diskutimet

“Do të diskutojmë për të gjitha çështjet që lidhen me partitë dhe listën tonë. Në këtë kuptim diskutojmë edhe për ardhjen e Vjosës dhe bashkimin e madh të së djathtës dhe shohim si domosdoshmëri për Kosovën”, tha ajo.

E pyetur nga KosovaPress se sa do ta dëmtojë bashkimin e së djathtës koalicioni në nivel lokal me PDK-së ajo tha se këto çështje janë të ndara.

Lushaku: Çështjet komunale janë të ndara

“Çështjet komunale janë të ndara prej çështjeve qendrore. Temë diskutimi sot do të kemi rrugën përpara dhe bashkimin e së djathtës në nivelin qendror”, tha ajo.

Lushaku-Sadriu e konfirmon se se çështja “Vjosa” do të diskutohet në mbledhjen e LDK-së

Nënkryetarja e LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu ka folur para mbledhjes së kryesisë së LDK-së.

Lushaku ka thënë se pjesë e diskutimit do të jetë edhe tema e rikthimit të Vjosa Osmanit në LDK.

----

Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës, së bashku me kryetarët e degëve, do të mblidhen sot në një takim për të diskutuar mundësinë e bashkëpunimit me listën e Vjosa Osmanit në prag të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

Siç merr vesh media, takimi do të nisë në orën 16:00.

Në takim pritet të diskutohet qëndrimi i LDK-së lidhur me një bashkim të mundshëm politik për zgjedhjet e 7 qershorit.

Kosova do t’i drejtohet kutive të votimit më 7 qershor, pas moszgjedhjes së presidentit që çuan në shpërndarjen e Kuvendit dhe shpalljen e zgjedhjeve të reja.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat