Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci, ka bërë të ditur se në kuadër të panairit ndërkombëtar të industrisë së mbrojtjes “SAHA Expo 2026”, ka zhvilluar takime të rëndësishme me kompani pjesëmarrëse të sektorit të mbrojtjes dhe sigurisë.
Përmes një postimi në Facebook, Maqedonci ka theksuar se bashkë me delegacionin pjesëmarrës janë njohur nga afër me zhvillimet më të avancuara teknologjike dhe mundësitë për bashkëpunim strategjik në fushën e mbrojtjes.
Ai ka vlerësuar se përcjellja e inovacioneve dhe teknologjive të reja mbetet thelbësore për avancimin profesional dhe operacional të Forcës së Sigurisë së Kosovës, në përputhje me standardet e NATO-s dhe sfidat moderne të sigurisë globale.
Postim i plotë:
Në kuadër të SAHA Expo 2026, zhvillova takime të rëndësishme me kompanitë pjesëmarrëse të industrisë së mbrojtjes, ku bashkë me delegacionit pjesëmarrës u njohëm nga afër me zhvillimet më të avancuara teknologjike dhe mundësitë e bashkëpunimit strategjik.
Përcjellja e inovacioneve dhe teknologjive të reja në sektorin e mbrojtjes mbetet thelbësore për avancimin profesional dhe operacional të Forcës së Sigurisë së Kosovës, në përputhje me standardet e NATO-s dhe sfidat bashkëkohore të sigurisë. Në një mjedis global gjithnjë më kompleks, investimi në dije, teknologji dhe partneritete të besueshme strategjike është kyç për ndërtimin e kapaciteteve moderne dhe të qëndrueshme mbrojtëse.
Republika e Kosovës mbetet e përkushtuar në forcimin e bashkëpunimit me partnerët dhe aleatët ndërkombëtarë, duke zhvilluar një forcë profesionale, moderne dhe të ndërveprueshme me strukturat euroatlantike.