Kurti për dorëheqjet e gjyqtarëve serbë: Ishin akt politik, nuk kemi të drejtë t’u themi kthehuni

Aktuale

Kurti për dorëheqjet e gjyqtarëve serbë: Ishin akt politik, nuk kemi të drejtë t’u themi kthehuni

Më: 24 korrik 2026 Në ora: 15:42 Përditësuar në ora: 16:50 më 24.07.2026
Albin Kurti

Qeveria miraton nismën për aderimin e Kosovës në zonën “EU Roam Like Home”

Qeveria në detyrë ka miratuar të premten nismën për lidhjen e marrëveshjes ndërkombëtare me Bashkimin Evropian për aderimin në zonën “EU Roam Like Home”.

Kjo marrëveshje do të jetë parakusht për zbatimin e plotë të legjislacionit të Bashkimit Evropian në fushën e roamingut.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, tha se kjo nismë hap rrugën drejt heqjes së tarifave shtesë të roamingut për qytetarët dhe bizneset kosovare gjatë përdorimit të shërbimeve mobile në vendet pjesëmarrëse të Bashkimit Evropian.

Kurti: E hap rrugën drejt heqjes së tarifave shtesë të Roamingut për qytetarët dhe bizneset tona

“Kjo është një etapë e rëndësishme në procesin e integrimit tonë digjital në Bashkimin Evropian, që e hap rrugën drejt heqjes së tarifave shtesë të Roamingut për qytetarët dhe bizneset tona gjatë përdorimit të shërbimeve mobile në vende pjesëmarrëse”, tha Kurti.

Një pikë tjetër e rendit të ditës ishte edhe marrëveshja ndërmjet ndërmarrjes publike “Termokos” dhe Bankës Evropiane për Investime për projektin e zgjerimit të sistemit të ngrohjes qendrore në Prishtinë.

Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, tha se për realizimin e këtij projekti është paraparë një grand në vlerë prej 17.2 milionë euro.

Murati: Marrëveshja parashikon ofrimin e një grandi në vlerë prej 17.2 milionë euro

“Marrëveshja parashikon ofrimin e një grandi në vlerë prej 17.2 milionë euro për financimin e këtij projekti, i cili synon zgjerimin e sistemit të ngrohjes qendrore në Prishtinë, përmes zgjerimit të rrjetit, drejt zonave dhe konsumatorëve të rinj. Projekti pritet të përmirësojë cilësinë dhe sigurinë e furnizimit me ngrohje, të zgjeroj mbulueshmërinë e rrjetit rreth 50 përqind të kërkesave si dhe të kontribuojë në uljen e ndotjes së ajrit përmes reduktimit të përdorimit të energjisë elektrike”, tha Murati.

Në këtë mbledhje, Qeveria në detyrë mori edhe një sërë vendimesh të tjera.

Ekzekutivi miratoi edhe projektrregulloren për zhvillimin e procedurave të rekrutimit të zjarrfikësve.

Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha se dokumenti është hartuar në përputhje me planin e akteve nënligjore për vitin 2026.

Sveçla: MPB ka hartuar projekt rregulloren për zjarrfikësit

“MPB sipas planit të akteve nënligjore për vitin 2026 ka hartuar projekt rregulloren. Shërbimi i zjarrëfikjes dhe shpëtimit paraqet një ndër komponentëve më të rëndësishme sistemit të sigurisë publike dhe menaxhimit të emergjencave në Kosovë. Funksionimi efikas i këtij shërbimi varet drejtpërdrejt nga disponueshmëria e personelit profesional, të trajnuar dhe të përgatitur për ti përgjigjur rreziqeve dhe situatave emergjente. Me qëllim të krijimit të një sistemi të unifikuar, transparent dhe të bazuar në meritë në përzgjedhje të personelit zjarrfikës, MPB ka hartuar këtë projekt rregullore”, tha Sveçla.

Një prej pikave të rendit të ditës në mbledhjen e Qeverisë në detyrë ishte edhe shqyrtimi dhe riaprovimi i raportit vjetor financiar për buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin fiskal 2025.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, tha se Ministria e Financave ka sjellë për miratim raportin vjetor financiar për buxhetin e vitit fiskal 2025, pas përditësimeve teknike të bëra gjatë procesit të auditimit nga Zyra Kombëtare e Auditimit.

Kurti: Riaprovimi i raportit mundëson dorëzimin e versionit përfundimtar në Kuvend

“Riaprovimi i raportit mundëson dorëzimin e versionit përfundimtar në Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe në Zyrën Kombëtare të Auditimit, në përputhje me legjislacionin në fuqi në vendin tonë.”, u shpreh Kurti. 

Miratohet zgjerimi i ngrohjes qendrore, premtohet shtrirje mbi 50%

Në mesin e disa vendimeve të miratuara, Qeveria e Kosovës ka vendosur pro marrëveshjes që siguron zgjerimin e ngrohjes qendrore në Prishtinë, nëpërmjet grantit në vlerë prej 17.2 milionë eurove.

Kjo marrëveshje e cila do të nënshkruhet ndërmjet Ministrisë së Financave, “Termokosit” dhe Bankës Evropiane për Investime, sipas kryeministrit në detyrë, është një nga projektet më të rëndësishme infrastrukturore në sektorin e energjisë

“Me këtë nismë hapim rrugën për lidhjen e marrëveshjes së grantit midis Republikës së Kosovës, Termokosit dhe Bankës Evropiane për Investime, duke siguruar mbështetje financiare për realizimin e këtij projekti me ndikim të drejtpërdrejtë në cilësinë dhe mirëqenien e jetës së qytetarëve”, tha Kurti.

Ndërkaq ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati tha se do të rritet mbulueshmëria me ngrohje qendrore përmbi 50%.

“Marrëveshja synon zgjerimin e sistemit të ngrohjes qendrore në Prishtinë përmes zgjerimit të rrjetit drejt zonave dhe konsumatorëve të rinj. Projekti pritet të përmirësojë cilësinë dhe sigurinë e furnizimit me ngrohje, të zgjerojë mbulueshmërinë e rrjetit për mbi 50% të kërkesës për ngrohje në Prishtinë, si dhe do të kontribuojë në uljen e ndotjes së ajrit përmes reduktimit të përdorimit të energjisë elektrike dhe lëndëve të tjera djegëse për ngrohje”, tha Murati.

Në anën tjetër, Qeveria e Kosovës miratoi edhe Marrëveshjen Ndërkombëtare ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian për aderimin në zonën “EU Roam Like Home”, e cila do të jetë parakusht për implementimin e plotë të “EU Roaming Acquis”.

Është aprovuar gjithashtu propozim vendimi për qiradhënie sipas kërkesës nga Agjencia Pyjore e Kosovës, Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, në kohëzgjatje prej 15 vjetësh për nxjerrjen dhe shfrytëzimin e gurit gëlqeror.

Qeveria e Kosovës ka miratuar Projektrregulloren për zhvillimin e procedurave të rekrutimit për zjarrfikës; propozimvendimin për dhënien në shfrytëzim të hapësirës prej rreth 30 ari, e cila është në pronësi të Agjencisë Pyjore të Kosovës – Ndërmarrja e Pyjeve në Prizren, për Ministrinë e Drejtësisë dhe propozim vendimin për aprovimin e Kornizës për Ndërtimin e Kapaciteteve Digjitale për Qeverinë e Kosovës.

Kurti: Dorëheqjet ishin akt politik, nuk kemi të drejtë t’u themi kthehuni

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, duke folur për dorëheqjet e ish-prokurorëve e ish-gjyqtarëve serbë nga sistemi i drejtësisë në Kosovë, tha se largimi i tyre ka qenë akt politik dhe i organizuar.

“Braktisja e organizuar dhe politikisht e motivuar e institucioneve të Republikës së Kosovës nga pjesëtarë të komunitetit serb në fund të vitit 2022 ishte pikënisje e një serie veprimesh sabotuese ndaj shtetit. Qysh atëherë, e kemi thënë dhe u kemi bërë thirrje të gjithë serbëve në institucione: ‘Mos i braktisni ato, mos jepni dorëheqje, mos shkoni!’. Por nuk u kemi thënë, e as nuk kemi të drejtë t’u themi: ‘Kthehuni!’. Kishim të drejtë politike t’u themi mos shkoni, por nuk kemi të drejtë kushtetuese e ligjore t’u themi kthehuni. Largimi i tyre ka qenë akt politik, individual, ndonëse i organizuar, por kthimi është çështje ligjore dhe kushtetuese”, tha Kurti gjatë mbledhjes së Qeverisë së Kosovës.

Ai tha se s’mund të bëhet kthimi i tyre në institucione, kur ata sabotuan ligjin dhe Kushtetutën e vendit.

“Nuk mund të ketë kthim që i mbivendoset Kushtetutës e ligjit, veçmas kur braktisja ishte një akt sabotimi i ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë. Në këtë linjë, gjithnjë sipas kushtetutshmërisë e ligjshmërisë, këto dorëheqje i ka trajtuar kohë më parë Policia e Kosovës, dhe ditë më parë edhe Këshilli Prokurorial. Ndërkaq sot, teksa prisnim që edhe Këshilli Gjyqësor i Kosovës të vepronte njësoj, kuptuam që mbledhja dështoi në mungesë kuorumi. Presim që në mbledhjen e radhës të marrë epilog të tillë edhe kjo çështje”, deklaroi Kurti.

Kurti në mbledhjen e Qeverisë: Zgjedhjet pas 9 shkurtit ishin të panevojshme

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti përsëri ka përmendur se zgjedhjet e 7 qershorit ishin të panevojshme.

Në mbledhjen e radhës të Qeverisë, Kurti mirëpriti caktimin e datës për mbajtjen e seancës konstituive të legjislaturës së 11-të të Kuvendit të Kosovës.

Kurti: Zgjedhjet në dhjetor e veçmas në qershor kanë qenë të panevojshme

“Më 7 qershor për herë të tretë patëm zgjedhje për kuvendin e Kosovës. Të parat ato të 9 shkurtit 2025 ishin të rregullta pas përfundimit të mandatit të plotë katër vjeçar. Ndërsa dy proceset pasuese zgjedhore të dyja të parakohshme në dhjetor e veçmas në qershor kanë qenë të evitueshme dhe të panevojshme. Caktimi i datës për mbajtjen e seancës konstituive të legjislaturës së 11-të të kuvendit nga U.D së Presidentes Albulena Haxhiu është e mirëpritur. Partitë politika secila sipas hises që populli i ka dhënë gjendemi sërish para përgjegjësisë për përmbushjen e detyrave për formimin e institucioneve të reja, përfshirë zgjedhjen e presidentit”, tha Kurti.

Ai përmendi edhe takimet që ka mbajtur më 10 korrik me krerët e PDK dhe LDK, duke përmendur që Aleanca nuk pranoi ftesën.

Kurti tha se interesi shtetëror duhet të vihet në rendin e parë, duke u bërë thirrje partive politike për zgjedhjen e presidentit apo presidentes së re të Kosovës.

Kurti: Veprimet politike dhe interesi shtetëror duhet të vihen në rend të parë

“Kemi dy javë më së shumti deri te fillimi iu seancës për konstituimin e kuvendit, para se të kalojmë tek zgjedhja e qeverisë së re dhe presidentit ose presidentes së re. Për legjislaturën dhe ekzekutivin e ri nevojitet shumica e thjeshtë, ndërsa për presidentit së paku një dy raundet e para, për shkak të një aktgjykimi të Gjykatës Kushtetuese para 15 viteve kërkohet prania e 2/3 të deputetëve andaj edhe përgjegjësia për zgjedhjen e tij e tejkalon një parti politike. Në këtë frymë saktësisht dy javë më parë, më 10 korrik zhvillova takime konsultative me krerët e PDK dhe LDK, ndërkaq sërish shprehim keqardhje që Aleanca nuk e pranoi ftesën. Teksa koha ecën veprimet politike dhe interesi shtetëror duhet të vihen në rend të parë”, tha Kurti.

Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu ka caktuar të premten datën 6 gusht ora 10:00 seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës. 

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat