Aktori Çun Lajçi ka reaguar ashpër ndaj ngërçit politik në Kosovë, duke kritikuar deputetët dhe veçanërisht Përparim Grudën.
Në një postim të gjatë, Lajçi e akuzon Grudën se po u bën thirrje deputetëve për të penguar formimin e Qeverisë nga Albin Kurti. Ai ka kritikuar gjithashtu qëndrimet e deputetëve ndër vite, duke i akuzuar për mungesë dinjiteti politik.
“Na duhet dinjitet, ore t’gjorë!”, ka shkruar Lajçi në fund të reagimit të tij, të publikuar më 17 gusht në Prizren.
Postimi i plotë:
Mysketerët!
Marash Pali s’ka nevojë ma me hipë n’thep e me shkrepë koburën.
Ai s’ka nevojë ma me thirrë:
— O ku jeni, Shala e shkretë?!…
Jo. Atë e ka zëvendësue Përparim Gruda.
Ai asht ba telalli i Vlorës, Gançes, Enverit, Blertës… e kollon kusurit.
Tash, çdo mëngjes, kemi me i pa “mysketerët” pa kuaj e pa shpata, a shtatë shaljanët pa xhamadana e pa kobure, tue shkelë randë sheshin e Gjergjit e tue shkue me ruejtë godinën që puthet me qiellin.
Por dallimi asht tepër i madh.
Marash Pali i thërriste shaljanët me shkue me shlirue Shkodrën nga Veziri. Përparimi po i thërret:
— Ejani t’i vemë prita, si cubat e malit, Albinit, që të mos bajë Qeveri e të mos ia vemë kapakun — Presidentin — shtetit!
Kështu nuk thërrisnin kur po prangoseshin Hashimi, Kadriu, Jakupi e Rexha.
Kështu nuk thërrisnin kur po falej Kulla e Çakorri. Madje, atë natë votimesh, u puthën buzë më buzë, si Tita, Brezhnjevi e Enveri!
Sa artistë palaço kjo ekipë deputetësh, që po ia shkërdhejnë djersën këtij populli!
Ejani n’shesh, te kuferi im me libra, t’ua knoj kangën:
“Na ka çu Dudia letër…”
A keni ftyrë, more ju që s’keni as prapanicë?!
Se edhe qentë e rrugëve po qeshin me ju.
Kapni tupanat e defat, shkoni n’Urën e Mitrovicës e gëzohuni që ky Albini “i keq” ua hoqi telat e muret, e ja që po lëshohet prej vetë Bashkimit Evropian.
Na duhet dinjitet, ore t’gjorë!
Se ua kemi mësue edhe andrrat, edhe dashnitë, edhe përqafimet, edhe shamjet.
Ah, nëpërkat që jeni!
Veç Zoti e di sa helm keni n’buzëqeshjet tueja.
Prizren, 17.08.2026